Kërko

Vatican News
Organizzatori di Fiere Mondiali 2020.02.06 Organizzatori di Fiere Mondiali 2020.02.06   (Vatican Media)

Papa: panairet mund të dëshmojnë bukurinë e kulturave

Papa Françesku u takua në Vatikan me pjesëmarrësit e takimit të Nivelit të lartë të Bashkimit të Panaireve Ndërkombëtare: "Ju mund të jeni me të drejtë krenarë për nismat tuaja,- tha Papa - kur ato krijojnë një ndërgjegjësim më të fortë në shërbim të së mirës së përbashkët dhe të zhvillimit gjithëpërfshirës”.

R.SH. - Vatikan

Përmasa globale dhe ajo lokale janë ngushtë të lidhura atëherë kur dëshmohet bukuria e kulturave. Sillet rreth kësaj ndërlidhjeje të ngushtë e të mundshme, që reflektohet në nivelin global dhe atë vendor a lokal, fjalimi që Papa Françesku ia drejtoi pjesëmarrësve të takimit të nivelit të lartë të Bashkimit të Panaireve Ndërkombëtare.

Panairet dhe ekspozitat tregtare, tha Ati i Shenjtë " jo vetëm që kanë ndikime pozitive në ekonomitë rajonale dhe tregjet e punës, "por gjithashtu ofrojnë edhe një "mundësi të rëndësishme për t'i treguar botës diversitetin e pasur, bukurinë e kulturave dhe të ekosistemeve lokale”." Në një mënyrë të veçantë, "ekspozitat ndërkombëtare – Papa shpjegoi-kontribuojnë në rritjen e kulturës së takimit".

Ekonomia territoriale dhe ekologjia njerëzore

Përfshirja, kujdesi për shtëpinë e përbashkët dhe zhvillimin e tërësishëm të individëve e të popujve, nuk janë shqetësime etike sekondare , por janë thelbësore – nënvizoi Papa Bergoglio – "për të ndërtuar një ekonomi, në të cilën përfitimet financiare nuk përfaqësojnë të vetmin synim për të matur suksesin".

Përvoja ju ka mësuar se, në përgatitjen dhe realizimin e panaireve, të gjitha elementët përbërëse duhet të kontribuojnë në një mënyrë harmonike, nga aktorët njerëzorë deri tek materialet e ndërtimit dhe  të ndriçimit, nga impiantet e deri te menaxhimi i mbeturinave. Sa më i madh është bashkëpunimi në nivelin lokal e ndërkombëtar, aq më të mëdha janë shanset për sukses, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë njerëzor. Panairet që mbështesin ekonominë e një territori, që përfshijnë forcën e tij punëtore, që vlerësojnë kulturën e tij dhe respektojnë në mënyrë të ndërgjegjshme ekologjinë njerëzore e mjedisore të tij, në fund do të jenë më të suksesshme, më të vlerësuara dhe më të njohura. E kështu do të kenë një ndikim pozitiv dhe një forcë tërheqëse si lokale, ashtu edhe globale.

Panairet mund të krijojnë marrëdhënie të mira njerëzore

"Pavarësisht nga vështirësitë e shumta që mund të dalin gjatë përgatitjes e realizimit të panaireve dhe ekspozitave, sa ngjarje a veprimtari -përfundoi Papa – janë në gjendje të krijojnë një rrjet marrëdhëniesh të mira njerëzore, të afta të zgjasin përtej vetë veprimtarisë”:

" Ju, me të drejtë, jeni krenarë për nismat tuaja, kur krijojnë një ndërgjegjësim më të fortë në shërbimin e së mirës së përbashkët dhe të zhvillimit të gjithanshëm e gjithëpërfshirës ".

 

Samiti i Ufi-t në Romë

Samiti i Bashkimit të panaireve ndërkombëtare (Ufi), që vazhdon në Romë deri nesër, është një takim i rëndësishëm për industrinë e panaireve në nivelin botëror. Në këtë veprimtari marrin pjesë administratorë delegatë dhe presidentë të enteve më të rëndësishme që organizojnë panaire dhe veprimtari në botë. Sipas vlerësimeve të fundit, më shumë se 4.5 milion kompani kanë marrë pjesë në panaire gjatë vitit 2018. Vizitorët kanë qenë së paku 303 milion. Këto veprimtari kanë krijuar një ndikim ekonomik prej 275 miliard euro dhe kanë kontribuar me 167.2 miliard euro në prodhimin e brendshëm brut në shkallë botërore.

