Kërko

Kardinali vikar Angelo De Donatis, në liturgjinë pendestare me klerin romak, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran Kardinali vikar Angelo De Donatis, në liturgjinë pendestare me klerin romak, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran 

Papa: meshtari nuk izolohet kurrë, por jeton në bashkim me grigjën

Meshtarët ndodhen shpesh para hidhërimit, por thirrja e tyre është të jenë njerëz të pajtimit. Ky është njëri nga mendimet e Papës, në fjalimin e lexuar këtë mëngjes nga kardinali vikar Angelo De Donatis, në liturgjinë pendestare me klerin romak, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Françesku nuk mori pjesë në takimin tradicional, pse ishte i pamundur.

R.SH. - Vatikan

Të jenë njerëz të shpresës, të pajtuar, të cilët i njohin hidhërimet e tyre e pikërisht për këtë, shndërrohen. Kjo është këshilla e Papës Françesku për meshtarët e dioqezës së Romës, të cilët nuk mundi t’i takojë sot paradite në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, pasi ishte pak i pamundur. Fjalën e Atit të Shenjtë e lexoi vikari i përgjithshëm i Romës, kardinali Angelo De Donatis. Meditimi i Papës përvijohet nëpër hidhërimet e trishtimet, që mund ta sulmojnë jetën e meshtarit si një “armik i hollë”, që kthehet në parazit. Këto gjendje shkaktohen nga marrëdhëniet e tyre me fenë, me ipeshkvin e me vëllezërit në fe.

Jo të gjithpushtetshëm, por mëkatorë të falur

         Papa shpjegon se pjesërisht, meditimi i tij është rezultat i dëgjimit të disa seminaristëve dhe meshtarëve italianë të trishtuar, por nënvizon se anëtarë të tjerë të klerit janë të kënaqur me jetën e tyre dhe i konsiderojnë këto hidhërime si pjesë normale e saj. Në rrënjët e hidhërimit për marrëdhëniet personale me fenë, është shpresa e zhgënjyer, nënvizon Bergoglio. Por, këta “të hidhëruar”, thekson, kanë harruar se shpresa “nuk ka të bëjë me bindjen se gjërat do të shkojnë më mirë, por me vetëdijen se gjithçka ndodh, e ka një kuptim në dritën e Pashkëve”. Por, natyrisht, për këtë nevojitet lutja e madje edhe protesta, siç bën shpesh psalmisti në Bibël. Protesta e vërtetë, sqaron Ati i Shenjtë, “nuk është kundër Zotit, por para Tij” e lind nga besimi e nga afërsia me Të.

Shpresë e krishterë, jo pritshmëri

         Për të hyrë thellë në kuptimin e shpresës, duhet ndarë ajo nga pritshmëria. Kjo e fundit lind kur bëjmë ç’është e mundur për të kërkuar siguri në jetën kishtare, kur pika e referimit është vetvetja. Ndërsa, shpjegoi Papa duke cituar teatinin Lorenzo Scupoli e librin e tij “Lufta shpirtërore”, nuk duhet t’i besojmë vetes, por Zotit. Shpresa bazohet në një besëlidhje: ajo jetë e plotë, e premtuar nga Zoti në ditën e shugurimit, përmbushet “nëse përjetoj Pashkët, jo nëse gjërat shkojnë siç them unë”.

Problemet me ipeshkvin

         Pa thënë gjithmonë se fajin e kanë eprorët, sepse, në të vërtetë, të gjithë kemi mungesa, mbetet fakti, shkruan Papa, se “në jetën e priftit, shumë nga hidhërimet shkaktohen nga qëndrimet e barinjve” të Kishës, pra, të ipeshkvijve. Ati i Shenjtë vë në dukje një lloj autoritarizmi, që i vë disa meshtarë në listën e kundërshtarëve, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre nëpër veprimtari si metër për bashkimin e tyre me sivëllezërit e me vetë ipeshkvin. Papa denoncon të ashtuquajturin “kulti i iniciativave”, i cili zëvendëson çka është vërtet thelbësore.

Besnikëria pa kushte ia zë vendin aftësisë

         E për të përvijuar këtë “thelbësore”, Papa përmend Shën Benediktin. Në Rregullën e tij, për çdo çështje të rëndësishme, shenjti rekomandon që abati të këshillohet me krejt bashkësinë, por vendimin përfundimtar ta marrë vetë. Ama i kërkon të vendosë me “kujdes e barazi”, pa u rrethuar vetëm nga “të vetët”, qorton Ati i Shenjtë, pasi kështu, kompetenca e ndokujt zëvendësohet nga besnikëria symbyllur, pa dalluar atë, që bën lajka, nga ai, që këshillon pa interes. E drejta e besimtarëve për t’u shprehur barinjve të Kishës mendimin e tyre, për të mirën e saj, sanksionohet në Kodin e së Drejtës Kanonike, kujton Françesku.

Hidhërimet ndërmjet meshtarëve

         Një shkak i tretë i hidhërimit shpirtëror të meshtarëve mund të rrjedhë nga problemet ndërmmet tyre, vijoi Papa. Kohët e fundit, fatkeqësisht, priftërinjtë kanë parë sa nga sivëllezërit e tyre në meshtari janë bërë pjesë e shkandulleve financiare dhe seksuale. Dyshimi i ka bërë marrëdhëniet më të ftohta dhe më formale:

         “Përballë shkandulleve, i keqi na tundon duke na shtyrë drejt një vizioni ‘donatist’ të Kishës: brenda të përsosurit, jashtë kush gabon! Kemi konceptime të rreme për Kishën militante, në një lloj puritanizmi kishtar. Nusja e Krishtit është dhe mbetet fusha, ku rriten gruri dhe egjra, deri në fundin e kohrave. Kush nuk e ka bërë të vetin këtë këndvështrim ungjillor mbi realitetin, është i ekspozuar para hidhërimeve të papërshkrueshme e të kota”.

Drama e izolimit

         Njerëzit janë izoluar nga njëri-tjetri. Shtohen bashkësitë, denoncon Ati i Shenjtë, por ka më pak bashkim. Ky lloj izolimi nuk është vetmia, në kuptimin e krishterë të saj, pasi ajo është kohë për të ndenjur me Zotin e për t’u lutur. Drama e vërtetë është izolimi i shpirtit, për të cilin ndihesh i vetëm në mes të mijëra njerëzve. Kur “bota e Hirit të Tënzot” bëhet e largët, vëren Françesku, pak nga pak shenjtorët kthehen në “miq imagjinarë” të fëmijëve, duke çuar drejt racionalizmave e sentimentalizmave, por kurrë drejt “korpit të shëlbuar”. Një lloj tjetër izolimi është edhe ai historik, siç e quan Ati i Shenjtë. Në Kishë ka pasur të tjerë, që kanë punuar para nesh, nënvizon Papa, prandaj, nuk është e nevojshme të bëjmë “tabula rasa” kur fillojmë një punë të re, por të vijojmë të mirën, që ka nisur më parë. Vetëm kështu, çdo meshtar merr pjesë në udhën e përbashkët drejt shëlbimit. Populli i Zotit pret njerëz, që pajtojnë, që janë plot shpresë e që dinë ta zgjojnë shpresën edhe ndër të tjerët. Populli i Zotit di të lutet edhe për hidhërimet e meshtarëve, të cilëve u kërkon të jenë mësues shpirtërorë, të aftë t’i tregojnë puset e ujit në mesin e shkretëtirës, përfundon Papa Françesku.

27 shkurt 2020, 15:13