Coronavirus, inkurajimi i Papës në këtë çast të vështirë

Masat shëndetësore të marra nga Shteti Italian e të miratuara nga Vatikani për ndalimin e përhapjes së Coronavirusit, e penguan kremtimin e Engjëllit të Tënzot nga dritarja e studios papnore. Françesku, i lidhur përmes streaming nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, iu drejtua edhe të sëmurëve e punonjësve të shëndetësisë, që po i jetojnë këto çaste prove.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, Papa u shprehu përsëri afërsinë e tij të gjithë atyre, që vuajnë nga epidemia e Coronavirus-it, si dhe atyre, që kujdesen për të sëmurët në mbarë botën:

“Jam, me lutje, pranë njerëzve që vuajnë nga epidemia aktuale e coronavirusit si dhe gjithë atyre, që kujdesen për të sëmurët. Bashkohem me vëllezërit e mi ipeshkvij, që po i inkurajojnë besimtarët ta jetojnë këtë çast të vështirë me forcën e fesë, sigurinë e shpresës, frymën e bamirësisë. Koha e Kreshmëve na ndihmoftë për t’u dhënë të gjithëve forcën ungjillore edhe në këtë çast prove e dhimbjeje”.

Afërsi e lutje të vazhdueshme

Nuk është hera e parë që Françesku bëhet i afërt me ata, të cilët po luftojnë për jetën në spitale, në përpjekjen për t’i bërë ballë epidemisë së nisur nga Kina, për t’u përhapur menjëherë në mbarë botën e për të arritur,vetëm në pak muaj, në 100 mijë raste e 3500 viktima. Më 13 shkurtin e kaluar, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Ati i Shenjtë i pati drejtuar Zotit një lutje për vëllezërit kinezë, duke uruar të shërohen sa më shpejt.

Italia kufizon lëvizjet në Lombardi e në 14 provinca

Ndalohet çdo zhvendosje në Lombardi e në 14 provinca të Venetos, Emilia Romagna-s, Piemontit e Markeve, në Itali. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, mbrëmë nënshkroi një dekret, që e kufizon lëvizjen në zonat më të prekura nga Coronavirus. Nuk është “ndalim absolut”- shpjegoi - Do të ketë mundësi lëvizjeje për punë e probleme shëndeti, por policia mund t’i ndalojë qytetarët e t’i pyesë pse po shkojnë në trojet, që janë më në rrezik.

Në Kinë, shembet hoteli i përdorur për karantinë

Në Kinë, prej nga Coronavirusi nisi shtegtimin nëpër botë, numërohen  më se 81 mijë njerëz të prekur nga sëmundja, 70% e të cilëve, të shëruar. Por  dje ndodhi një ngjarje tjetër tejet e hidhur: në Quanzhou të Fujian, u shemb papritmas një hotel i përdorur për karantinë. Mbetën nën gërmdha dhjetra vetë. Lajmet e fundit flasin për 7 të vdekur. Më se një mijë zjarrfikës u mobilizuan gjatë natës për të shpëtuar njerëzit e mbetur nën gërmadha. U shpëtuan 38 vetë, të cilët u nisën menjëherë për në spital. Mungojnë edhe 28 të tjerë.

Ndërkaq sëmundja vijon të përhapet në Francë e në Gjermani si dhe të keqësohet ndjeshëm në Iran. Qeveria ka frikë se situata mund të keqësohet më tej edhe për shkak  të  kremtimit të Vitit të Ri persian.

08 mars 2020, 16:47