Kërko

 Në Siri vijon konflikti Në Siri vijon konflikti 

Françesku: të lutemi për Sirinë e dashur, që gjakoset prej vitesh

Papa kërkon të lutje për Sirinë e martirizuar, vend i tronditur thellë nga dhuna dhe mungesa e stabilitetit.

R. SH. - Vatikan

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa kërkoi përsëri lutje për Sirinë, vend i trandur nga lufta që, duke nisur nga viti 2011, shkaktoi mijëra viktima:

“Dëshiroj - tha Papa - që në këtë çast të gjithë të luten për Sirinë e dashur e të martirizuar. Shumë familje, shumë pleq e fëmijë duhet të ikin nga lufta. Siria gjakoset prej vitesh. Të lutemi për Sirinë!”.

Thirrja në lutjen e Engjëllit të Tënzot

Fjalëve të shqiptuara nga Papa pas katekizmit, u shtohet thirrja e fuqishme drejtuar aktorëve në konflikt të dielën e kaluar, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot:

 “Vijojnë të vijnë lajme të dhimbshme nga veri-perëndimi i Sirisë, posaçërisht lidhur me kushtet në të cilat jetojnë shumë gra e fëmijë, njerëz që detyrohen të ikin nga shkaku i shkallëzimit të veprimeve ushtarake. I përsëris thirrjen bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë aktorëve  në konflikt t’i mbështesin  mjetet diplomatike, dialogun dhe bisedimet, duke respektuar të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare për të shpëtuar jetën dhe fatet e civilëve”.

Dhimbja e Papës për Sirinë: dialogu dhe diplomacia ta ndalojnë luftën!

Gjatë papnisë së tij, Papa Françesku e ka kujtuar më se një herë situatën dramatike në Siri. Në një letër, drejtuar presidentit sirian Bashar Hafez Al-Assad, datuar 28 qershor 2019, e inkurajon kreun e shtetit të Sirisë të tregojë vullnet të mirë për t’i dhënë fund situatës së tmerrshme, pas sulmit kundër qytetit Idlib, në veri-perëndim të vendit. Akoma sot, në këto zona të martirizuara të Sirisë njerëzit vijojnë të vdesin. E shumë detyrohen  të largohen nga shtëpitë e tyre.

Kur do t’i jepet fund krizës?

Për Sirinë e dashur Françesku ka bërë më se një herë thirrje, duke nxitur për lutje e për gjetjen e udhëve të dialogut e të paqes. Por, për fat të keq, mbetet ende pa përgjigje pyetja, që bëri Papa në mesazhin Urbi et Orbi të vitit 2013:

“Sa gjak u derdh! E sa vuajtje duhen pësuar akoma, derisa të mund të gjendet  rrugëzgjidhja politike e krizës?”.

12 shkurt 2020, 13:32