Kërko

 Papa gjatë kremtimit të Meshës Shenjte në Bari Papa gjatë kremtimit të Meshës Shenjte në Bari 

Papa në Bari: “Revolucioni i Jezusit kërkon vetëm të lutemi, t’i falim armiqtë e t’i duam”.

Papa, në Meshën e kremtuar në përfundim të Kuvendit të Barit, kujtoi se revolucioni i Jezusit është më i madhi në histori. E përsëriti me forcë porosinë e Krishtit: “Jetoni si unë; kërkoni çka kërkoj unë!”

R. SH. - Vatikan

Jezusi kujton ligjin e lashtë: “Sy për sy e dhëmb për dhëmb” (Mt 5,38; Dal 21,24). Këto fjalët, me të cilat e nisi Papa homelinë, mbajtur në Bari në mbylljen e kuvendit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane me temë: “Mesdheu kufi i Paqes”. Për të vijuar me shpjegimin e kësaj shprehjeje simbolike, që ka kuptimin: “Kush të bën keq, ktheja me të njëjtën të keqe! Po Jezusi - kujtoi në vijim Françesku - shikon shumë më përtej. Na kujton se nuk duhet t’i kundërvihemi të mbrapshtit.

Po si, o Zot? - lind natyrshëm pyetja njerëzore. Nuk u dashka ta paguaj me të njëjtën monedhë, njeriun që më bën keq?

Pikërisht përgjigjja e kësaj pyetjeje e përshkoi tej e ndanë gjithë homelinë e Papës:

“Jo, na kujton Jezusi: nuk duhet përdorur kurrë dhuna, kurrë!”.

Mund të mendojmë - vijoi Françesku - se mësimi i Jezusit ndjek ndonjë strategji! Po nuk është kështu. Arsyeja është se Ati ynë i do gjithnjë, të gjithë, edhe pse shpesh nuk e duan! Ai bën të lindë dielli mbi të mirë e të këqij, të drejtë e të padrejtë. Ai na kujton se duhet të jemi shenjtorë, ashtu si Ai është shenjt. Kështu bëri edhe Jezusi: nuk i tregoi me gisht ata, që e dënuan padrejtësisht, që e mbytën mizorisht. E fali edhe atë, që po ia gozhdonte duart - kujtoi Papa, e më pas theksoi:

“Nëse duam të jemi dishepuj të Krishtit e të krishterë, kjo është udha! Të dashur nga Zoti, jemi të thirrur të duam; të falur, për të falur; të prekur nga dashuria, të dhurojmë dashuri, pa pritur t’ia nisin të tjerët; të shpëtuar falas, të mos kërkojmë shpërblim për të mirën, që bëjmë”.

Krishti nuk flet për paradokse. Eshtë plotësisht i qartë:

“Duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata, që ju persekutojnë! Ja, kjo është risia e krishterë. Ndryshimi i krishterë: të luteni e të doni. Këtë duhet të bëjmë, e jo vetëm kujt na bën mirë, jo vetëm miqve, jo vetëm popullit tonë. Sepse dashuria e Zotit nuk njeh kufij as mure. Zoti na kërkon një dashuri pa asnjë llogari. Sepse masa e Jezusit është dashuria pa masë”.

Na bën mirë t’ia përsërisim vazhdimisht vetes - kujtoi Ati i Shenjtë -  porositë e Zotit:

“Duajini armiqtë tuaj. Mos u merrni me ligësinë e tjetrit, atij që mendon veç keq për ju! Çarmatoseni zemrën, për dashuri të Jezusit. Sepse kush e do Zotin, nuk ka armiq në zemër! Kulti i Zoti është në kundërshtim  me kulturën e urrejtjes”.

Revolucioni i Jezusit

E, më pas, Papa vuri theksin mbi themeloren: revolucionin e Jezusit. Zoti – kujtoi - na kërkon vetëm të lutemi e të duam. E ky është revolucioni më i madh i historisë: nga armiku për t’u urryer, tek miku për t’u dashur; nga kulti i ankimit, tek kultura e dhuratës. Nëse jemi të Krishtit, kjo është udha!

Papa e nisi homelinë e Meshës, në përfundim të Kuvendit të Barit, kushtuar temës: “Mesdheu kufi i Paqes” me fjalët “Sy për sy e dhëmb për dhëmb”- për ta përfunduar me thirrjen:

“Të zgjedhim sot dashurinë, edhe pse kushton shtrenjt, edhe pse shkon kundër rrymës! Të mos lejojmë të kushtëzohemi nga mendimi i zakonshëm, të mos kënaqemi me masa gjysmake. Ta pranojmë sfidën e Jezusit, sfidën e dashurisë së krishterë! Kështu do të jemi më të krishterë e bota, më njerëzore!”.

23 shkurt 2020, 13:05