Kërko

Vatican News
 Papa Françesku:  Mesazhi i Kreshmëve 2020 Papa Françesku: Mesazhi i Kreshmëve 2020 

Papa. Mesazhi i Kreshmëve: “Dhembshuri për viktimat e pafajshme të luftërave e të padrejtësive”.

Në Mesazhin për Kreshmë, Papa kërkon “dhembshuri” për viktimat e shumta të pafajshme të luftërave e të padrejtësive kundër jetës, nga i palinduri, tek i moshuari, nga format e panumërta të dhunës, të fatkeqësive ambientale, të shpërndarjes së padrejtë të pasurive të tokës, të trafikut të qenieve njerëzore në të gjitha format, tek etja e shfrenuar e fitimit, që është formë e idhujtarisë”. Kujton edhe takimin në Asizi, nga 26 deri më 28 mars, për “një ekonomi më të drejtë e më përfshirëse”.

“Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin!”

Titullohet “Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin!” mesazhi i Papës për Kreshmët 2020, që nis me fjalët: “Edhe sivjet Zoti  na jep kohën e përshtatshme për ta kremtuar me zemër të përtërirë Misterin e madh të vdekjes dhe të ngjalljes së Krishtit, themel i jetës së krishterë personale e komunitare. Menjëherë pas, porosia e Françeskut “për t’u kthyer vazhdimisht tek ky Mister, me mendje e me zemër. Sepse ai vijon të rritet në ne në atë masë, me të cilën  e pranojmë, duke i dhënë përgjigje të lirë e bujare.

Kapitulli i parë i Mesazhit: Misteri i Pashkëve, bazë për kthimin tek Zoti

Gëzimi i të krishterit buron nga dëgjimi dhe nga pranimi i Lajmit të mirë të vdekjes dhe ngjalljes së Jezusit: kerygma! Këtë na kujton, që në fillim të Mesazhit të Kreshmëve, Ati i Shenjtë. Kush e beson këtë kult, e hedh poshtë gënjeshtrën, sipas së cilës jeta jonë zë fill nga ne vetë, ndërsa, në të vërtetë, ajo  lind nga dashuria e Hyjit Atë, nga dëshira e Tij për të dhuruar jetë me begati. Por, nëse ia vë veshin atit të gënjeshtrës, rrezikon  të rrokullisesh në fund të honit të absurditetit, aq sa ta provosh ferrin që mbi këtë tokë, siç dëshmojnë shumë ngjarje dramatike të përvojës personale e kolektive.

Në këto Kreshmë 2020 - vijon Papa - dëshiroj t’u përsëris gjithë të krishterëve, çka u pata shkruar të rinjve në Nxitjen Apostolike Christus vivit:

“Shikoji krahët e hapur të Krishtit të kryqëzuar: lëre të të shpëtojë përsëri. E kur t’i afrohesh për t’i rrëfyer mëkatet tuaja, beso ngultas në mëshirën e Tij, që të çliron nga faji. Kundroje gjakun e Tij të derdhur me aq dashuri e pastroju prej Tij. Kështu mund të lindësh përsëri (N.123)!”.

Pashkët e Jezusit nuk janë ngjarje e së kaluarës: për virtyt të Shpirtit Shenjt, janë gjithnjë aktuale e na  lejojnë ta shikojmë e ta prekim me fe Korpin e Krishtit në shumë njerëz që vuajnë.

Kapitulli i dytë: Urgjenca e pendesës…

…ky, titulli i Kapitulli II të Mesazhit papnor për Kreshmët 2020. Është shpëtimtare - na kujton Papa - ta kundrosh më thellë Misterin e Pashkëve, falë të cilit na u dhurua mëshira e Zotit. Përvoja e mëshirës mund të provohet vetëm “sy për sy” me Zotin e kryqëzuar e të ngjallur, që na deshi dhe e flijoi vetveten për ne” (Gal 2,20). Me një dialog zemër për zemër, si miku me mikun. Ja pra, pse lutja është tejet e rëndësishme në kohën e Kreshmëve - na kujton Papa në mesazhin kushtuar kësaj kohe pendestare - Para se të jetë detyrë, ajo shpreh nevojën për t’iu përgjigjur dashurisë së Zotit, që na paraprin gjithnjë, e gjithnjë na mbështet. I krishteri lutet me vetëdijen se nuk është i denjë për t’u dashur. Lutje - vijoi të kujtojë Papa - që mund të ketë forma nga më të ndryshmet, por çka vlen vërtetë para syve të Zotit, është se ajo na e rrëmon shpirtin, duke arritur ta zbusë zemrën tonë prej guri e ta bëjë të rikthehet gjithnjë më shumë nga Ai e nga vullneti i Tij.

Kohë e favorshme - e quan Papa Kohën e Kreshmëve në mesazhin, që u kushtohet. Prej këndej i fton të gjithë ta lënë Zotin t’i udhëheqë, si pati udhëhequr Izraelin në shkretëtirë, që të mund ta dëgjojnë, më në fund, zërin e Dhëndrit, duke e lënë të jehojë fuqishëm e të ndihet larg! Sa më shumë ta lëmë veten të ndikohemi nga Fjala e Zotit, aq më shumë do të mund ta provojmë mëshirën, që na dhurohet. Të mos e lëmë të kalojë kot këtë kohë hiri - u bën thirrje besimtarëve Papa, në atmosferën e Kreshmëve - e të mos besojmë se jemi ne padronët e kohëve e të mënyrave të kthimit tek Zoti.

