Kërko

Thirrja e Papës për Sirinë: të heshtë vringëllima e armëve e të dëgjohet vaji i të vegjëlve!

Gjatë vizitës në Bari me rastin e Takimit kushtuar Mesdheut si kufi i paqes, Papa bëri një thirrje të re për Sirinë. Kërkoi të lihen mënjanë llogaritë dhe interesat, për të shpëtuar jetën e civilëve e të fëmijëve të pafajshëm.

R. SH. - Vatikan

Lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar pas Meshës, në përfundim të Kuvendit të Barit , Papa e nisi me një paralelizëm tragjik:

“Ndërsa ne jemi mbledhur këtu për t’u lutur e për të reflektuar mbi paqen dhe fatet e popujve e të viseve, që lagen nga Mesdheu, në bregun tjetër të këtij deti, posaçërisht në veri-perëndim të Sirisë, luhet një tragjedi e përbindshme. Nga zemrat tona prej barinjsh lartohet një thirrje  e fuqishme  drejtuar aktorëve të saj si dhe bashkësisë ndërkombëtare, që të heshtë vringëllima e armëve e të dëgjohet vaji i të vegjëlve dhe i të pambrojturve;  të lihen mënjanë llogaritë dhe interesat, për të mbrojtur jetët e civilëve  dhe ardhmërinë e fëmijëve të pafajshëm, që po i paguajnë pasojat e  saj”.

Kjo, thirrja prekëse e Papës i cili, në vijim, u drejtoi gjithë të pranishmëve ftesën:

“Ta lusim Zotin t’i prekë zemrat e të gjithë të mund ta kapërcejnë logjikën e ndeshjes, të urrejtjes e të hakmarrjes, për të zbuluar se janë vëllezër, bij të të njëjtit Atë,  i cili bën të lindë dielli mbi të mirët e mbi të këqijtë”.

Pas saj, e para se të thoshte lutjen e Engjëllit, Ati i Shenjtë i falënderoi me gjithë zemër të gjithë ipeshkvjitë dhe pjesëmarrësit në takimin  mbi Mesdheun, parë si kufi i paqes, ashtu si edhe ata - e janë shumë, kujtoi -  që punuan në mënyra të ndryshme për suksesin e këtij tubimi kaq domethënës!

23 shkurt 2020, 13:01