Kërko

Shtatë ditë me Françeskun

Ndërsa kjo ditë e Papës Françesku karakterizohet nga vizita e tij në Bari të Italisë, ku janë mbledhur ipeshkvijtë e gjithë Mesdheut, le t’i hedhim një sy veprimtarisë së Atit të Shenjtë javën e kaluar.

R.SH. - Vatikan

Në Engjëllin e Tënzot të së dielës së kaluar, 16 shkurt, Papa komentoi një pjesë të Fjalimit të Jezusit mbi Mal. Reflektoi mbi Urdhërimet e Tënzot, dhënë Moisiut, e i ftoi besimtarët ta jetojnë Ligjin e Hyjit si “mjet lirie”, që udhëheq dëshirat e pasionet, sepse vetëm kështu mund të kapërcehen ndjenjat egoiste. Por Ligji nuk e përjashton dashurinë, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar pikërisht mëshirën e Jezu Krishtit, i cili e di se askush nuk e ka të lehtë ta respektojë plotësisht Ligjin, prandaj na vjen në ndihmë me dashurinë e Tij. Duhet t’i besojmë Krishtit, theksoi Papa. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u bërë të krishterë të vërtetë. Më pas, Françesku shkoi me mendje në Sirinë e martirizuar.

“Le të mendojmë për luftrat, - theksoi Papa - le të mendojmë për pasojat e konlikteve, le të mendojmë për atë vogëlushe, që vdiq nga të ftohtët në Siri, të premten e kaluar. Sa shumë fatkeqësi, sa shumë! Ky është fryti i pasioneve e njerëzit, që bëjnë luftë, nuk dinë t’i mbizotërojnë pasionet. U mungon respekti për Ligjin e Zotit”.

Lum të butët

Do të gjykohemi ashtu si e kemi zemrën, pohoi Papa më pas, më 18 shkurt, në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Vërtet, Zoti nuk mund të hyjë në zemrat e ngurtësuara, të cilave u mjafton vetvetja. Nuk hyn, theksoi Ati i Shenjtë, në zemrat e prishura nga idhujtaria dhe ideologjia, por banon në zemrat e dhembshura dhe të hapura. Prandaj, duhet pasur kujdes ndaj gjithçkaje, që e ndyen zemrën dhe e ngurtëson atë, si, për shembull, zemërimi, vërejti Papa Françesku në audiencën e përgjithshme të 19 shkurtit. Ai shkatërron dhe ndan, në të kundërt me butësinë, e cila rikrijon dhe bashkon. Ja pse të butët do ta trashëgojnë tokën.

Një Pakt Edukativ revolucionar

Më datën 20 shkurt, paradite, Papa priti anëtarët e asamblesë së përgjithshme të Kongregatës për Edukimin Katolik. Kujtoi me ta ditën e Takimit për Paktin Edukativ Global, më 14 maj, dhe e këshilloi dikasterin, i cili po merret me organizimin, që ai Pakt të jetë revolucionar dhe të shohë tek arsimi, mjetin për një aleancë të re, të aftë të kapërcejë kundërshtitë dhe të krijojë një njerëzim vëllazëror.

“Për këtë arsye, - vërejti Ati i Shenjtë – arsimi, me forcën e tij paqtuese, duhet formojë njerëz të aftë për të kuptuar se ndryshimet nuk e pengojnë bashkimin, madje, janë të domosdoshme për pasurimin e identitetit personal dhe atë të të tjerëve”.

Formim e mision

Së fundi, po javën e kaluar, Ati i Shenjtë Bergoglio mori një vendim të rëndësishëm, të cilin e pati përmendur edhe në fjalën përmbyllëse të Sinodit të Amazonës: në kurrikulumin formues të personelit diplomatik të Selisë së Shenjtë, në shërbim nëpër nunciatura, do të përfshihet edhe një vit në tokat e misionit.

Mesha e kardinalit Parolin për Vëllazërinë “Bashkim e Çlirim”

Ndër veprimtaritë e tjera të javës së kaluar, përmendim se dje, në orën 18.00, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi meshën në Bazilikën Papnore të Zojës së Madhe, me rastin e 15-vjetorit të kalimit në amshim të Shërbëtorit të Zotit, don Luigi Giussani. Po dje, kremtohej edhe 38-vjetori i njohjes papnore të Vëllazërisë “Bashkim e Çlirim”, themelues i së cilës është pikërisht don Giussani. Kujtojmë se kjo Vëllazëri kishtare shërben edhe në Shqipëri. E nga Shqipëria vjen edhe një nga ekspozitat itinerante mbi diktaturën komuniste të Enver Hoxhës e mbi persekutimin e klerit në vend, që Vëllazëria “Bashkim e Çlirim” e ka paraqitur në Mitingun e Riminit vite më parë, por që është vazhdimisht në dispozicion të kujtdo dëshiron ta përdorë si mjet për të folur mbi atë periudhë të errët, në mënyrë që të mos përsëritet më.

23 shkurt 2020, 08:20