Kërko

Papa Françesku kërkon lutje për emigrantët dhe viktimat e trafikut

Në videomesazhin, me të cilin Papa Françesku i njofton botës ndjetin e lutjes për muajin shkurt, Ati i Shenjtë bën thirrje për ta dëgjuar britmën e migrantëve, shumë prej të cilëve bien viktima të trafikut kriminal.

R.SH. - Vatikan

Në muajin shkurt, që sapo ka filluar, videomesazhi i ndjetit të lutjes së Papës Françesku përqendrohet mbi situatën e miliona grave dhe burrave migrantë, shpesh, viktima të trafiqeve të ndryshme, ndër të cilat ai i njerëzve. Ati i Shenjtë uron që secili prej nesh të ndalet e ta dëgjojë britmën e dëshpëruar të sa e sa njerëzve, që vuajnë nga ky realitet, i cili duhet luftuar.

Video e realizuar bashkë me Seksionin për Migrantët e Refugjatët

Video për ndjetin e lutjes së muajit shkurt, i dyti i këtij viti, është realizuar - si gjithnjë - nga Rrjeti i Lutjes së Papës, por kësaj radhe, edhe me bashkëpunimin e Seksionit për Migrantët e Refugjatët në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, mbi bazën e bindjes se duhen përpjekje dhe vëmendje e veçantë për të mos e përjashtuar e për të mos e harruar atë, që detyrohet të emigrojë. Kjo video është përgatitur edhe duke pasur parasysh Ditën Botërore të Lutjes e të reflektimit kundër trafikut të njerëzve, që do të kremtohet më 8 shkurt. Dita promovohet nga Talitha Kum, Rrjeti ndërkombëtar i rregulltareve kundër këtij trafiku, themeluar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme (UISG). Gjatë fushatës kundër trafikut të njerëzve, secili mund të shprehë mendimin e vet e të lutet, edhe përmes rrjeteve shoqërore, duke përdorur hashtagun #PrayAgainstTrafficking.

Shifra dhe fakte

Në vitin 2019 numri i migrantëve ndërkombëtarë arriti në 271.6 milion në të gjithë botën, krahasuar me 258 milion në vitin 2017. Prej tyre, 47,9% përfaqësohet nga gra dhe 13,9% nga fëmijë e të rinj nën moshën 19 vjeç. Nga ana tjetër, Raporti Global për Trafikimin e Qenieve Njerëzore 2018, paraqitur në janar 2019 në Vjenë, analizon rreth 24.000 raste të dokumentuara ndërmjet viteve 2014 dhe 2016, në 142 vende. Këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut, pasi shumë nga viktimat nuk janë identifikuar dhe jo të gjitha vendet kanë mjete të përshtatshme për përndjekjen e këtij krimi.

“Ku është vëllai yt?”

Në ndjetin e tij të lutjes, ndër arsyet e kësaj plage, Papa Françesku sinjalizon “korrupsionin e atyre, që janë gati për gjithçka, veç për t’u pasuruar”. Zv.Sekretari i Seksionit për Migrantët dhe Refugjatët, kardinali Michael Czerny, jezuit, kujtoi sot, gjatë paraqitjes së videos, “Orientimet Baritore mbi Trafikun e Njerëzve”, të cilat janë të rëndësishme jo vetëm për Kishën, por edhe për gjithë ata, që duan të luftojnë së bashku me të kundër këtij krimi. Orientimet përfundojnë me një thirrje urgjente të Papës Françesku, marrë nga Nxitja Apostolike “Evangelii Gaudium”: “Më ka shkaktuar gjithnjë dhimbje gjendja e atyre, që janë objekt i formave të ndryshme të trafikut të njerëzve – shkruan Ati i Shenjtë. – Do të doja të dëgjohej britma e Hyjit, i cili na pyet të gjithëve: ‘Ku është vëllai yt? (Zan 4,99) Ku është vëllai yt skllav?... Ka shumë fajtorë. Pyetja është për të gjithë!”.

Vetëm në lutje gjejmë forcën dhe frymëzimin

Drejtori Ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, atë Frédéric Fornos, edhe ai jezuit, iu referua udhëtimit të Papës në Tajlandë, gjatë të cilit Ati i Shenjtë kujtoi atë Pedro Arrupen, themeluesin e Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët, duke kërkuar lutje. “Duhet ta kujtojmë mirë: lutje – theksoi atë Fornos. – Si të thuash: në atë periferi fizike mos e harroni edhe këtë tjetrën, shpirtëroren. Vetëm në lutje gjejmë forcën dhe frymëzimin për të hyrë si duhet e frytshëm në të gjitha problemet e shkaktuara nga padrejtësia shoqërore”.  

Të dëgjohet britma e vëllezërve migrantë

E sot, me një kërkesë universale, Papa Françesku na fton të lutemi “që britma e vëllezërve migrantë, rënë në duart e trafikantëve të paskrupull dhe viktima të trafikut, të dëgjohet e të merret parasysh”.

Teksti i plotë i lutjes së Papës:

Shpesh, migrantët janë viktima të trafikut të njerëzve. Ndër arsyet e ndryshme, kjo vjen për shkak të korrupsionit të atyre, që janë gati për gjithçka, veç të pasurohen. Paratë e punëve të tyre – janë punë të ndyra, të fshehura – janë para të njollosura me gjak. Nuk po e teproj: janë para të njollosura me gjak.

 Të lutemi që britma e vëllezërve tanë migrantë, rënë në duart e trafikantëve të paskrupull dhe viktima të trafikut, të dëgjohet e të merret parasysh.

06 shkurt 2020, 16:02