Papa gjatë takimit me Kalorësit e Kolombos Papa gjatë takimit me Kalorësit e Kolombos  

Papa Kalorësve të Kolombos: “Jini shenjë e dashurisë së Zotit për njerëzimin që vuan"

Françesku priti sot Urdhërin e themeluar 100 vjet më parë nga i nderuari McGivney. Gjatë takimit, i falënderoi anëtarët për angazhimin në favor të bashkësive të Lindjes së Mesme, viktima të luftës, të varfërisë e të persekutimit.

R. SH. - Vatikan

Kalorësit e Kolombos kremtojnë njëqind vjetorin e veprimtarive bamirëse, së bashku me pasardhësin e Shën Pjetrit. Françesku i priti sot në Sallën Klementine, i përshëndeti e i bekoi, duke kujtuar edhe veprat e shumta të realizuara gjatë Luftës I Botërore. Gjatë atyre viteve të vështira, kur njerëzve u mungonte edhe buka e gojës,  Kalorësit, me ftesën e Benediktit XV, iu përgjigjen bujarisht nevojave humanitare të popullsisë, zhytur në mjerimin e luftës.  E jo vetëm kaq! Ndërtuan, pas lufte, qendra sportive për rininë, shkolla, shtëpi, duke iu kushtuar njëherësh edhe  mësimdhënies e katekizmit.

Angazhimi për Lindjen e Mesme

Françesku nënvizoi edhe një aspekt tjetër  të veprimtarisë së kalorësve dhe i falënderoi, duke i quajtur shenjë e dashurisë së Zotit, në mënyrë të veçantë për të shpërngulurit e të përndjekurit:

“Mendoj, posaçërisht, për dëshminë tuaj besnike ndaj shenjtërisë dhe dinjitetit të jetës njerëzore, si në nivel lokal, ashtu edhe kombëtar. Kjo bindje ju nxiti t’i ndihmoni, si materialisht, ashtu edhe shpirtërisht, bashkësitë e krishtera të Lindjes së Mesme, që vuanin në kushtet  e dhunës, të luftës, të varfërisë. Ju falënderoj, sepse shikoni në vëllain e motrën e persekutuar e të shpërngulur të këtyre zonave, të afërmin tuaj, për të cilin jeni shenjë  e dashurisë së pafundme të Zotit”.

Jo, globalizimit të indiferencës

Angazhimi ndaj nevojtarëve, devotshmëria ndaj Papës, krijimi i fondit Vicarius Christi për t’iu përgjigjur misionit universal të dashurisë së krishterë të Kishës - sipas Françeskut - e bëjnë këtë bashkësi, themeluar nga i nderuari Michael McGivney, shembull për t’u ndjekur edhe në përpjekjen për ta shpëtuar botën nga kultura e hedhurinës si dhe nga globalizimi i indiferencës:

“Në botën tonë, që vuan nga përçarjet e pabarazitë, angazhimi juaj i fisëm në shërbim të të gjithë nevojtarëve i frymëzon, posaçërisht të rinjtë, për të kapëcyer globalizmin e indiferencës e për të ndërtuar së bashku një shoqëri  të drejtë, gjithëpërfshirëse, që i pranon të gjithë e nuk përjashton askënd”.

10 shkurt 2020, 13:57