Françesku, Covid-19 dhe rreziku i “genocidit viral”
R.SH. - Vatikan
E ardhmja është sot, në urinë e “njerëzve pa punë fikse”, në “dhunën”, në “shfaqjen e fajdexhinjve”, “kriminelë çnjerëzorë, që janë plaga e vërtetë e së ardhmes shoqërore”. E ardhme, që, pa vendimet e duhura, përvijohet si skenar i “gjenocidit viral”. Grafia e ngjeshur e Papës Françesku mbi letër është kaq shkronjëvogël, sa janë të stërmëdha konsideratat, që vë në dukje, në një mendim të tijin mbi planetin e përshkuar nga koronavirusi, i cili i ka vënë qeveritë para vendimeve të rëndësishme.
I frymëzuar nga ata, që vënë në rrezik jetën
Papa i shkruan gjyqtarit, që drejton organizmin panamerikan për të drejtat shoqërore, Roberto Andrés Gallardo, të cilin e njeh prej kohësh. Ia beson atij shqetësimet për “përparimin gjeometrik të pandemisë”, së bashku me admirimin për qëndrimin e “shumë njerëzve, mjekëve, infermierëve, vullnetarëve, murgeshave e rregulltarëve, meshtarëve, të cilët rrezikojnë jetën për të shëruar të sëmurët dhe për të mbrojtur njerëzit e painfektuar”.
I vetmi vendim i mundshëm
Vështrimi i Françeskut përqendrohet në kushtet, me të cilat përballet popullsia botërore. “Disa qeveri kanë ndërmarrë veprime shembullore, me përparësi të përcaktuara mirë, për ta mbrojtur popullsinë”, vijon Ati i Shenjtë, duke theksuar se, megjithëse këto masa “i shqetësojnë ata, që detyrohen t’i respektojnë”, janë të domosdoshme “për të mirën e përbashkët”. “Qeveritë, që e përballojnë krizën në këtë mënyrë, tregojnë përparësinë e vendimeve të tyre: para së gjithash, njerëzit – shkruan Papa. – E kjo është e rëndësishme, sepse të gjithë e dimë se të mbrosh popullin do të thotë të kesh vështirësi të mëdha ekonomike”. E megjithatë, nënvizon, “do të ishte e trishtë nëse do të bëhej e kundërta, sepse kjo do të sillte vdekjen e shumë njerëzve, një lloj gjenocidi viral”.
Ka rëndësi ç’do të bëhet më pas
“Përgatitja për pasojat është e rëndësishme”, vijon Papa, që i tregon gjyqtarit takimin e së premtes së kaluar “me Dikasterin vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, për të reflektuar për të tashmen dhe për të ardhmen”. Ati i Shenjtë ia kushton reflektimin e fundit të letrës së tij, pikërisht “së ardhmes së ekonomisë”, duke cituar vizionin e ekonomistes Mariana Mazzucato, pedagoge në University College të Londrës, shprehur në esenë e saj, botuar në vitin 2018, “Vlera e gjithçkaje - Kush e prodhon dhe kush e përvetëson në ekonominë globale”. Në libër tregohet si spekulatorët e ndryshëm bëjnë sikur janë krijues vlerash në ekonominë globale, pa qenë në të vërtetë. Thirrja e studiueses është të rimendohet vlera si çelës për ndërtimin e një bote të ndryshme nga e sotmja, më të mirë. “Besoj – shkruan Papa – se na ndihmon të mendojmë për të ardhmen”.