Kërko

 Vizita baritore e Papës në Bari Vizita baritore e Papës në Bari 

Papa: më trembin fjalimet populiste, që më kujtojnë vitet ‘30

Në Bari, pas takimit të ipeshkvijve kushtuar Mesdheut, Papa kujtoi se: “Lufta është marrëzi. Prandaj nuk duhet të dorëzohemi kurrë para saj!”.

R. SH. - Vatikan

“Unë trembem, kur dëgjoj fjalimet e disa liderëve të formave të reja të populizmit: më sjellin ndër veshë jehonën e  fjalimeve, që mbillnin frikë, e më pas edhe urrejtje, në  vitet ’30 të shekullit të kaluar”.

Në një fragment, shqiptuar lirisht gjatë fjalës mbajtur në Bazilikën e Shën Nikollës, në Bari, në përfundim të takimit me ipeshkvijtë e Mesdheut, “kufi i paqes”, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore italiane, Papa Françesku shprehu një nga shqetësimet e thella përballë devijimeve  propagandistike dhe idealeve, që për të nuk premtojnë asgjë të mirë.

Në fjalimin e tij, pas dorëzimit të përfundimeve dhe propozimeve të prelatëve të “Mare nostrum”, mbledhur në kryeqendrën puljeze, ku u ballafaquan katër ditë mbi emergjencat e shumta  të zonës - Papa e quajti Barin, të cilin e ka vizituar edhe më 7 korrik 2018 - “kryeqytet i unitetit”. E më pas bëri një analizë të thellë, shterruese të problemeve dhe të konflikteve të kësaj, që mbetet zonë strategjike, “ku ekuilibri i pasqyron efektet e veta edhe mbi pjesë të tjera të botës”.

Jo pa referime kritike lidhur me veprimtarinë e politikës, si “projekti Trump” për paqen në Lindjen e Mesme, Papa kujtoi: “Sot zona e Mesdheut rrethohet nga shumë vatra, ku mungon stabiliteti e vijon e lufta, si në Lindjen e Mesme, në shtetet e ndryshme në veri të Afrikës, ashtu  dhe ndërmjet etnive ose grupeve fetare e konfesionale. Nuk mund të harrojmë edhe konfliktin ende të ndezur ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, me rrezikun e rrugëzgjidhjeve të papërshtatshme që, prej këndej,  paralajmërojnë kriza të reja”.  

Më në përgjithësi, për Papën “lufta, që i përdor burimet për blerjen e armëve e të përgatitjes ushtarake, e jo për funksionet jetike të një shoqërie, siç është ndihma për familjet, për shëndetësinë, shkollimin, i kundërvihet vetë arsyes, sipas mësimit, që na jep Gjoni XXIII (Pacem in terris). Mund ta quajmë marrëzi, sepse është kulmi i budallallëkut të shkatërrosh shtëpi, fabrika, spitale, të vrasësh njerëz, të asgjësosh burimet e jetës, në vend që  të krijosh marrëdhënie të frytshme njerëzore dhe ekonomike. Është marrëzi, para së cilës nuk duhet të dorëzohemi kurrë. Nuk ka asnjë alternativë më të arsyeshme, se paqja - vërejti Papa - sepse çdo projekt  shfrytëzimi e supremacie e dëmton njëlloj si sulmuesin, ashtu edhe të sulmuarin, duke treguar qartë se kemi të bëjmë me një konceptim dritëshkurtër të realitetit, nga që e lë jo vetëm tjetrin, por edhe veten, pa asnjë të ardhme”.

Françesku denoncoi përsëri “mëkatin mortar të hipokrizisë”, që shihet qartë kur në konventat ndërkombëtare shumë vende flasin për paqen e pastaj u shesin armë vendeve në luftë. Kjo është hipokrizia më e madhe! Kështu, përballë drejtësisë së marrë nëpër këmbë nga interesat ekonomike, “të penguar nga kultura e hedhurinës, nga pabarazitë, në brigjet e të njëjtit det jetojnë njëkohësisht shoqëritë e bollëkut e ata, që luftojnë vetëm për të mbijetuar. E, për shkak të ligështisë së politikës, krijohet edhe drama e emigrimit”.

Nuk mund ta pranojmë kurrë - pohoi Papa - që kush kërkon shpresën në det, duhet të vdesë pa kurrfarë ndihme, ose kush vjen nga larg, duhet të bëhet viktimë e shfrytëzimit seksual, të paguhet keqas ose të shfrytëzohet deri në palcë nga mafiet.

Natyrisht mikpritja dhe integrimi dinjitoz janë etapa të një procesi jo të lehtë, gjithsesi nuk mund as të mendohet se problemi mund të zgjidhet duke ndërtuar mure. Papa Bergoglio nuk lodhet kurrë s’e dënuari  indiferencën, refuzimin, frikën, të cilat çojnë në përpjekjen për t’u mbrojtur përballë atij, që quhet “pushtim” e që shërben vetëm për të justifikuar  dhunën e për të ushqyer urrejtjen.

Por për të, Mesdheu është “det popullsish metise”, ku pastërtia e racës nuk ka të ardhme, në kundërshtim me çdo “frymë nacionalistike”.

Papa ngriti zërin edhe kundër persekutimit të të krishterëve, “plagë  që e copëton zemrën tonë e nuk mund të  na lërë indiferentë”- theksoi.

E, në Meshën me 40 mijë besimtarë, kremtuar në Sheshin e Lirisë, ku i shtrëngoi dorën Presidentit Italian Sergio Mattarella (ndërsa kryeministri Conte nuk mundi të ishte i pranishëm, për shkak  të coronavirusit) rikujtoi me forcë se “kulti i Zotit është në kundërshtim të plotë me kulturën e urrejtjes”.

Thirrja e fundit, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, para se të rikthehej në Romë, ishte për Idlibin:

“Mbi bregun tjetër të këtij deti, posaçërisht në veri-perëndim të Sirisë,  vijon një tragjedi e përbindshme - kujtoi - duke u bërë një thirrje të fuqishme aktorëve që marrin pjesë në të si edhe bashkësisë ndërkombëtare,   të heshtë vringëllima e armëve e të dëgjohet vaji i të vegjëlve e të të pambrojturve; të lihen mënjanë llogaritë e interesat, për të shpëtuar jetën e civilëve dhe të fëmijëve të shumtë të pafajshëm, që po i paguajnë pasojat e saj”.

24 shkurt 2020, 15:05