Kërko

Motër Augusta: ne gratë do të vazhdojmë ta mbrojmë jetën në Amazonë

Sot paradite, konferenca e shtypit për paraqitjen e Nxitjes apostolike pas-sinodale të Papës Françesku “Querida Amazonia”. Folën kardinajtë Baldisseri dhe Czerny, atë Araújo dos Santos, motër de Oliveira, profesor Nobre dhe ipeshkvi Martinez.

R.SH. - Vatikan

“Të ëndërrojmë për dhe me Amazonën”. Kjo është rruga, që tregon Papa në Nxitjen apostolike pas-sinodale “Querida Amazonia”, sipas motrës Augusta de Oliveira, vikare e përgjithshme e Shërbëtoreve të Zojës Shpërblyese. Me fjalë plot dashuri dhe mirënjohje, rregulltarja, Kongregata e së cilës është e pranishme që prej 100 vitesh në Rajonin Panamazonik, komentoi, gjatë konferencës së sotme të shtypit, Nxitjen apostolike të Papës për t’u impenjuar në favor të të drejtave të më të varfërve, të indigjenëve, të afro-amerikanëve, të grave dhe të popujve, që punojnë në fshtra e në qytete: janë ato skenarë, që Sinodi i tetorit të kaluar i solli në vëmendjen e gjithë Kishës.

         Në gojën e saj, tingëlluan fuqishëm fjalët e Papës për praninë e grave “të forta e bujare” në Amazonë, ku mbajtën në këmbë Kishën, duke u transmetuar fenë brezave të rinj, edhe kur, me dhjetëvjeçarë, “asnjë meshtar nuk kalonte andej pari”. Murgesha siguroi se gratë do ta vazhdojnë impenjimin e tyre në mbrojtje të jetës së kërcënuar në Amazonë. Motër Augusta de Oliveira kujtoi jetën e dhuruar nga shumë misionarë në tokat amazonike – meshtarë, rregulltarë e laikë. Gjatë gjithë konferencës për shtyp, u përmend shpesh dëshmia e motër Dorothy Stang, vrarë nga kriminelët 15 vite më parë, në Anapu të Brazilit, për impenjimin e saj kundër shpyllëzimit. Gjithnjë përkrah fshatarëve dhe punëtorëve, vdiq me Bibël në dorë.

         Më pas, atë Adelson Araùjo dos Santos, pedagog i Përshpirtërisë në Universitetin Papnor Gregorian, në Romë, foli mbi katër ëndrrat e Papës Françesku në fushën shoqërore, kulturore, ekologjike e, sidomos, në atë baritore. Atë dos Santos pati marrë pjesë si ekspert në Sinodin kushtuar Amazonës e, ashtu si Papa, e sheh kujdesin për ambientin e për vëllezërit e këtij rajoni, me sytë e poezisë, që shpreh dashurinë për këtë tokë. Kush do, edhe kujdeset, nënvizoi ai. Fjala “ëndërr” ndjek traditën biblike, vijoi më pas, duke përmendur ëndrrën e shën Jozefit, fatit të Marisë, që bëhet vendi ku Zoti zbulon planet e tij. Jo vetëm Papa Françesku, por edhe Benedikti XVI përdori të njëjtën gjuhë, duke u mësuar të rinjve se asnjë ëndërr nuk është e paarritshme, kur ai që e frymëzon atë është Shpirti i Zotit. Prandaj, në secilën prej ëndrrave të Papës, shprehur në “Querida Amazonia” mund të shihet thirrja për kthesë, formuluar edhe nga etërit sinodalë në Dokumentin përfundimtar.

         Kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, përvijoi gjenezën e Asamblesë sinodale, që nga njoftimi i Papës në Engjëllin e Tënzot të 15 tetorit 2017. Ai kujtoi, ndër të tjera, konsultimin e gjerë mbi Amazonën, në fazën përgatitore, si edhe pjesëmarrjen e 25 ekspertëve dhe 16 përfaqësuesve të popujve indigjenë. Dokumenti përfundimtar iu dorëzua Papës e ai vetë deshi që të botohej. Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me “Episcopalis communio” në Sinodin e Ipeshkvijve, kardinali Baldisseri sqaroi se Dokumenti përfundimtar nuk e ka miratimin e shprehur haptas të Papës, i cili nxit të lexohet ai. Prandaj, duke qenë se nuk ka fjalë që e miratojnë atë qartas, ky dokument ka “një farë autoriteti moral”, por nuk bën pjesë në magjisterin e zakonshëm. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, e konfirmoi këtë, duke nënvizuar se ky Dokument duhet lexuar në dritën e Nxitjes “Querida Amazonia” - e cila është pjesë e magjisterit të zakonshëm të Pasardhësit të shën Pjetrit. Nxitja apostoliek është nënshkruar në Shën Gjonin në Lateran, gjë që ndodh - sqaroi ai - kur i njihet dokumentit një vlerë sidomos baritore.

         E rëndësishme, edhe ndërhyrja e prof. Carlos Nobre, shkencëtar dhe fitues i Çmimit Nobel 2007, i cili merret prej vitesh me çështje ekologjike. Sipas tij, Nxitja “Querida Amazonia” i referohet një modeli zhvillimi, që nuk lë pas askënd. Duhet integruar urtia e lashtë indigjene me teknologjitë e reja, për të gjetur një udhë të tretë, e cila nuk është as ajo e ruajtjes së paprekur të Amazonës, e as ajo e zhvillimit me intensitet të lartë të saj. Edhe kardinali Michael Czerny, sekretar i veçantë i Sinodit, nënvizon se Amazona i ka bërë përshtypje Papës për bukurinë e saj, por edhe për vuajtjet që pëson, prandaj Nxitja, e cila fillon si një letër dashurie, kujton se vetëm ajo që duhet, mund të shpëtohet.

12 shkurt 2020, 17:51