Kërko

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme 

Shtatë ditë me Françeskun

Nxitja Apostolike “Querida Amazonia” , thirrja për paqen në Sirinë e martirizuar, afërsia me të sëmurët e me të vuajturit e njoftimi i dy vizitave të ardhshme baritore, karakterizuan veprimtarinë e Papës Françesku javën e kaluar.

R.SH. - Vatikan

“Querida Amazonia” (E dashur Amazonë): nuk mund të mos e fillojmë veprimtarinë javore të Papës Françesku me këtë Nxitje apostolike, botuar të mërkurën, më 12 shkurt, me të cilën Ati i Shenjtë deshi të përfundojë zyrtarisht Sinodin e tetorit kushtuar rajonit të gjerë, që konsiderohet mushkëria e planetit. Në këtë Nxitje, Françesku na njeh me katër ëndrrat e tij për këtë “tokë të të gjithëve”, të cilën ia beson Zojës së Bekuar: ëndrra shoqërore, ëndrra kulturore, ëndrra ekologjike dhe ajo kishtare. Duke respektuar popujt autoktonë, kërkon Papa,  të punojmë së bashku për një Kishë me fytyrë amazonike. Për këtë, nënvizon Ati i Shenjtë, nevojitet një hov i ri misionar, i favorizuar nga ipeshkvij “guximtarë”, të cilët të punojnë për thirrjet meshtarake në Amazonë e të çojnë atje misionarë nga e gjithë Amerika Latine, si edhe të mendojnë për shërbesa të reja të laikëve, sidomos të grave, pa i klerikalizuar.

Thirrja për Sirinë e martirizuar

Në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 9 shkurt, Papa kujtoi se të krishterët janë kripa e tokës dhe drita e botës. Më pas u lut dhe bëri thirrje për paqe në Sirinë e dashur dhe të martirizuar.

“Nga veri-perëndimi i Sirisë, - denoncoi Ati i Shenjtë - vazhdojnë të vijnë lajme të dhimbshme, veçanërisht mbi kushtet e shumë grave dhe fëmijëve, të njerëzve, që detyrohen të ikin, për shkak të përshkallëzimit ushtarak. I bëj sërish një thirrje të zjarrtë bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë protagonistëve të gjendjes, të përdorin mjetet diplomatike, dialogun dhe negociatat, në përputhje me Ligjin Humanitar Ndërkombëtar, për të mbrojtur jetën dhe fatin e civilëve”.

Të nesërmen, jo rastësisht, Papa Françesku priti Kalorësit e Kolombos, shoqatë katolike, që impenjohet prej kohësh në favor të bashkësive të krishtera në Lindjen e Mesme. Më 10 shkurt, përfaqësues të shoqatës ndodheshin në Vatikan për 100-vjetorin e themelimit të saj.

Afërsia me të sëmurët e me të vuajturit

Të martën, më 11 shkurt, në Ditën Botërore të të Sëmurit, festa liturgjike e Zojës Lurdë, Papa shkroi një tweet për t’u siguruar afërsinë e tij me lutje “të gjithë njerëzve, që mbajnë barrën e sëmundjes, si edhe familjeve të tyre e punonjësve të shëndetësisë”. Këtë afërsi, Ati i Shenjtë e shprehu edhe në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 12 shkurt:

“Është fjala për ta dashur tjetrin në atë mënyrë sa të lidhemi me të për ta ndarë dhimbjen e tij – tha Papa. - Ka njerëz që qëndrojnë larg, një hap prapa; në vend të kësaj, ka rëndësi t’i lejojmë të tjerët të na e prekin zemrën”.

U shpallën dy vizita për në maj

Gjatë javës, u njoftuan edhe dy vizita baritore. Papa do të shkojë në Acerra pranë Napolit, më 24 maj, në atë, që quhet “Toka e zjarreve” në Campania, për 5-vjetorin e Enciklikës “Laudato Sì”. Udhëtimi i dytë, në Maltë, më 31 maj.

15 shkurt 2020, 15:35