Kërko

 Adhurimi i Kryqit Adhurimi i Kryqit 

Françesku Legjionarëve të Krishtit: vijoni udhën e ripërtëritjes!

Sjelljet kriminale të atë Maciel shkaktuan një krizë të fortë, kujton Françesku në fjalimin transmetuar Kapitullit të përgjithshëm të Legjionarëve të Krishtit dhe Asambleve të përgjithshme të të Kushtuarave dhe të Laikëve të Regnum Christi. Rikthimi tek e kaluara “do të ishte i rrezikshëm e pa farë kuptimi”: tani realiteti i ri - nxit Papa - duhet të vijojë udhën, që tregon Kisha, sipas “Shkollës së Shpirtit Shenjt”.

R. SH. - Vatikan

Udha e ripërtëritjes “nuk ka përfunduar akoma”: duhet të vijojë, sepse “ndryshimi i mendësisë së njerëzve dhe situatave kërkon shumë kohë për t’u përvetësuar”, prej këndej duhet “kthesë e vazhdueshme”. Këtë thekson Papa Françesku në fjalimin, transmetuar Kapitullit të përgjithshëm të Legjionarëve të Krishtit dhe Asambleve të përgjithshme të Rregulltareve dhe Laikëve të Regnum Christi. Siç njoftoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni, për shkak se ndjehej pakëz i pamundur, edhe sot paradite Papa, ndonëse i vijoi takimet e programuara në Shën Martë - nuk i priti në audiencë përfaqësitë e Legjionarëve të Krishtit e të Regnum Christi.

Krizë institucionale e personale

Në tekstin, që ua dorëzoi, Françesku u kujton legjionarëve se sjelljet kriminale të themeluesit, atë Marcial Maciel Degollado shkaktuan në gjithë realitetin e Regnum Christi një krizë të fortë, sa institucionale, aq edhe personale. Nuk mund të mohohet se ai ishte themeluesi “historik” i gjithë realitetit, që përfaqësoni - pohon në vijim Papa - por nga ana tjetër, nuk mund ta shikoni si model shenjtërie, që meriton të imitohet. Sepse njeri me dy faqe e me mjete të dyfishta. Qeverisja e gjatë, e përqendruar në duart e tij, e ndoti në një farë mënyre karizmën, që Shpirti Shenjt ia pati dhuruar Kishës në zanafillë. E kjo paqyrohej edhe në normat, si dhe në praktikën e qeverisjes e të dëgjesës në jetën e përditshme.

Kthesa e zemrës dhe e mendjes

Përballë “zbulimit” të kësaj situate - vë në dukje Papa - nuk mungoi kujdesi amtar i Kishës, që vuri pranë bashkësive ekzistuese “njerëz me ndjeshmëri të madhe humane e baritore, si dhe me kompetencë të mirënjohur juridike”.

Më pas Françesku flet për Kushtetutat e për Statutet e përtërira, të cilat i quan “vërtet të reja”. Kujton si u kapëcyen tensionet shumë të forta, gjithnjë të shoqëruara nga Kisha, ndalet tek puna e kryer për kushtetutën e Federatës së Regnum Christi, sot realitet kanonikisht i ri, por edhe i lashtë, e familje e madhe shpirtërore,  me statutet e veta  e organet e veta të reja të qeverisjes.

Vizion koherent

Françesku ripohon se ndryshimi duhet të vijojë në të gjithë anëtarët e Federatës, që përbëhet nga Instituti i Legjionit të Krishtit, Shoqëria e Jetës Apostolike e të Kushtuarave të Regnum Christi dhe Shoqëria e Jetës Apostolike e Laikëve të Kushtuar të Regnum Christi, në të cilën marrin pjesë një numër i madh laikësh, që nuk i bëjnë kushtet ungjillore, por që përbëjnë, kështu, një familje të vetme shpirtërore, realitet më i gjerë se vetë Federata!   

Në përfundim, inkurajimi dhe besimi i plotë i Papës se vetëm ulja me bindje në bankat e shkollës së Shpirtit Shenjt do ta davarisë çdo frikë e çdo dyshim, që trazon shpirtin e pengon vijimin e veprimtarisë.

29 shkurt 2020, 15:13