Mesazh i Papës miqve të Lëvizjes së Fokolarëve Mesazh i Papës miqve të Lëvizjes së Fokolarëve 

Papa kërkon një “Reformë të thjeshtë e rrënjësore, për ta çuar përsëri Kishën tek gurrat e Ungjillit”.

“Takim në periferitë ekzistenciale dhe shoqërore, dialog me të gjitha kulturat e traditat fetare”. Këtë kërkon Papa në mesazhin dërguar ipeshkvijve miq të Lëvizjes së Fokolarëve, pjesëmarrës në kuvendin ndërkombëtar “Karizmë në shërbim të Kishës e të njerëzimit”.

R. SH. - Vatikan

Në mesazhin dërguar ipeshkvijve miq të Lëvizjes së Fokolarëve, pjesëmarrës në kuvendin ndërkombëtar “Karizmë në shërbim të Kishës e të njerëzimit”, Papa Françesku kërkon një “ndryshim me peshë epokale”. Shpreh edhe dëshirën për një  “reformë shpirtërore  e baritore të thjeshtë e rrënjësore, që  ta çojë përsëri Kishën tek gurra  gjithnjë e re dhe aktuale  e Ungjillit të Krishtit”, duke nënvizuar  rëndësinë e “karizmës së unitetit, të sintonizuar plotësisht me magjisterin e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, hir i vërtetë për kohën tonë”.

Kuvendi, i organizuar  në Trento e në Loppiano të provincës së Firencës,  me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së themelueses, Chiara Lubich,  vijon punimet deri më 12 shkurt.

Në mesazh, Papa i fton të gjithë pjesëmarrësit në kuvend ta takojnë me mëshirë e dhembshuri  këdo që jeton e vuan në periferitë ekzistenciale dhe shoqërore. I nxit ta kumtojnë e ta dëshmojnë Ungjillin e Krishtit me gëzim, pa frikë, të pasur vetëm me pasurinë e fesë, të shpresës e të dashurisë. Për t’u bërë kështu, njëri nga të gjithë. Duke nisur nga të fundmit, të përjashtuarit, të flakurit nga radhët, për t’u çuar atyre dritën, gëzimin, paqen.  Shpirti Shenjt - kujton Papa- i hap zemrat. E nxit çdo burrë e çdo grua për dialog me të gjitha kulturat, traditat fetare, bindjet e idealet, për të  ndërtuar së bashku, përmes takimit, qytetërimin e ri të dashurisë.

10 shkurt 2020, 16:25