Kapitulli i tretë: Vullneti i apasionuar i Zotit për të dialoguar me bijtë e tij

Titullohet “Vullneti i apasionuar i Zotit për të dialoguar me bijtë e tij” Kapitulli i tretë i Mesazhit të Papës Françesku për Kreshmët 2020. Të kujton  faktin se Zoti na e ofron përsëri kohën e favorshme për pendesë, por edhe faktin tjetër se kjo mundësi duhet të ngjallë në shpirtin tonë ndjenjën e mirënjohjes e ta shkundë atë nga topitja. Pavarësisht nga prania, nganjëherë, edhe dramatike, e së keqes në jetën tonë, ashtu si edhe në atë të Kishës e të botës, kjo hapësirë e ofruar për të ndërruar rrugë, shpreh  vullnetin e Zotit për të mos e ndërprerë dialogun e shëlbimit me ne. Në Krishtin e kryqëzuar, që “Zoti e bëri mëkat në favorin tonë” (2 Kor 5, 21), ky vullnet arrin deri në atë pikë, sa të bëjë të bien mbi të Birin të gjitha mëkatet tona, e deri në atë masë, që “e vë Zotin kundër Zotit” – siç pati thënë Papa Benedikti XVI (krh Enc. Deus caritas est, 12). Sepse Zoti - na kujton Papa Françesku në mesazhin e Kreshmëve 2020 – i do edhe armiqtë e vet (krh Mt 5, 43-48).

Dialogu, që Zoti dëshiron të vendosë me çdo njeri, përmes misterit të Pashkëve të Birit të vet, nuk është si ai, që shumëkush e shikonte si zakon i banorëve të Athinës të cilët “nuk kishin dëfrim më të këndshëm se të flisnin, ose të dëgjonin të rejat e fundit” (Vap 17,21. Ky tip thashethemesh, i diktuar nga  kureshtja boshe dhe e cekët, karakterizon mendësinë e botës të të gjitha kohëve e, në kohët tona, mund të përdoret gabimisht edhe në mjetet e  komunikimit.

Kapitulli i katërt: Pasuri për t’u ndarë, jo për t’u grumbulluar vetëm për vete

Ta vësh Misterin e Pashkëve në qendër të jetës, do të thotë të kesh mëshirë për plagët e Krishtit të kryqëzuar, të pranishme në shumë viktima të pafajshme të luftërave, në sulmin kundër jetës, nga i palinduri, tek i moshuari, në format e panumërta të dhunës, të katastrofave ambientale,  të ndarjes së padrejtë të pasurive të tokës, të trafikut të qenieve njerëzore, në të gjitha format e fitimit të shfrenuar, që është formë e idhujtarisë! E kjo është një nga porositë kryesore të Papës në Mesazhin e Kreshmëve 2020.

 Sepse - vijon mesazhi - edhe sot është e nevojshme t’u kujtojmë burrave e grave vullnetmira ndarjen e pasurive me nevojtarët, përmes lëmoshës, si formë e pjesëmarrjes personale në ndërtimin e një bote më të drejtë. Ndarja e pasjes me të tjerët e bën njeriun më njerëzor, ndërsa grumbullimi rrezikon ta kafshërojë, duke e mbyllur në egoizmin e vet. Mundemi e duhet të shtyhemi më tutje - na nxit Papa - duke pasur parasysh përmasat strukturore të ekonomisë. Prandaj - kujton më pas - në Kreshmët 2020, nga 26 deri më 28 mars, thirra në Asizi ekonomistët e rinj, imprenditorë e change-makers, me synim që të japin ndihmesën e tyre e të përvijojnë një ekonomi më të drejtë e më gjithëpërfshirëse se kjo e sotmja. E nga ekonomia, Papa kalon - në Mesazhin e Kreshmëve - tek politika. Siç kam përsëritur shumë herë - pohon - politika është formë  e lartë e bamirësisë (krh Pio XI, Fjalmi drejtuar FUCI. 18 dhjetor 1927).  Kështu do të ishte nëse do të shikohej edhe ekonomia me të njëjtin shpirt ungjillor. Që është shpirti i Lumnive.

Në përfundim të mesazhit, lutja e Papës drejtuar Marisë të ndërmjetësojë në këto Kreshmë, që ta pranojmë thirrjen për t’u pajtuar me Hyun, t’i ngulim sytë e zemrës mbi Misterin e Pashkëve e të kthehemi tek dialogu i hapur e i sinqertë me Zotin. Në këtë mënyrë mund të bëhemi çka Krishti u thotë dishepujve të tij: kripë e tokës e dritë e botës (krh Mt,5,13-14)

Romë, pranë Shën Gjonit në Lateran, 7 tetor 2019

Kujtimi i Zojës Rruzare.

24 shkurt 2020, 12:11