Në vazhdim, përshëndetja e Papës Françesku drejtuar pjesëmarrësve të Takimit të Nivelit të Lartë të Bashkimit të Panaireve Ndërkombëtare

Miq të dashur,

ju përshëndet me rastin e Takimit tuaj të Nivelit të lartë Botëror. Ky takim po zhvillohet në Romë, në një qytet feje e kulture, një vend takimi popujsh dhe idesh gjatë shekujve. Si liderë të panaireve dhe ekspozitave të mëdha tregtare, keni ardhur këtu jo vetëm si profesionistë të sipërmarrjeve e të organizatave, por për shkak se orvateni, nëpërmjet punës tuaj, të kontribuoni për një ekonomi globale më të drejtë dhe më humane.

Në botën tonë gjithnjë e më "të afërt", dalëngadalë po bëhemi më të ndërgjegjshëm se aspektet e ndryshme të jetës dhe të veprimtarive tona, duke përfshirë aspektet shoqërore, kulturore dhe ekologjike, janë ngushtë të ndërlidhura (CF.Enc. Laudato Si', 137).

Kjo ndërlidhje ka frymëzuar, në kuadrin e ndërmarrjeve (kompanive), krijimin e strukturave mjedisore, udhëheqëse e sociale që mund të udhëheqin dhe vlerësojnë ndikimin e përgjithshëm të veprimtarive ekonomike e tregtare. Në rastin e fushës tuaj profesionale, është konstatuar se panairet dhe ekspozitat jo vetëm kanë efekte pozitive në ekonomitë rajonale dhe në tregjet e punës, por ofrojnë gjithashtu edhe një mundësi të konsiderueshme për t’i treguar botës mbarë diversitetin e pasur, bukurinë e kulturave dhe të ekosistemeve lokale.

Në mënyrë të veçantë, ekspozitat ndërkombëtare kontribuojnë në rritjen e kulturës së takimit, e cila përforcon lidhjet e solidaritetit dhe nxit pasurimin e ndërsjellët ndërmjet anëtarëve të familjes njerëzore (CF. AP. Evangjeii gaudium, 220). Puna juaj ka, prandaj, një përmasë që shkon edhe matej. Si shërbim që synon të mirën e përbashkët, duhet të nxisë edhe përfshirjen, kujdesin për shtëpinë e përbashkët, si dhe zhvillimin e mirëfilltë të individëve e popujve. Këto shqetësime etike nuk janë dytësore, por thelbësore për ndërtimin e një ekonomie ku fitimet financiare nuk janë kriteri i vetëm që përfaqëson masën e suksesit.

Përvoja ju ka mësuar se, në përgatitjen dhe realizimin e panaireve, të gjitha elementët përbërëse duhet të kontribuojnë në një mënyrë harmonike, nga aktorët njerëzorë deri tek materialet e ndërtimit dhe  të ndriçimit, nga impiantet e deri te menaxhimi i mbeturinave. Sa më i madh është bashkëpunimi në nivelin lokal e ndërkombëtar, aq më të mëdha janë shanset për sukses, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë njerëzor. Panairet që mbështesin ekonominë e një territori, që përfshijnë forcën e tij punëtore, që vlerësojnë kulturën e tij dhe respektojnë në mënyrë të ndërgjegjshme ekologjinë njerëzore e mjedisore të tij, në fund do të jenë më të suksesshme, më të vlerësuara dhe më të njohura. E kështu do të kenë një ndikim pozitiv dhe një forcë tërheqëse si lokale, ashtu edhe globale.

Nga vetë natyra e një ekspozite në shkallë të gjerë, kërkohet një rrjet kompleks operatorësh, që tërheq një sferë të gjerë organizatorësh, autoritetesh lokale, punëtorësh, industrish tregtare, organizmash qytetare e kështu me rradhë. Pavarësisht vështirësive të shumta që mund të dalin gjatë përgatitjes e realizimit të panaireve dhe ekspozitave që janë pjesë e kompetencave tuaja specifike, këto ngjarje janë në gjendje të krijojnë një rrjet marrëdhëniesh të mira njerëzore, të afta të shkojnë përtej vetë veprimtarisë dhe ngjarjes që organizoni. Ju, me të drejtë, jeni krenarë për nismat tuaja, kur gjenerojnë një ndërgjegjësim më të fortë në shërbimin e së mirës së përbashkët dhe të zhvillimit të gjithanshëm e gjithëpërfshirës.

Miq të dashur, ju uroj gjithë të mirat në impenjimin tuaj që synon të nxisë kreativitet e novacion në sektorin tuaj. Zoti e bekoftë punën tuaj të këtyre ditëve, secilin nga ju dhe familjet tuaja.

06 shkurt 2020, 13:33