Udienza Generale 2020.01.29 Udienza Generale 2020.01.29 

Shtatë ditë me Françeskun

Ndjekim javën e Papës Françesku, përmes ngjarjeve, në të cilat ka marrë pjesë e përmes veprimtarive, që shënojnë kulme në përshpirtërinë dhe në fjalët e Atit të Shenjtë.
 R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot nё mesditë Lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ndër të cilët, edhe shoqatat pro jetës, ardhur me rastin e kremtimit të Ditës së Kishës Italiane për jetën. 

Të këputen zinxhirët e rëndë” dhe të ndalet “turpi i padurueshëm” i atyre që akoma sot blejnë e shesin qeniet njerëzore. Janë fjalët që Papa përdori këtë të Diele në lutjen e Engjëllit të Tënzot për të kujtuar Ditën e Lutjes e të Reflektimit kundër Tregtisë e Trafikut të Njerëzve, që kremtohet në botë, një fenomen i hidhur, të cilin Papa Françesku e ka denoncuar shpesh herë.

Papa Françesku kërkon lutje për emigrantët dhe viktimat e trafikut

Në videomesazhin, me të cilin u bë i ditur ndjeti i lutjes për muajin shkurt, tё enjten e kaluar, 6 shkurt 2020, Ati i Shenjtë Bergoglio bëri thirrje për ta dëgjuar britmën e migrantëve, shumë prej të cilëve bien viktima të trafikantëve të paskrupull, shpesh, viktima të trafiqeve të ndryshme, ndër të cilat ai i njerëzve. Ati i Shenjtë uron që secili prej nesh të ndalet e ta dëgjojë britmën e dëshpëruar të sa e sa njerëzve, që vuajnë nga ky realitet, i cili duhet luftuar.  Në videomesazhin kushtuar ndjetit të lutjes për muajin shkurt 2020, ndër arsyet e plagës së trafikut kriminal, Papa Françesku sinjalizon “korrupsionin e atyre, që janë gati për gjithçka, veç për t’u pasuruar” dhe përfundon me një thirrje urgjente, marrë nga Nxitja Apostolike “Evangelii Gaudium”: “Më ka shkaktuar gjithnjë dhimbje gjendja e atyre, që janë objekt i formave të ndryshme të trafikut të njerëzve – pohon Ati i Shenjtë. – Do të doja të dëgjohej britma e Zotit, i cili na pyet të gjithëve: ‘Ku është vëllai yt? (Zan 4,99) Ku është vëllai yt skllav?... Ka shumë fajtorë. Pyetja është për të gjithë!”.

Papa: panairet mund të dëshmojnë bukurinë e kulturave

Papa Françesku u takua tё enjten e kaluar, 6 shkurt 2020, në Vatikan me pjesëmarrësit e takimit të Nivelit të lartë të Bashkimit të Panaireve Ndërkombëtare: "Ju mund të jeni me të drejtë krenarë për nismat tuaja,- tha Papa - kur ato krijojnë një ndërgjegjësim më të fortë në shërbim të së mirës së përbashkët dhe të zhvillimit gjithëpërfshirës”. Përmasa globale dhe ajo lokale janë ngushtë të lidhura atëherë kur dëshmohet bukuria e kulturave. E panairet dhe ekspozitat tregtare, tha Ati i Shenjtë "jo vetëm që kanë ndikime pozitive në ekonomitë rajonale dhe tregjet e punës, "por ofrojnë gjithashtu edhe një "mundësi të rëndësishme për t'i treguar botës diversitetin e pasur, bukurinë e kulturave dhe të ekosistemeve lokale”." Në një mënyrë të veçantë, "ekspozitat ndërkombëtare – Papa shpjegoi-kontribuojnë në rritjen e kulturës së takimit".

Ekonomia territoriale dhe ekologjia njerëzore

Përfshirja, kujdesi për shtëpinë e përbashkët dhe zhvillimin e mirëfilltë  të individëve e të popujve, nuk janë shqetësime etike sekondare , por janë thelbësore – nënvizoi Papa Bergoglio – "për të ndërtuar një ekonomi, në të cilën përfitimet financiare nuk përfaqësojnë të vetmin synim për të matur suksesin".  Sa më i madh është bashkëpunimi në nivelin lokal e atё ndërkombëtar, aq më të mëdha janë shanset për sukses, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë njerëzor. Panairet që mbështesin ekonominë e një territori, që përfshijnë forcën  punëtore lokale, që vlerësojnë kulturën vendore dhe respektojnë në mënyrë të ndërgjegjshme ekologjinë njerëzore e mjedisore, në fund do të jenë më të suksesshme, më të vlerësuara dhe më të njohura. E kështu do të kenë një ndikim pozitiv dhe një forcë mё  tërheqëse si lokale, ashtu edhe globale.

