Kërko

Piazza del Campidoglio, Roma Piazza del Campidoglio, Roma 

Papa: Roma është pasuri për njerëzimin e duhet të jetë më vëllazërore

Filluan sot, me një ceremoni në Teatrin e Operës, kremtimet për 150-vjetorin e Romës Kryeqytet. Papa Françesku, në mesazhin e tij si ipeshkëv i Romës, e fton qytetin të jetë vëllazëror, gjithëpërfshirës, i hapur për botën.

R.SH. - Vatikan

“Vetëm nëse bëhet gjithnjë e më shumë qytet vëllazëror”, Roma do të mund të jetë universale, vërtet “Caput Mundi” e, do të nxisë bashkimin dhe paqen në botë. Në Mesazhin për hapjen e kremtimeve të 150-vjetorit të Romës si kryeqytet, Papa Françesku kujton se ajo është “qytet takimi” në skenën ndërkombëtare plot konflikte. Tekstin e lexoi sot pasdite, në Teatrin e Operas, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në praninë e presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Miqësia ndërmjet bashkësisë katolike e asaj hebraike

         Ati i Shenjtë kujton tri çaste të rëndësishme të jetës së Romës si kryeqytet, e cila u bë e tillë pasi Shteti papnor iu bashkangjit Mbretërisë së Italisë. Me dekret të 3 shkurtit 1871, kryeqyteti u zhvendos nga Firence në Romë, duke shënuar fundin e pushtetit kohor të papëve – çast historik providencial për Kishën, siç e konsideronte kardinali Montini, Papa i ardhshëm Pali VI, në prag të Koncilit II të Vatikanit. Në Mesazhin e tij të sotëm, Papa Françesku nënvizon se që atëherë, Kisha ka ndarë gëzimet e hidhërimet me popullin kryeqytetas. Përmend 9 muajt e pushtimit nazist të qytetit e kontributin e meshtarëve e të rregulltarëve në fshehjen e hebrenjve. Ranë kështu barriera të lashta e u shkurtuan distanca të dhimbshme ndërmjet bashkësisë katolike e asaj hebraike, duke u dhënë të dyjave leksionin e vëllazërimit.

Vitet e Koncilit II të Vatikanit

         Çasti tjetër historik, që kujton Papa Françesku, është ai i Koncilit II të Vatikanit, nga viti 1962 deri në vitin 1965. “Roma – shkruan Ati i Shenjtë – shkëlqeu si hapësirë universale, katolike, ekumenike. U bë qytet universal dialogu ekumenik e ndërfetar, qytet i paqes”.

Kuvendi mbi “të këqiat e Romës”

         E së treti, Papa shkon në vitin 1974, kur pikërisht në shkurt, me nismën e kardinalit të atëhershëm vikar, Ugo Poletti, u mbajt një kuvend mbi “të këqiat e Romës”, gjatë të cilit Kisha dëgjoi problemet e të varfërve e të periferive. Edhe sot, nënvizon Papa në Mesazh, “qyteti duhet të jetë shtëpia e të gjithëve”, sepse “periferitë e sotme karakterizohen nga tepër mjerim, banohen nga vetmia e madhe dhe janë të varfëra me rrjete shoqërore”. Ati i Shenjtë bën thirrje për integrimin e emigrantëve dhe të refugjatëve, që e shohin Romën si shpëtimin e tyre, nganjëherë, edhe më shumë nga sa e konsiderojnë vetë banorët e saj. “Roma – flet Papa me krenari – është pasuri e madhe për njerëzimin! Roma është qytet me bukuri unike”.

Roma, qytet vëllazëror

         Duke cituar vargjet e një poeti polak, shumë të dashur për shën Gjon Palin II, që shkruante: “Kur thua Romë, ajo të përgjigjet ‘i dashur’”, Papa Françesku thekson: “Kemi nevojë të mblidhemi rreth vizionit të një qyteti vëllazëror e universal, që t’u propozohet si ëndërr brezave të rinj. Ky vizion është i shkruar në kromozomet e Romës”. “Roma – përfundon Ati i Shenjtë – do të ketë të ardhme, nëse do të ndajmë me njëri-tjetrin vizionin e qytetit vëllazëror, gjithëpërfshirës e të hapur për botën”.

03 shkurt 2020, 18:47