Kërko

1580286747478.JPG

Shtatë ditë me Françeskun

Ndjekim javën e Papës Françesku, përmes ngjarjeve, në të cilat ka marrë pjesë e përmes veprimtarive, që shënojnë kulme në përshpirtërinë e në fjalët e Atit të Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku tha sot lutjen e Engjëllit të Tënzot, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Paraqitjes së Zotit në Tempull. Sivjet, pikërisht në këtë të diel, kremtohet edhe Dita e 24-t Botërore e Jetës së Shuguruar, për të cilën Ati i Shenjtë Bergoglio e kremtoi Meshën dje pasdite, 1 shkurt, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në praninë e rregulltarëve dhe të murgeshave nga gjithë llojet e Kongregatave e të Instituteve.

 “Ju jeni burra dhe gra të thjeshta që keni parë një thesar, i cili vlen më shumë se të gjitha pasuritë e botës – u tha Papa gjatë homelisë së meshës. - Për të keni lënë gjëra të çmuara, si pasuria, si mundësia për të krijuar familje. Pse e bëtë këtë? Sepse u dashuruat me Jezusin, patë gjithçka në Të dhe, të mahnitur nga vështrimi i Tij, latë gjithçka tjetër. Jeta rregulltare është ky vizion. Do të thotë të shohësh ç’ka vërtet rëndësi në jetë… Ja çfarë shohin sytë e të shuguruarve: hirin e Zotit reshur mbi duart e tyre. Rregulltar është ai, që çdo ditë sheh veten dhe thotë: ‘Gjithçka është dhuratë, gjithçka është hir’. Të dashur vëllezër dhe motra, ne nuk e merituam jetën rregulltare, është dhuratë dashurie, që kemi marrë”.

E Diela e Fjalës së Zotit dhe dhurata e Biblës

 Konceptin e afërsisë e të dashurisë së Zotit, Papa Françesku e theksoi edhe të dielën e kaluar, më 26 janar, e Diela e parë e Fjalës së Zotit. Në meshën e kremtuar gjithnjë në Bazilikën e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë shpjegoi se Fjala e Zotit “ngushëllon e inkurajon”, na nxit të ndryshojmë, “ na shkund, na liron nga paraliza e egoizmit”, ka forcën të na kalojë “nga errësira në dritë”, sepse na flet për jetën.

“Le të fillojmë me Ungjillin: le ta mbajmë të hapur në komodinën pranë shtratit në shtëpi, ta mbajmë në xhep ose në çantë, ta shikojmë në celular, ta lemë të na frymëzojë çdo ditë. Do të zbulojmë se Zoti është afër nesh, na e ndriçon errësirën dhe e drejton me dashuri jetën tonë”.

Në përfundim të meshës, Papa Françesku u dhuroi pjesmarrësve një Bibël të vogël, ndërsa në Engjëllin e Tënzot, u lut që njerëzimi të mësojë nga pasojat e holokaustit nazist kundër hebrenjve. Të nesërmen, më 27 janar, u kremtua Dita e Kujtesës, në 75-vjetorin e çlirimit të kampit të shfarosjes Aushvic-Birkenau.

Shën Martë: Kishës i duhen ungjillëzues plot gëzim

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, më 28 janar, Papa foli mbi festën e popullit të Izraelit për kthimin e Arkës së Besëlidhjes në Jeruzalem. Kisha, tha ai, ecën përpara vetëm me ungjillëzues të gëzueshëm, plot jetë.

“Gëzimi se po dëgjojmë Fjalën e Zotit, gëzimi se jemi të krishterë, gëzimi se po ecim përpara, aftësia për të festuar pa pasur turp e pa qenë… të krishterë formalë, të krishterë pengje të formaliteteve”.

Audienca e përgjithshme: katekizmi i ri mbi Lumnitë

Në audiencën e përgjithshme, të mërkurën 29 janar, Papa përuroi një cikël të ri katekizmi, kushtuar Lumnive. Ai reflektoi mbi Predikimin e Jezusit në Mal, duke e quajtur mesazh për gjithë njerëzimin.

“Jezusi fillon t’u mësojë njerëzve një ligj të ri: të jenë të varfër, të jenë të butë, të jenë të mëshirshëm ... Këto ‘urdhërime të reja’ janë shumë më tepër se normat. Në fakt, Jezusi nuk imponon asgjë, por zbulon rrugën drejt lumturisë - udhën e Tij - duke përsëritur fjalën ‘lum ata’ tetë herë”.

Nëse gjykoj me mëshirë, ashtu edhe do të gjykohem

Në homelinë e meshës kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, më 30 janar, ditën e enjte, Papa Françesku foli për gjykimin e të krishterëve. Nëse gjykojmë “me masën e të krishterit”, pra, me mëshirë, nënvizoi Ati i Shenjtë, ashtu edhe do të gjykohemi. Por “nëse masa ime është e kësaj bote”, e atyre që “shkelin mbi të gjithë e mbi gjithçka” për të ecur përpara në jetë, do të gjykohemi “pa mëshirë”.

Shoqëri e qytetëruar, me antikorpe kundër kulturës së hedhurinave

Ndërkaq, në takimin me pjesëmarrësit e Asamblesë së përgjithshme të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kushtuar kujdesit për njerëzit në fazat kritike dhe të fundme të jetës, Papa kujtoi se “një shoqëri meriton të quhet e qytetëruar”, nëse zhvillon antikorpe kundër kulturës së hedhurinave dhe e njeh vlerën e paprekshme të jetës njerëzore.

02 shkurt 2020, 09:06