Kërko

Papa gjatë Meshës në Shën Martë Papa gjatë Meshës në Shën Martë  

Papa falënderon Patricien, zonjën që doli në pension, pasi u kujdes një jetë të tërë për Shtëpinë e Shën Martës

Papa e falënderoi publikisht një Zonjë, që u kujdes shumë vite me radhë për Shtëpinë e Shën Martës e tani doli në pension.

R. SH. - Vatikan

Falënderim publik! Drejtuar një Zonje, që u kujdes gjatë shumë viteve për Shtëpinë e Shën Martës, ku jeton Papa. E tani, pasi kaloi vite e vite në këtë shtëpi, që u bë si e saja, i erdhi ora të prehet paksa. Në pension. Dalje jo e zakonshme! E shoqëruar me falënderimin e papritur nga vetë Françesku, gjatë Meshës së mëngjesit. Të vjen vetvetiu në mendje pyetja: “Sa vetë kanë dalë sot në pension, në botën e madhe? E sa kanë pasur fatin të  falënderohen nga eprorët e tyre për ndihmesën e dhënë një jetë të tërë?! Kush e di!

Po Papa nuk e harron djersën e derdhur në mjediset e Kishës e të atyre, që i shërbejnë:

“Sot – theksoi gjatë homelisë - është dita për t’i falënderuar e për t’u kërkuar falje, nga gjithë zemra, të gjithë njerëzve që na shoqëruan për një copë  rrugë a për gjithë jetën…E dëshiroj të përfitoj, me rastin e largimit të Patricies, për këtë falënderim! Secili prej nesh ta bëjë këtë me ata, që e shoqërojnë a e shoqëruan. E edhe me ata, që punojnë këtu, në këtë shtëpi. Një falënderim të madh, të madh. E ju, Patricia, që po nisni këtë pjesë të dytë të jetës, ju uroj edhe 40 vjet të tjera!”.

Ky, urimi i Papës! Sa nga ata, që dolën këto ditë në pension, e patën fatin ta nisin pjesën e dytë të udhës së jetës, të shoqëruar me këtë urim fatbardhë, në një botë që gjithnjë më shpesh i shikon pensionistët si barrë e rëndë?  Kush e di! Kronikat e botës nuk merren me këto çaste kaq prekëse për ata, që e shkrijnë jetën në dobi të njeriut e të njerëzimit duke vënë në jetë fjalët e Krishtit: “Ma keni bërë mua!”.

14 shkurt 2020, 16:10