Kërko

Vatican News

Françesku nxit të lutemi për Kishën, sidomos, në çaste të vështira

Apostullimi i uratës i shoqëron gjithnjë Kishën e barinjtë. Papa e nënvizoi këtë në përshëndetjen drejtuar besimtarëve, mbledhur jashta Bazilikës së Shën Nikollës, në Bari. Para kësaj përshëndetjeje, Françesku u lut në Kriptën, ku ruhen reliket e Shenjtit.

R. SH. - Vatikan

Françesku zbriti në Kriptën e Bazilikës së Shën Nikollës, ku nderoi reliket e Shenjtit, sjellë në Bari në vitin 1087 nga Myra, në Turqinë e sotme, e ruajtur poshtë altarit. Etërit domenikanë, rojtarë të Bazilikës, e shoqëruan Papën në këtë çast lutjeje.

Lutja është forca e bashkësisë së krishterë

Para bashkëkremtimit eukaristik në Rrugën Vittorio Emanuele, Ati i Shenjtë, duke dalë nga Bazilika, e përshëndeti turmën e mbledhur në shesh. Ishte një falënderim i ngrohtë ai, që u drejtoi njerëzve të grumbulluar aty prej orësh, në një ditë plot diell, po ende dimërore. Papa i falënderoi besimtarët posaçërisht për shoqërimin me lutje të punimeve të takimit “Mesdheu, kufi i paqes”:

“Lutjet janë forca, forca e bashkësisë së krishterë. Barinjtë luten, po duhet edhe të punojnë këto ditë reflektimi. Ata e ndjejnë veten të shoqëruar e të sigurt me lutjet tuaja. Unë ju falënderoj shumë për këtë punë, këtë apostullim të lutjes, lutjes për Kishën. Mos harroni: lutuni për Kishën, për barinjtë, e edhe në çastet e këqija; atëhere edhe më shumë,  që të vijë Zoti  e t’i zgjidhë problemet”.

Shembulli i Virgjërës Mari

Para se t’u jepte bekimin besimtarëve, një lutje drejtuar Marisë, që – kujtoi Papa – u lut shumë gjatë gjithë jetës, “duke e shoqëruar Kishën në udhën e saj në çdo kohë”.

23 shkurt 2020, 12:09