Kërko

Papa Françesku me një të sëmurë në Bangladesh (02.12.2017) Papa Françesku me një të sëmurë në Bangladesh (02.12.2017) 

Tweet-i i Papës për Ditën Botërore të të Sëmurit ia beson të ligshtët Zojës së Bekuar

Në një tweet, Papa Françesku siguron “afërsinë e tij në lutje” me të sëmurët, me familjet e tyre dhe me punonjësit e shëndetësisë, pikërisht kur Kisha feston Ditën e 28-të Botërore të të Sëmurit. Ati i Shenjtë i drejtohet “Virgjërës Mari, Shëndetit të të sëmurëve”.

R.SH. - Vatikan

“Virgjërës Mari, Shëndet i të sëmurëve, ia besoj të gjithë njerëzit, që po bartin peshën e sëmundjes, së bashku me familjarët dhe me punonjësit e shëndetësisë. Të gjithëve, me dashuri, iu siguroj praninë time me lutje”. Ky është tweet-i i sotëm i Papës Françesku, në festën liturgjike të Zojës Lurdë, që është njëkohësisht edhe Dita Botërore e të Sëmurit.

 Në Mesazhin për këtë ditë, botuar më 3 janarin e kaluar, Ati i Shenjtë frymëzohet nga fjalët e Jezusit në Ungjillin sipas Mateut: “Ejani tek unë, të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh” (Mt 11, 28) . Fjalë që nxjerrin në pah qëndrimin e mëshirshëm të Jezusit ndaj njerëzimit të plagosur, vështrimin e Tij që arrin thellë, që pret e shëron me dhembshuri.

Kujdesi për trupin, por edhe për shpirtin

 Në tekst, Papa thekson qëndrimin e duhur ndaj të sëmurëve, i cili kërkon jo vetëm kujdesin për trupin, por edhe “kujdesin” për njeriun si të tillë e për familjen e tij, ligështuar nga sprova. Për këtë arsye, Ati i Shenjtë i fton mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë të shkojnë përtej kufijve të shkencës e t’ia hapin zemrën e mendjen dikimit të Zotit, duke punuar gjithnjë në favor të jetës dhe të kujdesit të gjithanshëm për njeriun.

“Jo” eutanazisë dhe vetëvrasjes së asistuar

“Puna juaj – shkruan Papa Françesku, duke iu drejtuar personelit shëndetësor, por edhe vullnetarëve – të priret vazhdimisht drejt respektit për dinjitetin dhe për jetën e njerëzve, pa iu nënshtruar akteve me natyrë eutanazie, pa ndihmuar vetëvrasjen ose fundin e jetës, edhe kur gjendja, në të cilën ka arritur sëmundja, është e pakthyeshme”.

Garantimi i mjekimit për të varfërit është drejtësi shoqërore

Papa nxit edhe qeveritë e institucionet të garantojnë mjekimet për më të ligshtit dhe më të varfrit, në emër të drejtësisë shoqërore. Falenderon veçanërisht vullnetarët që, duke imituar Samaritanin e Mirë, plotësojnë mangësitë strukturore me gjeste afërsie dhe dhembshurie.

Kisha të jetë “bujtinë” e Samaritanit të Mirë

Edhe “Kisha – shkruan më tej Papa në Mesazh – dëshiron të jetë gjithnjë e më shumë ‘bujtinë’ e Samaritanit të Mirë, që është Krishti, pra, shtëpi ku mund të gjendet Hiri i Tij, i cili shprehet me familjaritet, me mikpritje, me ngushëllim”. Duke iu drejtuar të sëmurëve, Ati i Shenjtë thekson se sëmundja, “nata e tyre e korpit dhe e shpirtit”, mund të marrë kuptim të ri përmes “njerëzve, që, të shëruar prej brishtësive të tyre nga mëshira e Zotit, do të dinë t’ju ndihmojnë të bartni kryqin, duke i kthyer plagët në dritare për të parë horizontin, përtej sëmundjes e, për të marrë dritë e ajër për jetën tuaj”.

Dita Botërore e të Sëmurit u themelua nga shën Gjon Pali II

 E sotmja është Dita e 28-të Botërore e të Sëmurit. Ishte Papa shenjt Gjon Pali II, që e themeloi në vitin 1992, me një Letër shkruar enkas për kryetarin e Këshillit Papnor të Baritorisë së Punonjësve të Shëndetësisë, kardinalin Fiorenzo Angelini. Në tekst, Papa uronte që Dita të kthehej në “çast të fuqishëm lutjeje, bashkimi dhe dhurimi të vuajtjes për të mirën e Kishës”. Duhej të ishte edhe “thirrje për të parë në fytyrën e vëllait të sëmurë, Fytyrën Shenjte të Krishtit”.

11 shkurt 2020, 12:51