Kërko

150320_8.jpg

Dy lutjet e Papës për t’i kërkuar Zotit fundin e pandemisë

Papa Françesku doli dje nga Vatikani për t’u lutur para ikonës së Zojës – Salus Populi Romani, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Pastaj, në Kishën e shën Marçelit në via del Corso, në Romë, u lut para kryqit të Krishtit, që e pati shpëtuar Romën nga murtaja.

R.SH. - Vatikan

Një lutje e fuqishme para Zojës – Salus Populi Romani (Shpëtimi i Popullit Romak) e një tjetër para kryqit të drunjtë, që e pati mbrojtur Romën nga “murtaja e madhe” e viteve 500. Në të dielën III të Kreshmëve, Papa Françesku doli nga Vatikani për të shprehur afërsinë e tij me të gjithë ata, që vuajnë, duke shkuar t’i përgjërohet për një mbrojtje të veçantë shën Marisë, e cila nderohet në ikonën e bazilikës së Zojës së Madhe, etapa e parë e dy vizitave të tij të djeshme.

Dy lutjet e Papës për viktimat e koronavirusit, për familjarët dhe për punonjësit e shëndetësisë

 Dje pak pas orës 16.00, Papa Françesku, në formë private, siç njoftoi drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, shkoi për vizitë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe e pastaj, në këmbë për një shtegtim të vogël, në via del Corso, ku ndodhet Kisha e shën Marçelit me Krishtin në kryqin e mrekullive, që në vitin 1522 u mbajt në procesion nëpër lagjet e qytetit për t’i dhënë fund “Murtajës së Madhe” të Romës. Me lutjen e tij, Ati i Shenjtë i kërkoi Zotit fundin e pandemisë së koronavirusit, që ka përfshirë Italinë dhe botën, duke u përgjëruar për shërimin e të sëmurëve e duke kujtuar viktimat e shumta të këtyre ditëve. Papa u lut që familjarët dhe miqtë e tyre të gjejnë ngushëllim e që punonjësit e shëndetësisë, mjekët, infermierët, si edhe të gjithë ata, që garantojnë funksionimin e shoqërisë, të gjejnë forcën për të vijuar punën e tyre të çmuar.

Dy lutjet e Papës të dielën III të Kreshmëve për fundin e pandemisë

Devocioni i Papës për Zojën-Salus Populi Romani

Devocioni i veçantë i Papës për Salus Populi Romani dihet nga të gjithë: Françesku shkon jo vetëm me rastin e festave të mëdha mariane, por lutet para kësaj ikone edhe para e pas udhëtimeve ndërkombëtare, duke i kërkuar mbrojtje e duke e falenderuar kur kthehet në Romë. Në vitin 593, Papa Gregori I e pati çuar në procesion për t’i dhënë fund murtajës, ndërsa në vitin 1837, Gregori XVI iu lut t’i jepte fund epidemisë së kolerës.

Kryqi i kishës së shën Marçelit kundër murtajës

Shumë domethënëse, duke pasur parasysh çastin që po përjetojmë, edhe etapa e dytë e kësaj daljeje papnore, ditën e djeshme: kisha e shën Marçelit në via del Corso, ku ruhet kryqi i lashtë e shumë i nderuar prej druri, i shekullit XV, që i mbijetoi zjarrit dhe shpëtoi qytetin nga murtaja. Ai kryq, i përqafuar nga shën Gjon Pali II, shënoi kulmin e Ditës së Faljes gjatë Jubileut të vitit 2000.

Tradita, që flet për mrekullitë e shumta të “Shenjtes Krygjë”, e kanë zanafillën më 23 maj 1519, kur gjatë natës, zjarri bëri shkrumb e hi kishën, që e merr emrin nga Papa Marçeli. Të nesërmen në mëngjes, krejt ndërtesa ishte kthyer në gërmadhë, por në mesin e hirit ngrihej i paprekur kryqi i altarit kryesor e në këmbët e tij fafitej akoma flaka e një llambe të vogël me vaj. Kjo i shtyu besimtarët të mblidheshin çdo të premte mbrëma për t’u lutur. Më 8 tetor 1519, Papa Leoni X dha urdhër të rindërtohej kisha.

Procesioni zgjati 16 ditë

Tre vite pas këtij zjarri, Roma u përfshi nga e ashtuquajtura “Murtaja e Madhe”. Populli e çoi kryqin në procesion, duke thyer edhe rregullat e autoriteteve për të mos dalë në rrugë. Kryqi përshkoi rrugët e Romës drejt bazilikës së Shën Pjetrit. Procesioni zgjati 16 ditë, nga 4 deri më 20 gusht 1522. Me kalimin e kohës, murtaja dha shenjat e para të tërheqjes, prandaj, çdo lagje mundohej ta mbante kryqin sa më shumë. Në fund, në çastin e kthimit të kryqit në kishë, murtaja ishte zhdukur pothuaj krejtësisht. Që nga viti 1600, procesioni nga kisha e Shën Marçelit në bazilikën e Shën Pjetrit është bërë traditë e Viteve të Shenjta. Pas kryqit, janë gdhendur emrat e papëve të ndryshëm dhe vitet e shpalljes së Jubileve. 

16 mars 2020, 08:54