Papa në audiencën e përgjithshme: të tjerët të hapin një të çarë, për të hyrë në zemrën tonë

Françesku vijoi sot, në Sallën e Palit VI, reflektimin kushtuar Lumnive. I nxiti besimtarët të mos lodhen kurrë s’i kërkuari ndjesë Zotit për mëkatet e t’ia hapin të gjitha rrugët dashurisë, duke e pasur gjithnjë për zemër jetën e tjetrit.

R. SH. - Vatikan

Papa e  nisi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, kushtuar Lumnive, me një lutje drejtuar Zotit për të na bërë burra e gra, që kanë dhimbje e mëshirë, mirësi e dashuri. Burra e gra, që e kanë gjithnjë buzën në gaz. Që dinë të jenë pranë njeriut  nevojtar, t’i shërbejnë, të qeshin e edhe të qajnë bashkë me të. E më pas, u ndalua posaçërisht tek Lumnia e dytë: “Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen”, për të reflektuar mbi shpirtin që dhemb, duke krijuar, kështu, lidhjet me Zotin e me të afërmin, lidhje të  reja, sepse të lara me lot, që pikojnë drejt nga shpirti.

Ta ndash dhimbjen me tjetrin

Shpjegoi, më pas se, sipas Shkrimit Shenjt, loti mund të pikojë për dy arsye kryesore. Njeriu qan, kur vdes a vuan ndokush, por qan me lot edhe më të hidhur kur mëkatnon, kur zemra i pikon gjak nga dhimbja, sepse ka fyer Zotin e të afërmin. Janë lot të derdhur për  dikënd, që e duam shumë, që e ndjejmë se po e humbasim, që e shikojmë se është keq, ose që e bëmë të vuajë:

“Kjo tregon se e duam tjetrin e varemi prej tij a prej saj deri në atë pikë, sa të ndajmë me të edhe dhimbjen. Ka njerëz që rrinë larg, një hap mbrapa; ndërsa është e rëndësishme që të tjerët të bëjnë një të çarë për të hyrë në zemrën tonë”.

Vlera e shenjtë e çdo njeriu

Françesku u rikthye tek koncepti i lotëve, parë si dhuratë e çmuar. Ka - vërejti - njerëz të munduar, që  duhen ngushëlluar, por nganjëherë, edhe të ngushëlluar, që duhen munduar, duhen rizgjuar. Njerëz me zemër prej guri. Që kanë harruar të qajnë. E njerëz që duhen shkundur, sepse  mbeten si copa akulli, para dhimbjes së tjetrit:

“Morti, për shembull, është udhë e hidhur, plot lot, por mund të jetë i nevojshëm për t’na i hapur sytë, për të parë jetën, vlerën e saj të shenjtë e të pazëvendësueshme, për të na bërë ta kuptojmë sa shpejt ikën koha e sa e shkurtër është jeta mbi tokë”.

E mira, që nuk e bëmë

Një kuptim i dytë i kësaj lumnie “paradoksale” - kujtoi Françesku - është të qash për shkak të mëkatit. Ka njerëz - kujtoi - që  zemërohen kur gabojnë, po kjo është kryelartësi. E ka të tjerë, që qajnë për të keqen e bërë a për të mirën e pabërë e, sidomos, derdhin lot kur kuptojnë se tradhtuan vetë Zotin:

“Ky është loti, që pikon pse nuk deshe, loti, që derdh ngaqë e ke për zemër jetën e tjetrit. Qan, sepse nuk përkove me Zotin, që të do aq shumë,  e sepse të trishton thellë e mira, që s’e bëre. E ky është kuptimi i mëkatit. Ata që mëkatojnë, thonë: ‘Plagosa atë, që e dua’ e kjo i hidhëron deri në lot. Bekuar qoftë Zoti, në se arrijmë t’i derdhim këto pika loti”.

Shën Pjetri e Juda

Papa kujtoi edhe Shën Pjetrin e Judën, duke u ndaluar tek ndryshimi ndërmjet tyre. Loti i Pjetrit pastron e çon drejt një dashurie të re, shumë më të vërtetë se e para. Pjetri e pa Jezusin, e qau! Qau, po me zemër të përtërirë. Ndërsa Juda nuk e pranoi aspak se kishte gabuar, nuk qau e shkoi e u var, i gjori!

Françesku shpjegoi, në vijim, se ta kuptosh mëkatin, është dhuratë e Zotit, vepër e Shpirtit Shenjt:

“Ne vetë nuk mund ta kuptojmë mëkatin. Është hir, të cilin duhet t’ia kërkojmë Zotit, për të mundur, kështu, ta kuptojmë të keqen që kemi bërë a që mund të bëjmë. Është dhuratë shumë e madhe. E, si ta kemi kuptuar këtë, vjen edhe loti i pendimit”.

Ai është aty për të dhuruar

Papa u ndalua edhe tek bukuria e pendimit, e lotit, e ndjesës:

“Si gjithnjë, jeta e krishterë e shikon mëshirën si shprehjen më të mirë. I urtë e i lum është ai, që e pranon dhimbjen të lidhur me dashurinë, sepse do të ngushëllohet nga Shpirti Shenjt, i cili është dhembshuria e Zotit, që fal e qorton. Zoti fal gjithnjë: nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë. Fal. Edhe mëkatet më të rënda, gjithnjë. Problemi është në ne, që lodhemi së kërkuari ndjesë, mbyllemi në vetvete e nuk duam të kërkojmë falje. Ky, po, është problemi! Po Ai është gjithë aty, e gjithnjë për të falur!”.

Përshëndetjet

Papa, në përfundim  theksoi rishtas vlerën e dhimbjes e të mëshirës, në mënyrë që të lulëzojë në zemrën tonë dashuria për Zotin e për të afërmin. Në përfundim të audiencës, përshëndeti të devoçmit e Shtëpisë Shenjte të Loretos, shoqëruar nga kryeipeshkvi Fabio Dal Cin, si dhe grupin e brazilianëve, ardhur nga Divinopolis dhe Porto Alegre. Shtegtarëve polakë u kujtoi  Ditën Botërore të të Sëmurit, që u kremtua dje:

“Ka shumë njerëz nga shoqëritë e familjet tona, që vuajnë për shkak të sëmundjes. Zoti u dhashtë forcën, durimin e hirin e shërimit.T’i kujtojmë gjithnjë e t’i shoqërojmë me lutje, me afërsi e me gjeste konkrete dhimbjeje e dashurie”.

12 shkurt 2020, 13:02