Kërko

Papa Françesku dhe Mitropoliti Hilarion i Volokolamskut Papa Françesku dhe Mitropoliti Hilarion i Volokolamskut 

Hilarion tek Papa: të punojmë së bashku për mbrojtjen e të krishterëve të Lindjes së Mesme

Audiencë në Vatikan, sot paradite, për mitropolitin Hilarion të Volokolamskut, kryetar i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Patriarkanës së Moskës. Katër vite pas takimit të Papës Françesku me Patriarkun Kirill, në Havanë, projektet kulturore e shoqërore katoliko-ortodokse kanë bërë hapa përpara, sidomos impenjimi i përbashkët në përballimin e persekutimit të të krishterëve në botë.

R.SH. - Vatikan

Me rastin e 4-vjetorit të takimit historik ndërmjet Papës Françesku dhe Patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusive Kirill, mitropoliti Hilarion, kreu i Departamentit për Marrëdhëniet e Jashtme të Patriarkanës së Moskës, ndodhet në Romë e sot paradite u prit nga Papa Françesku në audiencë, në Vatikan. Dje mitropoliti u takua me kardinalin Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve. Të dy mbajtën relacione në konferencën me temë “Shenjtorët - Shenja dhe fara uniteti”, si edhe morën pjesë në koncertin festiv.

         Sot paradite, mitropoliti Hilarion u prit nga Papa Françesku, në përfundim të punimeve të Grupit të përzier katoliko-ortodoks, i cili shqyrtoi arritjet e bashkëpunimit ndërmjet dy Kishave, në fushën kulturore dhe shoqërore, 4 vite pasi Ati i Shenjtë nënshkroi së bashku me Patriarkun ortodoks Kirill, në Havanë, Deklaratën e përbashkët të 12 shkurtit 2016. Përveç këtyre argumenteve, mitropoliti Hilarion ndau me Papën shqetësimin e Kishës Ortodokse Ruse për persekutimin e të krishterëve në Lindjen e Mesme, arsyeja kryesore e takimit të Papës me Patriarkun, katër vite më parë. Për një kohë të gjatë, mediat dhe politikanët perëndimorë bënin sikur nuk e shihnin gjendjen dhe nuk flisnin për të, ndërsa Papa dhe Patriarku ishin ndër të parët, të cilët denoncuan kërcënimin, që vinte nga ajo zonë, duke u përpjekur të tërhiqnin vëmendjen e mediave botërore. Edhe sot, në audiencën e Atit të Shenjtë me mitropolitin Hilarion u theksua se duhet bërë gjithçka është e mundur për të ruajtur praninë e krishterë në Lindjen e Mesme.

Sot, pasdite, mitropoliti Hilarion paraqiti në Romë përkthimin e vëllimit të fundit “Vdekja dhe Ngjallja”, që i përket serisë me titull “Jezu Krishti. Jeta dhe mësimet e tij”, botuar dy vitet e fundit.

13 shkurt 2020, 16:51