Kërko

 Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Françesku: edhe njeriu më i korruptuar e ka etjen për drejtësi

Audienca e sotme e përgjithshme, e transmetuar në streaming për të shmangur përhapjen e Coronavirusit, iu kushtua Lumnisë së katërt, etjes për drejtësi. Ungjilli - kujtoi Papa Françesku - “është drejtësia më e madhe, që mund t’i ofrohet zemrës njerëzore, edhe pse shpesh nuk e kupton këtë”.

R. SH. - Vatikan

"Padrejtësitë e plagosin njerëzimin. Prandaj shoqëria njerëzore kërkon me etje të pashuar të vërtetën dhe drejtësinë. Pa harruar se e keqja që pësojnë gratë e burrat e botës arrin  deri në zemrën e Atit”. Me këto fjalë e nisi Papa audiencën e sotme të përgjithshme, kushtuar Lumnisë së katërt: “Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!”.

Drejtësia e Zotit është shumë më  e madhe e se ajo e njeriut  

Me fjalët e tij, transmetuar përmes streaming në Vatican News - por jo në ekranet e Sheshit të Shën Pjetrit, që u mbyllën dje për të shmangur rrezikun e përhapjes së coronavirusit - Papa  shpjegoi se uria edhe etja janë nevojat e para, më të rëndësishmet, që ka njeriu. Janë kërkesa jetike, të përditshme, pa të cilat nuk mund të ketë jetë. Por uria dhe etja për drejtësi, për të cilën flet Jezusi, është edhe më e domosdoshme se nevoja legjitime për drejtësi  njerëzore, që gjithkush e ka në zemër. E edhe më e thellë se dhimbja e të varfërve dhe e të shtypurve. Zoti, që zbriti për ta çliruar popullin e Izraelit, e njeh mirë këtë dhimbje dhe e ndan bashkë me të.  Drejtësia, që vjen nga Zoti, është shumë më e madhe se drejtësia njerëzore. Ajo ia kalon edhe çdo përsosurie personale.

Dëshira dhe shqetësimi i Zotit

“Një uri më të thellë se ajo fizike, një dëshirë të vënë në rrënjë të qenies sonë, një uri shpirtërore, një shqetësim pa fund”. Për këtë ka etje  Zoti , siç  shkruhet në Psalmin 63:

“Në çdo zemër, deri në atë të njeriut më të korruptuar e më larg së mirës, fshihet etja për dritë, edhe kur ndodhet nën gërmadhat e gënjeshtrave e të gabimeve. Edhe atëhere ndjehet etja për të vërtetën e për të mirën, që s’është tjetër, veçse etje për Zotin! Është etja, që buron nga Shpirti Shenjt: është ai ujë i gjallë, që i dha trajtë pluhurit tonë, është Ai, fryma krijuese që i dha jetë”.

Një nevojë jetike e njeriut

Prandaj - pohoi Françesku - “Kisha u dërgua për t’u kumtuar të gjithëve  Fjalën e Zotit, përplot me frymën e Shpirtit Shenjt”:

“Ungjilli i Jezu Krishtit është drejtësia më e madhe, që mund t’i ofrohet zemrës njerëzore, e cila ka nevojë jetike për të, edhe pse shpesh nuk arrin ta kuptojë”.

Të kuptojmë çka vlen me të vërtetë

Uria për Zotin, nëse mbahet e gjallë në shpirt, i krijon burrit e gruas që martohen, mundësinë për ta gjetur gjithnjë rrugën e drejtë e për të shkuar përpara. I ndihmon të rinjtë, fëmijët…:

“Çdo njeri është i thirrur të zbulojë çka vlen me të vërtetë, të dijë për çka ka nevojë, çka e ndihmon të jetojë mirë, çka është e dorës së parë, e njëkohësisht, çka është e dorës së dytë e çka nuk është aspak e domosdoshme në jetë”.

Zoti na e dhashtë këtë hir - ishin fjalët e fundit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në studion e Bibliotekës apostolike vatikanase - hirin e etjes për drejtësi, që s’është tjetër, veçse dëshirë për të parë Zotin e për t’u bërë mirë të tjerëve.

Falënderim burgut të Padovës

Në përfundim të audiencës, Papa falënderoi famullinë e burgut “Due Palazzi” të Padovës për thellësinë e meditimeve, shkruar nga bashkësia e të burgosurve për Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe:

“Faleminderit - u tha Papa - që punuat kaq mirë, të gjithë së bashku!”.

11 mars 2020, 12:35