Kërko

Vatican News

Papa: zemra e vëllait fitohet me butësi

“Lum të butët, sepse do të trashëgojnë tokën”. Është e treta nga tetë Lumnitë e Ungjillit të Mateut. E për butësinë foli sot Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, duke shpjeguar se nuk ka tokë më të bukur për t’u trashëguar, sesa zemra e vëllait, paqja e rigjetur me të.

R. SH. - Vatikan

Vijoi cikli kushtuar Lumnive, në audiencën e sotme të përgjithshme, në Sallën Pali VI. Papa Françesku foli për butësinë. Shpjegoi se fjala “i butë”  ka një mori sinonimesh. Do të thotë edhe i ëmbël, zemërbutë, i sjellshëm, i njerëzishëm, njeri që nuk e di ç’është dhuna. Butësia duket qartë sidomos në çastet e konfliktit, sepse gjithkush mund të duket i butë kur mbretëron qetësia e patrazuar. Shembull për këtë është sjellja e butë e Jezusit edhe  gjatë Mundimeve. Por fjala “i butë” - vijoi Françesku - në Shkrimin Shenjt  tregon edhe atë, që nuk ka prona tokësore. Ndërsa Lumnia e tretë thotë se pikërisht “të butët do ta trashëgojnë tokën”:

“Mos e prish gjakun për njerëzit e mbrapshtë/ Ata që bëjnë keq ti mos i ki lakmi/ Të mbrapshtët krejt do të dalin fare/ e kush shpreson në Zotin/ do të shtjerë në dorë mbarë botën!”(Nga Pslami 37)

Ungjilli i sotëm na çon tek Psalmi 37, që u lexua para fjalëve të Papës, ku  vihen në lidhje butësia me zotërimin e tokës. Por -  pohoi Papa - zotërimi i  tokës nga njerëzit e butë nuk është pushtim, është trashëgim:

“Kjo tokë është premtim, dhuratë për Popullin e Zotit, e bëhet shenjë e diçkaje shumë më të madhe se një copë truall. Eshtë ‘tokë’ - por edhe qiell, domethënë toka drejt së cilës ecim; qielli i ri e toka e re, drejt së cilës shkojmë”.

I buti i mbron dhuratat e Zotit

I buti - vijoi Françesku - nuk është burracak, që kërkon të rrijë larg problemeve:

“I buti nuk është vullnetsëmurë, por dishepull i Krishtit, që ka mësuar ta mbrojë fort tokën tjetër! Ai e mbron paqen e tij, i mbron  lidhjet e tija me Zotin, i mbron dhuratat e tij, dhuratat e Zotit, duke pasur shumë kujdes për mëshirën, vëllazërimin, besimin, shpresën. Sepse njerëzit e butë janë edhe të mëshirshëm, vëllazërorë, besimplotë, njerëz plot me shpresë”.

Inati rrënon, butësia shpëton e ndërton

Papa  Françesku foli, pastaj, edhe për mëkatin e inatit, që e kemi provuar nga pak të gjithë e i ftoi besimtarët ta pyesin veten sa gjëra kanë shkatërruar a kanë humbur në çastet e shpërthimit të inatit:

“Një çast zemërimi mund të shkatërrojë shumë gjëra; humbet kontrolli e nuk vlerësohet çka është vërtetë e rëndësishme. E kështu mund të humbasësh në një çast të vetëm lidhjet me vëllain, nganjëherë edhe në mënyrë të pandreqshme. Për shkak të inatit shumë vëllezër nuk i flasin më njëri-tjetrit. E kjo është e kundërta e butësisë. Butësia bashkon! Inati ndan. Butësia fiton shumë gjëra. Është e aftë të fitojë zemrat, të shpëtojë miqësitë e shumë e shumë gjëra të tjera, sepse njerëzit inatosen, por pastaj edhe qetësohen, rimendojnë e pendohen. Është vepër e butësisë, kjo. Butësia mund të rindërtojë”.

Atëhere “toka” për t’u shtënë në dorë me butësi është shëlbimi i vëllait - tha akoma Papa  e, në përfundim  theksoi:

“Nuk ka tokë më të bukur se zemra  tjetrit; truall më të këndshëm, se paqja e rivendosur me vëllain”.

Pishtari i Shën Benediktit do të arrijë në Budapest, në emër të paqes

Ndërmjet përshëndetjeve të Papës për besimtarët e gjuhës italiane, në përfundim të katekizmit, ishte ai drejtuar delegacionit të Pishtarit benediktin, udhëhequr nga kryeipeshkvi i Spoleto-Norcias, imzot Renato Boccardo si dhe nga abati i Montecasinos, dom Donatio Ogliari. Pishtari, i bekuar nga Papa Françesku, do të nisë shtegtimin të shtunën e ardhshme, në orën 15.30, nga Norcia - drejt Hungarisë.

19 shkurt 2020, 13:08