Kërko

Fushata e Vëllazërimit të Kishës në Brazil Fushata e Vëllazërimit të Kishës në Brazil 

Fushata e Vëllazërimit në Brazil, Papa: Kisha të jetë samaritane

Thirrja për dhembshuri ndaj më të ligshtëve, në qendër të Mesazhit të Papës Françesku për Fushatën e Vëllazërimit të Kishës në Brazil. E fuqishme, nxitja për t’i jetuar Kreshmët, duke e përforcuar vlerën e jetës si dhuratë dhe impenjim.

R.SH. - Vatikan

Për të kapërcyer “globalizimin e indiferencës”, duhet të imitojmë Samaritanin e Mirë. Praktikisht, kjo do të thotë ta hapim zemrën “që të tingëllojë brenda nesh britma e vëllezërve nevojtarë”, të cilët vuajnë më shumë kudo në botë. Kjo është rruga, që përcakton Papa Françesku në Mesazhin drejtuar besimtarëve brazilianë për fillimin e Fushatës së Vëllazërimit, të cilën Kisha e organizon që prej 50 vitesh, gjatë periudhës kreshmore.

Të shohim me sy, të ndiejmë dhembshuri e të kujdesemi

         Kthimi në udhën e Zotit, për të cilin na nxit Koha e Kreshmëve, nuk duhet ndarë nga shërbimi për vëllezërit, nënvizon Ati i Shenjtë. Këtë vit, nisma e Kishës braziliane përqendrohet në vlerën e jetës dhe në përgjegjësinë e kujdesit për të. “Vëllazërimi dhe jeta: dhurata dhe impenjimi” është tema e zgjedhur nga Konferenca Ipeshkvnore Braziliane, e cila i fton besimtarët t’i jetojnë Kreshmët përmes tre qëndrimeve kryesore: shikoni, - nxisin ipeshkvijtë - ndjeni dhembshuri dhe kujdesuni, duke ndjekur shembullin e Samaritanit të Mirë. E Papa, duke i përgëzuar barinjtë e Kishës në Brazil, uron që Kreshmët dhe Fushata e Vëllazërimit, përjetuar në mënyrë të pandashme, të jenë “kohë për forcimin e vlerës së jetës, si dhuratë dhe impenjim”. Jeta është dhuratë e dashurisë së Zotit, shkruan Ati i Shenjtë, “për të cilën ne duhet të kujdesemi vazhdimisht”.

Shembulli i motër Dulce-s së Varfanjakëve

         Lëngimi i “motrës Tokë” dhe psherëtimat e “të braktisurve të botës”, vijon më tej Françesku, duke përmendur enciklikën “Laudato sì”, na bëjnë thirrje të ndryshojmë rrugë. Duhet të jemi “Kishë Samaritane”, kërkon Ati i Shenjtë me termin, që doli nga Konferenca e Përgjithshme e Ipeshkvijve amerikanolatinë e karaibikë, mbajtur në Aparecida, në maj 2007. Kreshmët janë kohë e përshtatshme për të shprehur dhembshurinë, që konkretizohet në solidaritet e kujdes për të tjerët. Papa u jep ipeshkvijve brazilianë shembullin e shën Dulce-s së Varfanjakëve, murgeshës që ia kushtoi gjithë jetën kujdesit për të varfërit dhe për të mënjanuarit e shoqërisë, kanonizuar nga vetë Françesku tetorin e kaluar.

26 shkurt 2020, 12:55