Kërko

Vatican News
  Papa Françesku në lutje Papa Françesku në lutje 

Lutjet e Papës për Vitin 2021. Intervistë me atë Fornos

Edhe për vitin e ardhshëm Papa Françesku ia besoi Rrjetit të tij botëror të lutjes ndjetet që do të na shoqërojnë nga muaji në muaj: gratë, misionet, mbrojtjen e ekosistemeve, martesën, sakramentin e rrëfimit…për të kujtuar vetëm disa nga temat. Gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” foli për këtë me jezuitin Frédéric Fornos, drejtor i Rrejtit.

R. SH. - Vatikan

Ta shikojmë Krishtin në çdo vëlla e ta shndërrojmë gjendjen fizike, morale e shpirtërore në të cilën ndodhet, në shkas për t’u lutur: ky është frymëzimi kryesor i Apostullimit të Rrjetit Botëror të Lutjes, të cilit Papa Françesku  ia besoi, si çdo vit, edhe ndjetet e tij për vitin 2021.

Drejtori ndërkombëtar, jezuiti Frédéric Fornos, shpjegoi, në gazetën “Osservatore Romano” motivimet dhe përmbajtjen e temave  të zgjedhura për këtë vit.

Cilat janë të rejat në ndjetet për vitin e ardhshëm?

“Kur, më 28 qershor 2019 kremtuam 175 vjetorin e Apostullimit të  Uratës, sot Rrjeti botëror i lutjes së Papës, Ati i Shenjtë konfirmoi bazën e misionit tonë: Është mision mëshire për botën. Mund ta quajmë edhe ‘udhë zemre’, domethënë, shtegtim në lutje, që e shndërron zemrën e njerëzve. Ndjetet e lutjes së Papës lindin pikërisht nga ky përdëllim për botën e, prej këndej, shprehin sfidën e njerëzimit e të Kishës. Kur Françesku na i beson ndjetet e tij të lutjes, na ndihmon t’i afohemi Zemrës së Krishtit, ta kundrojmë botën me sytë e Tij. Zemra e Krishtit është aq e madhe, sa dëshiron t’i pranojë të gjithë në revolucionin e dashurisë.  Afërsia me zemrën e Zotit e nxit zemrën tonë t’i afrohet vëllait me dashuri,  e ndihmon ta mëshirojë botën. Nga ky burim lind vëllazërimi njerëzor, për të cilin Papa ngulmon aq shumë. E pikërisht vëllazërimi është edhe pikënisja e ndjeteve të Papës për vitin 2021: ‘Hiri për të jetuar në vëllazërim të plotë me vëllezërit e motrat e feve të tjera’. Kjo na kujton menjëherë Dokumentin mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe për bashkëjetesën, nënshkruar nga Ati i Shenjtë dhe Imami i Madh i al-Azhar. Sot, më shumë se kurrë, ndjehet urgjenca për këtë vëllazërim. Mjafton t’i hedhin vetëm një sy botës sonë, për ta kuptuar. Prandaj Papa na kujton se nuk ka alternativë: ose do ta ndërtojmë së bashku ardhmërinë, ose nuk do të ketë ardhmëri! Fetë, në mënyrë të veçantë, nuk mund të heqin dorë nga detyra urgjente për ndërtimin e urave ndërmjet popujve e kulturave. Kjo urgjencë për vëllazërim nuk është gjë e re, por është themelore për t’i kuptuar e për t’i jetuar ndjetet e lutjes së Papës. Nuk është, pra, rastësi, që ndjetet për vitin 2021 nisin kështu. Vëllazërimi,  që i respekton dhe i vlerëson larmitë, është stili i Mbretërisë së Zotit”.

A ka përparësi tjera të veçanta?

“Janë sfidat e njerëzimit,  të cilat nuk janë dukur ndonjëherë në ndjetet e lutjes së Papës. Por kryesorja është që, me ndihmën këtyre ndjeteve  të lutjes, të shohim Krishtin në çdo vëlla. Zoti na e ofron rrugën për ta parë. E Vëllazërimi është protokolli i Gjyqit të Mbramë: 'Sa herë që t’ia bëni këto gjëra njërit nga vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua!'.  Po kush janë të tjerët? Gratë, viktima të dhunës, që duhen mbrojtur! Burrat, që vuajnë nga sëmundjet e kohës sonë, kryesisht nga depresioni, që duhen shëruar! Ata, që vënë jetën në rrezik për të drejtat e themelore të shkelura nga diktaturat ose nga demokracitë në krizë, që duhen shpëtuar nga prangat… E ungjillëzimi mbetet gjithnjë detyrë kryesore, që u paraprin të gjitha të tjerave! Jemi të dërguar ta çojnë mëshirën e Krishtit në periferitë e jetës njerëzore, t’i shërojmë zemrat e copëtuara, ta shikojmë njerëzimin me sytë e Krishtit!”.

14 shkurt 2020, 13:11