Kërko

Vatican News
 Papa në Bazilikën e Shën Sabinës  në kremtimin e së Mërkurës së Përhime Papa në Bazilikën e Shën Sabinës në kremtimin e së Mërkurës së Përhime  (Vatican Media)

Papa: “Ju lutem, në emër të Krishtit, pajtojuni me Zotin!”

Me ritet e të Mërkurës së Përhime, filloi udha kreshmore. Sot pasdite, në orën 16.30, më parë në Kishën e Shën Anselmit e më pas në atë të Shën Sabinës në Aventin, Papa Françesku nisi liturgjinë “stacionale”, pas së cilës vijoi procesioni pendestar dhe Mesha, me homelinë, në të cilën Papa i ftoi besimtarët për lutje, agjërim, lëmoshë!

R. SH. - Vatikan

Fjalët e para të homelisë së Papës ishin: “Kujtoju se je pluhur, e në pluhur do të kthehesh”. Jemi të ligësht - vijoi- të brishtë, të vdekshëm. Pluhur në univers. Por - të mos e harrojmë - pluhur që Zoti e do fort. Hi, po me shumë domethënie:(

“Hiri na kujton udhën e jetës sonë: nga hiri, në jetë. Jemi pluhur, tokë, baltë, por po ta lëmë Zotin të na japë trajtë, bëhemi një mrekulli e vërtetë. E megjithatë, shpesh, posaçërisht në çaste vështirësish e vetmie, e shohim  mirëfilli se jemi pluhur. Po Zoti na inkurajon: ajo pak që jemi, ka vlerë të pafundme para syve të Tij. Guxim, prandaj, u lindëm për t’u dashur, për të qenë bij të Zotit”.

Këtë theksoi Papa në homeli, për të kujtuar më pas se Kreshmët nuk janë kohë për të derdhur mbi njerëzit moralizma të kota, por për të kuptuar se Zoti e do fort pluhurin tonë. Se është kohë hiri, kohë për të ndërruar rrugën e jetës. Jemi në botë për të ecur nga pluhuri, në jetë. Atëherë të mos e bëjmë shkrumb e hi shpresën, të mos e kthejmë në pluhur ëndrrën që ka Zoti për ne!

Hiri, që e marrim mbi kokë - vijoi të shpjegonte Papa - na i shkund mendimet që kemi aty. Na kujton se ne, bij të Zotit, nuk mund të jetojmë për të ndjekur pluhurin, që zhduket sakaq:

“Nuk jemi në botë për këtë. Vlejmë shumë më tepër: jemi në botë për të realizuar ëndrrën e Zotit, për të dashur. Pluhuri zhduket, po dashuria që dhurojmë - në familje, në punë, në Kishë, në botë - do të na shpëtojë, sepse do të mbetet përgjithmonë”.

Hiri që marrim na kujton një udhë të dytë, të kundërtën, atë që shkon nga jeta, në pluhur.

Sepse:

“Ka në këtë botë shumë pluhur që e ndot dashurinë, e shëmton jetën. Edhe në Kishë, në shtëpinë e Zotit, e lamë të hyjë pluhurin, shumë pluhur, pluhurin e  mendësisë së botës”.

Kemi nevojë për pastrimin e pluhurit, që mblidhet në zemër. Po si t’ia bëjmë? Na ndihmon thirrja e fuqishme e Shën Palit,  në Leximin e dytë:

“ Pajtojuni me Zotin!”

Pali nuk kërkon, lutet:

“Ju lutem, në emër të Krishtit, pajtojuni me Zotin!”.

“Ju lutem, në emër të Krishtit, pajtojuni me Zotin!”.

Ç’duhet të bëjmë, atëhere?

Së pari, të mos harrojmë se mund e duhet të kalojmë nga pluhuri i jetës, nga korpi ynë i brishtë, në Korpin e Krishtit, që na shëron.

Së dyti, për të mos rënë nga jeta - në pluhur, duhet të shkojmë e ta marrin ndjesën e Zotit në Rrëfim. Përqafimi i Atit në Rrëfim na përtërin shpirtin, na pastron zemrën!

“Të duam, për t’u dashur”! Të ngrihemi  përsëri në këmbë, për të ecur drejt cakut, Pashkëve. Do të kemi gëzimin të zbulojmë Zotin,  që do ta ringjallë hirin tonë”.

Me këto fjalë e përfundoi Papa Meshën e fillimit të Kreshmëve, për të vijuar me përhimjen e besimtarëve të pranishëm në Bazilikën e Shën Sabinës.

Kujtojmë se sipas një tradite më të re, por tashmë të konsoliduar, të diel, më 1 mars Françesku dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake do të nisen me autobus drejt Ariccias, për ushtrimet shpirtërore, në program deri më 6 mars.

26 shkurt 2020, 18:05