Kërko

1581076048274.JPG

Papa: të mendosh për arsimin do të thotë të mendosh për të ardhmen e njerëzimit

Arsimi është një nga sfidat kryesore me të cilat përballet shoqëria e sotme. Papa Françesku e kujtoi këtë duke pritur pjesëmarrësit në seminarin e promovuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore në përgatitje të takimit botëror “Global Compact on Education”, që do të mbahet në Vatikan, më 14 maj.

R.SH. - Vatikan

“Çdo brez duhet ta rishikojë transmetimin e njohurive dhe të vlerave për brezin e ardhshëm, sepse vetëm përmes edukimit, njeriu arrin mundësitë e tij maksimale dhe bëhet i vetëdijshëm, i lirë dhe i përgjegjshëm”. Në këtë frazë, Papa Françesku, i cili priti sot pjesëmarrësit në kuvendin me titull “Edukimi: pakti global”, që përfundoi sot në Vatikan, në përgatitje të takimit të rëndësishëm të majit, përmblodhi synimin e diskutimeve dhe të propozimeve, që u dëgjuan dje e sot në takimin e organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore. Kujtojmë se më 14 maj 2020, me nxitjen e Papës Bergoglio, do të mblidhen në Vatikan, përfaqësuesit e feve kryesore, eksponentë të organizmave ndërkombëtare dhe të institucioneve të ndryshme humanitare, të botës akademike, ekonomike, politike e kulturore, për të nënshkruar një “Pakt Global mbi Edukimin”, që secili do të impenjohet ta zbatojë në fushën e vet e do të përpiqet ta përhapë sa më shumë të jetë e mundur.

Edukimi përmes mendjes, zemrës dhe duarve

 E sot, në takimin me pjesëmarrësit e seminarit përgatitor për 14 majin, Ati i Shenjtë vuri në dukje se “të mendosh për edukimin dhe arsimimin, do të thotë të mendosh për brezat e ardhshëm dhe për të ardhmen e njerëzimit, prandaj është diçka e rrënjosur thellë në shpresë dhe kërkon bujari e guxim”. Si gjithnjë, Papa vuri në dukje idenë e tij të arsimimit, që e ka përsëritur edhe herë të tjera e që përfshin “mendjen, zemrën dhe duart”:

“Duke promovuar mësimin përmes mendjes, zemrës dhe duarve, edukimin intelektual e shoqëroro-emocional, transmetimin e vlerave dhe të virtyteve individuale e shoqërore, nxitjen e një qytetarie të impenjuar dhe solidare me drejtësinë e, duke përçuar aftësi dhe njohuri, që i formojnë të rinjtë për botën e punës e të shoqërisë, familjet, shkollat dhe institucionet bëhen mjete thelbësore për fuqizimin e brezit të ardhshëm”.

Nevojitet një pakt i ri edukativ

 Papa Françesku denoncoi mosrespektimin e paktit aktual edukativ, që do të thotë se “si shoqëria, ashtu edhe familja dhe institucionet e ndryshme, të cilat duhet të edukojnë, ua delegojnë këtë detyrë vendimtare edukative të tjerëve”, duke iu ikur përgjegjësive të tyre. Për një pakt të ri edukativ, nënvizoi Ati i Shenjtë, duhen integruar njohuritë, kultura, sporti, shkenca, argëtimi dhe çlodhja.

“Brezat e rinj duhet ta kuptojnë qartë traditën dhe kulturën e tyre, në marrëdhënie me të tjerat, në mënyrë që të arrijnë ta kuptojnë vetveten, duke u bërë ballë e duke i pranuar dallimet dhe ndryshimet kulturore… [Nevojitet] një edukim, që i bën të aftë të gjejnë dhe të promovojnë vlerat e vërteta njerëzore në një perspektivë ndërkulturore dhe ndërfetare”.

Familja, element thelbësor për përmirësimin e cilësisë së edukimit

Papa Françesku theksoi rolin e rëndësishëm të familjes dhe të bashkësive lokale, të cilat duhen përfshirë në projektet edukative, si në nivelin shkollor, ashtu edhe në atë shoqëror. E përgjegjësia e familjes fillon që kur fëmija është në barkun e nënës, që kur lind.

 “Por nënat, baballarët, gjyshërit e familja në përgjithësi, për të luajtur rolin e saj edukativ parësor në kuadrin e ri global, ka nevojë për ndihmë që të kuptojë rëndësinë e kësaj faze fillestare të jetës dhe të jetë e përgatitur për të vepruar”.

Mësuesit, “artizanë” të brezit të ardhshëm

E Papa s’mund të mos përmendte rolin e mësuesve, “artizanë” të vërtetë të brezave të ardhshëm. Me dijen, durimin dhe përkushtimin e tyre, ata u transmetojnë fëmijëve dhe të rinjve një qëndrim, që shndërrohet në pasuri jo materiale dhe formon burrin e gruan e së nesërmes.

“Nëse objektivi ynë është t’i ofrojmë çdo njeriu dhe çdo bashkësie një nivel njohurish, të domosdoshme për të krijuar autonominë personale dhe për të bashkëpunuar me të tjerët, është e rëndësishme të kujdesemi për formimin e edukatorëve me standartet më të larta cilësore, në të gjitha nivelet akademike”.

Së fundi, Ati i Shenjtë i lavdëroi pjesëmarrësit e seminarit “Edukimi: pakti global” – akademikë nga universitetet më të mira të botës – për të gjitha studimet e diskutimet mbi përdorimin e metodave e të teknologjive të reja për mësimdhënien; mbi përfshirjen e fëmijëve, që aktualisht nuk kanë shumë mundësi arsimimi, në botën e edukimit; mbi edukimin e refugjatëve dhe të emigrantëve; mbi luftën kundër pabarazive; mbi mjetet për t’u bërë ballë pasojave që ndryshimi i klimës ka edhe mbi arsimimin; mbi mënyrat për të forcuar bazat e një shoqërie më njerëzore, më të shëndoshë, më të drejtë e më të lumtur. Duke i inkurajuar në këtë udhë, Papa përfundoi me fjalët: “Nuk është punë për nesër, por për sot!”

07 shkurt 2020, 12:58