Audienca e Papës Françesku me Akademinë Papnore Kishtare Audienca e Papës Françesku me Akademinë Papnore Kishtare 

Papa: një vit në mision për diplomatët e ardhshëm të Selisë së Shenjtë

Letra e Françeskut drejtuar Kryetarit të Akademisë Papnore Kishtare: kush do të hyjë në shërbimin diplomatik, duhet të ketë dymbëdhjetë muaj përvojë misionare pranë ndonjë dioqeze.

R. SH. - Vatikan

E pati kujtuar në fjalimin përfundimtar të Sinodit kushtuar Amazonës, e tani e konkretizoi. Papa Françesku i shkroi imzot Jeseph Marinos, kryetar i ri i Akademisë Papnore Kishtare, shkollë për formimin e personelit diplomatik të Selisë së Shenjtë - duke i kërkuar që në kurrikulum të shënohet edhe një vit i kaluar në mision pranë një Kishe vendase. Letra e Papës datohet 11 shkurt. Françesku nënvizon dëshirën që meshtarët, të cilët përgatiten për Shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë, t’i kushtojnë një vit  formimit të tyre për angazhim misionar pranë një dioqeze:

“Jam i bindur - shton -  se kjo përvojë mund të jetë e nevojshme për gjithë të rinjtë, që përgatiten ose nisin shërbimin meshtarak, por në mënyrë të veçantë për ata që, në të ardhmen, do të thirren të bashkëpunojnë me Përfaqësuesit papnorë e, në vijim, mund të bëhen Përfaqësues të Selisë së Shenjtë  pranë kombeve dhe Kishave të veçanta.

Papa kujton edhe pohimin që pati bërë gjatë një fjalimi drejtuar Akademisë Papnore Kishtare, në qershorin e vitit 2015: “Misioni, të cilin një ditë do të thirreni ta kryeni, do t’ju çojë në të katër anët e botës. Në Evropën, që ka aq shumë nevojë të zgjohet; në Afrikën e etur për pajtim; në Amerikën latine, të uritur për ushqim shpirtëror; në Amerikën veriore, që synon t’i rizbulojë rrënjët e një identiteti, i cili nuk përcaktohet duke u nisur  nga përjashtimi; në Azinë e Oqeaninë, që sfidohen nga aftësia për të  dialoguar me kulturat e shumta  stërgjyshore”. E, në letër, shton se “për t’i përballuar pozitivisht këto sfida në rritje për Kishën e për Botën, duhet që diplomatët e ardhshëm të Selisë së Shenjtë të fitojnë, përveç fomimit të shëndoshë meshtarak e baritor, si edhe atij të veçantë, që u jepet nga Akademia, edhe përvojën personale të misionit jashtë dioqezës së tyre, duke kaluar me Kishat misionare një periudhë ecjeje së bashku, në bashkësitë e tyre e duke marrë pjesë në veprimtaritë e përditshme ungjillëzuese”.

Papa vendosi, pra, t’i drejtohet imzot Marinos, duke i kërkuar “t’ia realizojë këtë dëshirë për ta pasuruar kurrikulum-in e formimit akademik me një vit kushtuar plotësisht shërbimit misionar pranë kishave të veçanta, të përhapura kudo nëpër botë. Kjo përvojë do të hyjë në fuqi duke nisur nga nxënësit e rinj, që do të fillojnë formimin e tyre në vitin e ardhshëm akademik 2020-2021”.

Për ta hartuar në mënyrë të thelluar projektin - shkruan akoma Françesku - “duhet, mbi të gjitha, bashkëpunim i ngushtë me Sekretarinë e Shtetit e, më saktësisht, me Seksionin për Personelin e rolit diplomatik të Selisë së Shenjtë (Seksioni i tretë), si dhe me përfaqësuesit papnorë, të cilët sigurisht do të jenë të gatshëm të japin një ndihmesë me vlerë për caktimin e kishave  të veçanta, të gatshme për t’i pranuar nxënësit e për ta ndjekur nga afër përvojën e tyre”.

“Jam i sigurt - përfundon Papa - se pasi të jenë kapërcyer shqetësimet e para, që mund të lindin përballë këtij stili të ri formimi për diplomatët e ardhshëm të Selisë së Shejtë,  përvoja misionare, që do të fitohet, do të jetë e nevojshme jo vetëm për akademikët e rinj, por edhe për Kishat e veçanta me të cilat do të bashkëpunojnë. E unë uroj – përfundon - që kjo përvojë t’u ngjallë edhe meshtarëve të tjerë të Kishës universale dëshirën për të jetuar një periudhë shërbimi misionar jashtë dioqezave të tyre”.

 

17 shkurt 2020, 13:00