Papa Françesku takohet me ekonomistët në Vatikan: pakt global kundër pabarazive

Papa Françesku, të mërkurën e kaluar, takoi pjesëmarrësit seminarit të organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, në Vatikan, ekonomistë, ministra financash, bankierë, me synimin për të dhënë propozime mbi shpërndarjen më të mirë të pasurive botërore dhe vuri në se 50 veta në botë kanë një pasuri të tillë, që mund të financojë asistencën mjekësore dhe arsimimin e çdo fëmije të varfër të globit.

Këta 50 njerëz, të vetëm,  - nënvizoi Papa - mund të shpëtojnë miliona jetë, çdo vit. Prandaj, duken rishikuar dhe përmirësuar rregullat, strukturat, marrëdhëniet ekonomike, që shkakton pabarazi në botë, dhe duhet bërë shpërndarjen më të drejtë të pasurive globale. Një botë e pasur dhe një ekonomi e gjallë – theksoi Papa Françesku - mund dhe duhet t’i japin fund varfërisë. Mund të lindin e të promovohen dinamika të afta për të përfshirë, ushqyer, kujdesur dhe veshur të fundmit e shoqërisë, në vend që të përjashtohen ata.

Duhet të zgjedhim çfarë dhe kujt t’i jepet përparësi: nëse duhet të favorizojmë mekanizma shoqëroro-ekonomike humanizuese për tërë shoqërinë ose, përkundrazi, të nxisim një sistem, që, në fund të fundit, i justifikon disa praktika, të cilat s’bëjnë tjetër, veçse rrisin nivelin e padrejtësisë dhe të dhunës shoqërore. Niveli i pasurisë dhe i teknikës së arritur nga njerëzimi, si edhe rëndësia e vlera që kanë fituar të drejtat e njeriut, nuk lejojnë më justifikime. Duhet të jemi të vetëdijshëm se të gjithë kemi përgjegjësi”. Vërtet, sipas OKB-së, 1% e popullsisë së 18 vendeve, ndër të cilat SHBA-të, Rusia, India dhe Brazili, zotëron më se 20% të pasurisë botërore.

Papa Françesku: të jemi të varfër në shpirt, për të qenë të lirë

Katekizmin e audiencës së përgjithshme, të mërkurën e kaluar, 5 shkurt, në Sallën Pali VI në Vatikan, Ati i Shenjtë Françesku ia kushtoi Lumnive ungjillore sipas Mateut, dhe u ndal tek lumnia e parë: ‘Lum të varfërit në shpirt’, që sipas Papës janë ata, që ndihen “lypsarë deri në thellësinë e zemrës”. Vetëm duke i pranuar kufizimet personale, njeriu mund të dojë lirisht e të japë jetën për të tjerët.

Sikur shën Mateu ungjilltar do të përdorte vetëm këtë fjalë ‘Lum të varfërit në shpirt’, kuptimi i saj do të ishte thjesht ekonomik, pra, do të tregonte për njerëzit që kanë pak, ose aspak mjete jetese dhe kanë nevojë për ndihmën e të tjerëve. Por, në ndryshim nga Ungjilli sipas Lukës, shën Mateu  - nënvizoi Ati i Shenjtë nё katekizmin e audiencës së përgjithshme tё mёrkurёn e kaluar - flet për “të varfërit në shpirt”. E “shpirti, sipas Biblës, është fryma e jetës që Zoti i komunikoi Adamit; është përmasa jonë më intime, - le të themi përmasa shpirtërore… më e brendshmja – ajo, që na bën njerëzorë, bërthama më e thellë e qenies sonë. Atëherë, ‘të varfërit në shpirt’ janë dhe ndihen të varfër, lypës, deri në thellësinë e qenies. Jezusi i shpall të Lum, sepse atyre u përket Mbretëria e Qiellit”.

Ungjilli, tha Papa flet qartë e pohon se: “Mbretëria e Zotit u përket të varfërve në shpirt. Ka nga ata që zotërojnë mbretëritë e kësaj bote: kanë pasuri dhe rehati. Por, këtyre mbretërive u vjen fundi. Pasuria materiale mbetet këtu, në këtë jetë. Sipas mësimit të Ungjillit, mbretëron vërtet ai, që di ta dojë të mirën e vërtetë, më shumë së vetveten. Ky është pushteti i Zotit”. Ka një varfëri, përfundoi Papa, “të cilën duhet ta pranojmë - atë të qenies sonë - dhe një varfëri, të cilën duhet ta kërkojmë, varfërinë konkrete, larg gjërave të kësaj bote, për të qenë të lirë e për të dashur me gjithë shpirt”.

 

09 shkurt 2020, 19:12