Kërko

2020.02.10-Querida-Amazonia---Puerto-Maldonado.jpg

“Querida Amazonia”, Nxitja e Papës për një Kishë me fytyrë amazonike

Publikohet Nxitja apostolike pas-sinodale për Amazonën. Dokumenti përvijon shtigje të reja ungjillëzimi dhe kujdesi për ambientin e për të varfërit. Papa Françesku shpreson në një hov të ri misionar dhe në rolin e përtërirë të laikëve në bashkësitë kishtare.

R.SH. - Vatikan

“Amazona e dashur duket para botës me gjithë shkëlqimin, dramën e misterin e saj”. Kështu fillon Nxitja apostolike pas-sinodale “Querida Amazonia”. Në pikat e para (2-4), Papa Françesku shpjegon “kuptimin e kësaj Nxitjeje”, të pasur me citime nga dokumentet e Konferencave Ipeshkvnore të vendeve të Amazonës, por edhe me poezi të autorëve, që lidhen me atë pjesë të botës, që konsiderohet mushkëria e globit. Thekson se dëshiron të “shprehë rezonancat”, që ka ngjallur Sinodi në shpirtin e tij. Ati i Shenjtë saktëson që nuk ka ndërmend ta zëvendësojë, ose ta përsërisë dokumentin përfundimtar, të cilin fton të lexohet “plotësisht”, duke ururar që e gjithë Kisha të “pasurohet prej tij dhe të ngrejë pyetje”, si edhe që Kisha në Amazonë të impenjohet në “zbatimin e tij”. Françesku ndan me besimtarët “ëndrrat e tij për Amazonën” (5-7), fati i së cilës duhet t’i shqetësojë të gjithë, sepse kjo tokë është edhe “jona”. Paraqet kështu, “katër ëndrra të mëdha”: që Amazona “të luftojë për të drejtat e më të varfërve”, “që të mbrojë pasurinë e saj kulturore”, që “të ruajë me xhelozi bukurinë e saj të parezistueshme natyrore” e, së fundi, që bashkësitë e saj të krishtera të jenë “në gjendje të impenjohen dhe të mishërohen në Amazonë”.

Ëndrra shoqërore: Kisha të jetë përkrah të shtypurve

 Kapitulli i parë i “Querida Amazonia” përqendrohet në “ëndrrën shoqërore” të Papës Françesku (8). Aty nënvizohet se “qasja e vërtetë ekologjike” është edhe “qasje shoqërore” e, pavarësisht se vlerësohet “jeta e mirë” e vendasve, flitet kundër “konservatorizmit”, që shqetësohet vetëm për ambientin. Me tone të gjalla, denoncohet “padrejtësia dhe krimi” (9-14). Papa kujton se edhe Benedikti XVI pati denoncuar “shkatërrimin e ambientit në Amazonë”. Popujt indigjenë, nënvizon Ati i Shenjtë, janë të detyruar t’u nënshtrohen si pushteteve të brendshme vendore, ashtu edhe atyre të jashtme. Për Papën, operacionet ekonomike, që nxisin shkatërrimet, vrasjet, korrupsionin, meritojnë emrin e “padrejtësisë dhe të krimit”. E, duke përmendur Gjon Palin II, rithekson se globalizimi nuk duhet të kthehet në kolonializim të ri.

Për të ardhmen e Amazonës, të dëgjohen edhe të varfërit

Para kaq shumë padrejtësish, Ati i Shenjtë kërkon “të indinjohemi e të kërkojmë falje” (15-19). Për Françeskun, nevojiten “rrjete solidariteti dhe zhvillimi”, angazhimi i të gjithëve, edhe i krerëve politikë. Pastaj, Papa ndalet në temën e “ndjenjës së bashkësisë” (20-22). Ai kujton se për popujt e Amazonës marrëdhëniet njerëzore “janë mbrujtur me natyrën përreth”. Prandaj, shkruan Ati i Shenjtë, ata e përjetojnë si “çrrënjosje” të vërtetë, detyrimin “për të emigruar në qytet”. Pjesa e fundit e kapitullit të parë u kushtohet “institucioneve të degraduara” (23-25) dhe “dialogut shoqëror” (26-27). Papa denoncon korrupsionin, që e helmon shtetin dhe institucionet e tij. E shpreson që Amazona të bëhet “vend për dialogun shoqëror”, para së gjithash “me të fundmit”. Zëri i të varfërve, kërkon Françesku, të jetë “zëri më i fuqishëm” në Amazonë.

