Dhurimi i relikeve Dhurimi i relikeve 

Françesku i dhuron Patrikut bullgar Neofit reliket e Shenjtorëve

Nunci apostolik në Bullgari, imzot Pecorari, dorëzoi dje, në Sofie, reliket e Shën Klementit, Papë e martir si dhe të Shën Potitit, martir, dhuratë e Françeskut për Shenjtërinë së Tij Neofit. Patriku i Kishës Ortodokse të Bullgarisë shprehu kënaqësinë e tij për “këtë gjest vëllazëror” nga ana e Papës.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku i dhuroi Shenjtërisë së Tij Neofit, Metropolit i Sofjes e patrik i Kishës ortodokse të Bullgarisë, reliket e Shën Klementit Papë e  martir, si dhe të Shën Potitit, martir. Njoftimin e dha, përmes një komunikate, nunciatura apostolike në Bullgari. Reliket u priten dje, me një ceremoni prekëse, në selinë e Patrikut. Dhuratën ia dorëzoi Shenjtërisë së Tij Neofit, nunci, imzot Anselmo Guido Pecorari, si shenjë kujtimi i shtegtimit apostolik të Françeskut në Bullgari, në maj 2019.

Lutja e Papës për bashkimin e të krishterëve

Gjatë takimit shumë të përzemërt të delegacionit të Kishës katolike, të pranishëm në Bullgari, dhe delegacionit të Patrikut bullgar, imzot Pecorari  uroi që  dhurata e çmuar e relikeve të jetë simbol i lutjes së Papës për bashkimin e të krishterëve dhe i respektit reciprok, që karakterizon marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Patriarkanës ortodokse të Bullgarisë. Reliket e Shën Klementit papë, së bashku me ato të  Shën Potitit, “rikthehen në këto troje  ku – shtoi prelati - patën jetuar Shenjtorët Martirë, dëshmitarë të veprimtarisë misionare të Shenjtorëve Çirili e Metodi”

Bekim i madh

Shenjtëria e Tij Neofit shprehu mirënjohjen për “gjestin vëllazëror” ndaj Kishës ortodokse të Bullgarisë, e cila e mori dhuratën e Papës “si bekim i madh”. Kujtoi edhe fragmentet nga reliket e Shën Daçios të Dorostolit,  dhuruar Kishës ortodokse të Bullgarisë nga Shën Gjon Pali II, në vitin 2002, si dhe të Shën Gjergjit martir, dhuratë e Benediktit XVI, në vitin 2006. “Dëshmia e fesë e Shenjtorëve dhe e martirëve të Krishtit - kujtoi Shenjtëria e Tij Neofit - është provë e gjallë, që flet për marrëdhëniet tona, të cilat janë e do të vijojnë të jenë paqësore, plot mirëkuptim e respekt reciprok”.

Klementi e Potiti

Simbas një tradite të lashtë, Shën Klementi e Shën Potiti lidhen ngushtësisht me Serdikën, emri i lashtë i Sofjes. Mendohet se Shën Klementi ka qenë  ipeshkvi i parë i këtij qyteti. Reliket e tij qenë mbartur solemnisht në Romë nga shenjtorët Çirili e Metodi.

Ndërsa Shën Potiti u martirizua nën sundimin perandorit Antonio Pio e u varros në Tricarico të Bazilikatës.

Reliket do të mund të nderohen më 24 marsin e ardhshëm, në bazilikën e lashtë paleokristiane të Shën Sofisë, ku do të mbahet një kremtim solemn. Ndërsa një ditë më pas parashikohet kremtimi i liturgjisë hyjnore, kryesuar nga patriku Neofit.

28 shkurt 2020, 12:45