Papa: kush bën luftë, nuk di t’i sundojë pasionet e veta

“Kur pranohet Ligji i Zotit në zemër, kuptohet se duhet braktisur stili i një jete plot me premtime të pambajtura, me pasione të pakontrolluara, që të përmbysin”. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku kujtoi se të mos e duash të afërmin, do thotë ta mbytësh vetveten e se dashuria e Krishtit të ndihmon të fitosh mbi pasionet egoiste e sunduese.

R. SH. - Vatikan

Një vajzë e vogël, me moshë vetëm një vit e gjysëm vdes nga e ftohta në Siri! Kujtimi i kësaj ngjarjeje kaq prekëse nga ana e Papës, të bën t’i ndjesh fort mizorinë e luftës dhe të fatkeqësive të natyrës, por edhe më fort, pasojat e rënda të pasioneve të pakontrolluara, të “veprimeve të këqija”,  që nisen nga zemra, djep i së mirës e i së keqes, i dhembshurisë e i ligësisë, i dashurisë e i urrejtjes! Ishte pikërisht shtegtim në zemrën e njeriut, me rrëzime e  ngritje - meditimi i Françeskut gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, nësa komentonte fragmentin ungjillor shkëputur nga “Predikimi në mal”. E edhe reflektim mbi Urdhërimet e Tënzot, dhënë Moisiut, e ftesë për ta jetuar Ligjin si mjet që të siguron lirinë, që të ndihmon t’i kontrollosh dëshirat, të mos katandisesh kurrë në viktimë të ndjenjave egoiste e sunduese. Sepse këto ndjenja nuk ndërtojnë, por rrënojnë. E edhe sepse “nuk është aspak gjë e mirë të frymëzohesh nga egoizmi e dëshira për të sunduar” - nënvizoi Papa - duke kujtuar, më pas, se Ligji nuk e përjashton dashurinë. Jezusi e di se nuk është aspak e lehtë t’i jetosh thellësisht Urdhërimet, prandaj na ndihmon me dashurinë e Tij. Prej këndej, duhet t’i besojmë Zotit. Kjo është e vetmja rrugë për  ta quajtur veten të krishterë të vërtetë.

Të paaftë për ta drejtuar jetën

Zoti na edukon me lirinë dhe përgjegjësinë e vërtetë, nëse jemi të gatshëm ta pranojmë këtë edukim. Papa nënvizoi se Jezusi dëshiron t’u shpjegojë atyre, të cilët e dëgjojnë, kuptimin e vërtetë të Ligjit, që përmbahet në Urdhërimet e Moisiut:

“Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë: ta jetojmë Ligjin si mjet i lirisë, që na ndihmon të jemi më të lirë, të mos jemi skllevër të pasioneve e të mëkatit. Të mendojmë për luftërat, të mendojmë për pasojat e mëkatit, ta mendojnë atë vocrraken e ngrirë pardje nga e ftohta në Siri! Sa shumë fatkeqësi, sa shumë! Ky është fryti i pasioneve, i njerëzve që e bëjnë luftën, pikërisht sepse nuk dinë t’u vënë fre pasioneve. Çka u mungon, është paaftësia për ta zbatuar Ligjin. Kur bie pre e tundimeve dhe e pasioneve, nuk mund ta zotërosh jetën tënde, as të jesh protagonist i saj. Përkundrazi, bëhesh i paaftë ta drejosh me vullnet e përgjegjësi”.

Zemra e mirëpret Ligjin e Zotit, gjuha vret

Françesku u ndalua tek komunikimi i Jezusit,  i ndërtuar mbi 4 antiteza e i shprehur me formulën: “Keni dëgjuar se qe thënë… po unë po ju them”. Këto antiteza na kujtojnë po aq situata të ndryshme të jetës së përditshme: “vrasjen, thyerjen e kurorës, divorcin, betimin” - kujtoi Papa- për të na inkurajuar, në vijim, të kalojmë nga zbatimi formal i Ligjit, në zbatimin  themelor të tij, duke e mirëpritur ligjin në zemër, që është qendra e ndjeteve, e vendimeve, e fjalëve dhe e gjesteve të secilit prej nesh. Nga zemra - kujtoi Papa - nisen  veprat  e mira e të këqija; nga zemra, ndryshimi i stilit të jetës; nga zemra, premtimet e mbajtura e të pambajtura:

“Nëse e pranon Ligjin e Zotit në zemër, e kupton se kur nuk e do të afërmin, e vret në një farë mënyre vetveten e tjetrin, sepse urrejtja, rivaliteti e përçarja e vrasin dashurinë vëllazërore, bazë e marrëdhënieve ndërpersonale. E kjo vlen edhe për luftërat e thashethemet, ngaqë gjuha vret! Duke e mirëpritur Ligjin e Zotit në zemër, kuptohet se dëshirat duhen udhëhequr, sepse  nuk mund ta kemi gjithçka dëshirojmë, e nuk është mirë t’u lëshojmë fre ndjenjave egoiste e sunduese”.

Hiri i dashurisë

T’i besosh Jezusit! Kjo është rruga që na tregon Papa, për ta ndjerë se nuk jemi vetem, për ta pranuar dorën që na shtrihet, hirin që na premtohet, ndihmën plot mirësi e mëshirë, ngaqë Ai e di se mund edhe të rrëzohemi nga çasti në çast:

“Jezusi është i vetëdijshëm se nuk është aspak e lehtë t’i jetosh plotësisht Urdhërimet. Prandaj na jep ndihmë me dashurinë e Tij. Ai erdhi në botë jo vetëm për të përmbushur ligjin, por edhe për të na dhënë hirin e Tij, që kështu të mund të bëjmë vullnetin e Zotit, duke e dashur Atë e vëllezërit. Gjithçka, gjithçka mund ta bëjmë me hirin e Zotit! Madje shenjtëria nuk është gjë tjetër, veçse ta ruash këtë dhuratë, që na u bë falas, këtë hir, që na dha Zoti”.

Udha e zemrës

Nëse duam ta quajmë veten të krishterë, duhet të ecim në udhën e dashurisë, që na e tregoi Ai vetë e që niset nga zemra. Një udhë që, falë ndërmjetësimit të Marisë, mund ta bëjmë, “për të arritur tek gëzimi i vërtetë e për të përhapur kudo vetëm drejtësi e paqe!”

Përshëndetjet

Gjatë përshëndetjeve, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi posaçërisht shtegtarët italianë e ata, që kishin ardhur nga Kroacia, nga Serbia, nga dioqeza franceze e Trappes e ajo spanjolle e Toledos, si dhe studentët e Kolegjit Asunción Cuestablanca të Madridit.

16 shkurt 2020, 14:42