Ëndrra kulturore: të kujdesemi për poliedrin amazonik

Kapitulli i dytë i kushtohet “ëndrrës kulturore” të Papës. Françesku sqaron menjëherë se “promovimi i Amazonës” nuk do të thotë “kolonizim kulturor i saj” (28). Përdor një imazh të dashur për të: “poliedrin apo shumëfaqëshin amazonik” (29-32). Duhet luftuar “kolonizimi postmodern”, kërkon Ati i Shenjtë. Për Françeskun është urgjente që “të ruhen rrënjët” (33-35). Duke cituar Enciklikën “Laudato si’” dhe Nxitjen apostolike “Christus vivit”, Papa nënvizon se “këndvështrimi konsumist mbi njeriun” priret t’i “bëjë kulturat homogjene” dhe kjo ndikon sidomos tek të rinjtë. Atyre, Papa u kërkon të “marrin përgjegjësinë për rrënjët” dhe ta shërojnë “kujtesën e plagosur”.

Indigjenët nuk duhet të mbyllen në vetveteve

Nxitja ndalet më pas në “takimin ndërkulturor” (36-38). Edhe “kulturat, në dukje, më të zhvilluara”, vëren Papa, mund të mësojnë nga popujt, të cilët kanë “një thesar kulturor, që lidhet me natyrën”. Prandaj, ndryshimet të mos jenë “kufij”, por “ura”, nënvizon Ati i Shenjtë, duke u shprehur për një botë indigjene, e cila nuk duhet të mbyllet krejtësisht në vetvete. Pjesa e fundit e kapitullit II i kushtohet temës së “kulturave të kërcënuara e popujve në rrezik” (39-40). Në çdo projekt për Amazonën, këshillon Françesku, “është e nevojshme të merret parasysh perspektiva e të drejtave të popujve”. Këto, shton Papa, “vështirë të ruhen pa u cënuar”, nëse ambienti ku janë lindur dhe zhvilluar “përkeqësohet”.

Ëndrra ekologjike: ta bashkojmë kujdesin për ambientin me kujdesin për njerëzit

Kapitulli i tretë, “Një ëndërr ekologjike”, është ai, që lidhet më drejtpërdrejt me Enciklikën “Laudato si’”. Në hyrje (41-42) theksohet se në Amazonë, marrëdhëniet ndërmjet njeriut e natyrës janë shumë të ngushta. “Ekologjia e parë për të cilën kemi nevojë”, shkruan Papa, është të kujdesemi për vëllezërit tanë, ashtu siç kujdeset Zoti për ne. Kujdesi për ambientin dhe kujdesi për të varfërit janë “të pandashëm”. Më pas, Françesku e përqendron vëmendjen në “ëndrrën e brumosur me ujë”, siç e quan (43-46). Fjala është për lumin Rio të Amazonës, për forcën dhe bukurinë e të cilit, Ati i Shenjtë citon vargjet e Pablo Nerudës dhe të poetëve të tjerë vendas. Me poemat e tyre, shkruan Papa, “ata na ndihmojnë të çlirohemi nga paradigma teknokratike dhe konsumiste, që e mbyt natyrën”.

Të dëgjohet britma e Amazonës, zhvillimi të jetë i qëndrueshëm

 Për Papën, duhet dëgjuar urgjentisht “britma e Amazonës” (47-52). Kujton që ekuilibri planetar varet nga shëndeti i globit. Në Amazonë, shkruan Françesku, ka interesa të fuqishme, jo vetëm lokale, por edhe ndërkombëtare. Prandaj, zgjidhja nuk është “ndërkombëtarizimi” i Amazonës; në vend të kësaj, duhet të rritet ndjenja e “përgjegjësisë së qeverive kombëtare”. Zhvillimi i qëndrueshëm, vazhdon ai, kërkon që banorët të informohen gjithmonë për projektet, që kanë të bëjnë me ta. Papa uron të krijohet një sistem normativ me “kufij të paprekshëm”, sistem, që të rrjedhë nga aftësia e nga “profecia e soditjes” së asaj mrekullie të Zotit, që është Amazona (53-57). Duke dëgjuar popujt indigjenë, thekson Ati i Shenjtë, mund ta duam Amazonën “e jo vetëm ta përdorim atë”; mund të gjejmë në të “një vend teologjik, një hapësirë ​​ku Zoti duket e thërret bijtë e vet”. Pjesa e fundit e Kapitullit III përqendrohet në “edukimin dhe në zakonet ekologjike” (58-60). Papa thekson se ekologjia nuk është çështje teknike, por përfshin gjithnjë edhe “një aspekt edukativ”.

Ëndrra kishtare: një Kishë me fytyrë amazonike

Kapitulli i fundit, më i gjati, u kushtohet barinjve të Kishës dhe besimtarëve katolikë e përbën “ëndrrën kishtare” të Papës. Françesku fton për “një Kishë me fytyrë amazonike”, e cila mund të arrihet vetëm përmes një “kumti të madh misionar” (61), “kumt i domosdoshëm në Amazonë” (62-65). Për Atin e Shenjtë, nuk mjafton vetëm “mesazhi shoqëror”. Këta popuj kanë “të drejtë t’u shpallet Ungjilli”, përndryshe “çdo strukturë kishtare do të kthehet” në organizatë jo qeveritare. Më pas, një pjesë e konsiderueshme e kapitullit i kushtohet inkulturimit. Duke marrë në dorë kushtetutën konciliare “Gaudium et spes”, Papa flet për “inkulturimin” (66-69) si proces që nxjerr në pah plotësisht gjithçka të mirë nga kulturat amazonike, në dritën e Ungjillit.

Inkulturim i përtërirë i Ungjillit në Amazonë

Pastaj, Ati i Shenjtë e hedh vështrimin më thellë, duke përvijuar “udhët e inkulturimit në Amazonë”. (70-74). Vlerat e pranishme në bashkësitë indigjene, shkruan ai, duhet të merren “parasysh në ungjillëzim”. E, në dy paragrafë të tjerë, Françesku përqendrohet në “inkulturimin shoqëror dhe shpirtëror” (75-76). Papa thekson se, duke pasur parasysh varfërinë e shumë banorëve të Amazonës, inkulturimi duhet të ketë “karakter të fuqishëm shoqëror”. Por, njëkohësisht, përmasa shoqërore duhet integruar me atë “shpirtërore”.

Të gjithë, sidomos të varfërit, të kenë mundësi për të marrë Sakramentet

Nxitja apostolike vë në dukje “pikënisjen për një shenjtëri amazonike” (77-80), e cila nuk duhet të kopjojë “modele nga vende të tjera”. Papa thekson se “është e mundur të përdorësh në një farë mënyre një simbol autokton, pa e cilësuar domosdoshmërisht si idhujtar”. Mund të vlerësohet një mit “i ngarkuar me kuptim shpirtëror”, shton ai, pa e konsideruar domosdoshmërisht si “gabim pagan”. Kjo vlen edhe për disa festa fetare, të cilat, megjithëse kanë nevojë për një “proces purifikimi”, “kanë në vetvete një kuptim të shenjtë”.

Pjesë tjetër e rëndësishme e “Querida Amazonia” është ajo, që flet për inkulturimin e liturgjisë (81-84). Papa vëren se edhe Koncili II i Vatikanit pati kërkuar përpjekje për “inkulturimin e liturgjisë së popujve indigjenë”. Në një shënim për tekstin, ai kujton se në Sinod “u bë propozimi për të përcaktuar një rit amazonik”. Të gjithë, kërkon Ati i Shenjtë, duhet të kenë mundësinë të marrin Sakramentet, sidomos të varfërit. Kisha, nënvizon, duke kujtuar Nxitjen apostolike “Amoris laetitia”, nuk mund të shndërrohet në “doganë”.

Ipeshkvijtë amerikanolatinë të dërgojnë misionarë në Amazonë

 E lidhur me këtë është edhe tema e “inkulturimit të shërbimit meshtarak” (85-90), për të cilin Kisha duhet të japë një përgjigje “të guximshme”. Për Papën, duhet të garantohet “kremtimi më i shpeshtë i Eukaristisë”. Për këtë, thekson Françesku, është e rëndësishme “të përcaktohet ç’është më specifike për meshtarin”. Përgjigja, lexohet në tekst, gjendet në Sakramentin e Urdhrit të Shenjtë, i cili i jep mundësinë vetëm meshtarit të kryesojë Eukaristinë. Atëherë, si “të sigurohet shërbimi meshtarak” në zona të largëta? Françesku u bën thirrje të gjithë ipeshkvijve, veçanërisht atyre të Amerikës Latine, “të jenë më bujarë”, duke i orientuar ata, që “dëshmojnë se kanë thirrje misionare”, të zgjedhin Amazonën. Ati i Shenjtë i fton ta rishikojnë formimin e priftërinjve.

Të favorizohet protagonizmi i laikëve në bashkësi

Pas sakramenteve, Nxitja apostolike “Querida Amazonia” përqendrohet në ato “bashkësi plot jetë” (91-98), në të cilat laikët duhet të kenë “përgjegjësi të rëndësishme”. Për Papën, nuk është fjala “vetëm të favorizohet prania më e madhe e njerëzve të shuguruar”. Ky është objektiv “i kufizuar”, nëse nuk përtërihet një “jetë e re në bashkësi”. Prandaj, nevojiten “shërbime të reja laike”. Vetëm përmes “protagonizmit të frytshëm të laikëve”, nënvizon Papa, Kisha mund t’u përgjigjet “sfidave të Amazonës”. Ati i Shenjtë u jep edhe rregulltarëve një vend të veçantë, ndërsa rikujton rolin e bashkësive bazë, që mbrojtën të drejtat shoqërore, duke inkurajuar, në veçanti, veprimtarinë e REPAM-it (Rrjeti Kishtar Panamazonik) dhe të “grupeve misionare endacake”.

Hapësirë e re për gratë, por pa klerikalizma

Papa i kushton një pjesë të veçantë të Nxitjes apotolike, forcës dhe dhuratës së grave (99-103). Pranon se në Amazonë, disa bashkësi kanë mbijetuar vetëm “falë pranisë së grave të forta dhe bujare”. Por, paralajmëron se “Kisha nuk duhet të reduktohet në struktura funksionale”. Nëse do të ndodhte kështu, grave do t’u jepej ndonjë rol vetëm nëse do të hynin në Urdhrin e Shenjtë. Për Papën, duhet refuzuar klerikalizimi i grave, duke pranuar kontributin e natyrës së tyre femërore, që e shtrin në kohë “forcën dhe butësinë e Marisë”. Ati i Shenjtë inkurajon lindjen e shërbimeve të reja femërore, të cilat – që nga çasti kur ipeshkvijtë t’i njohin publikisht – duhet të ndikojnë në vendimet për bashkësitë e ndryshme.

Të krishterët të luftojnë së bashku për mbrojtjen e të varfërve të Amazonës

 Sipas Papës, duhet t’i “zgjerojmë horizontet përtej konflikteve” (104-105) dhe ta pranojmë sfidën e Amazonës për të “kapërcyer perspektivat e kufizuara”, që “mbeten të mbyllura në aspektet e pjesshme”. Kapitulli IV përfundon me temën e “bashkëjetesës ekumenike dhe ndërfetare” (106-110). Papa i fton besimtarët të “gjejnë hapësira për të dialoguar dhe të veprojnë për të mirën e përbashkët”. “Si të mos luftojmë së bashku? - pyet Françesku. - Si të mos lutemi së bashku e si të mos punojmë krah për krah për të mbrojtur të varfërit e Amazonës?”

T’ia besojmë Zojës Amazonën dhe popujt e saj

Françesku e përfundon Nxitjen apostolike pas-sinodale “Querida Amazonia” me një lutje për Zojën, Nënë e Amazonës (111). “Nënë, shikoji të varfërit e Amazonës - thotë Papa në një pjesë nga lutja - sepse shtëpia e tyre shkatërrohet për interesa të vogla e meskine... preki të fuqishmit në ndjeshmërinë e tyre, sepse, edhe nëse e kuptojmë se tashmë është vonë, ti na bën thirrje ta shpëtojmë gjithçka që ende jeton”.

12 shkurt 2020, 12:01