Papa pret në audiencë Shoqatën Pro Petri SEde Papa pret në audiencë Shoqatën Pro Petri SEde 

Falënderimi i Papës Shoqatës Pro Petri Sede: bujarë e të vëmendshëm ndaj të varfërve dhe Shtëpisë së përbashkët

Shoqatën Pro Petri Sede, themeluar në fund të shekullit XIX, impenjuar në vepra solidariteti e bamirësie kundër indiferencës dhe individualizmit, Papa e quajti dëshmi e jetës së krishterë. Në fjalimin drejtuar anëtarëve të saj gjatë audiencës së sotme, i inkurajoi të përhapin shpresë në zemrat e njerëzve të kohës sonë.

R. SH. - Vatikan

"Dinjiteti i njeriut duhet të mbrohet gjithnjë, pavarësisht nga origjina e gjendja e tij shoqërore”. Këtë kujtoi Papa në përshëndetjen drejtuar anëtarëve të Shoqatës bamirëse Pro Petri Sede (Për Selinë e Shën Pjetrit) ardhur në Romë me rastin e shtegtimit vjetor tek Varri i Princit të Apostujve. “Akt feje” - e quajti Papa Françesku - rast për të kontribuar në aspektin financiar e shoqëror në veprat bamirëse të Selisë së Shenjtë e njëkohësisht edhe kontribut në luftën për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor e atë të çdo njeriu.

Urgjente, ndihma që u duhet dhënë të varfërve

Dy janë fjalët më të dashura të shërbesës papnore të Françeskut! Dy fjalë, të cilat i kujton vazhdimisht: “ndihma, në radhë të parë për të varfërit e për të gjithë ata, që bota i  shikon si hedhurinë, sepse e bezdisin gjatë rendjes së shfrenuar për pasje, karrierë, pushtet” - dhe “kthesa ekologjike”  për të cilën - pohoi Papa - veprimtaria e Shoqatës jep një ndihmesë  të rëndësishme:

“Sot jemi përballë sfidave të ndryshme, që kanë të bëjnë me familjen njerëzore dhe shtëpinë e saj të përbashkët. Në qendër të shqetësimeve tona  është britma e ankthshme e popujve që vuajnë, posaçërisht për shkak të luftërave, të shpërnguljes së njerëzve, varfërisë dhe zvetënimit të ekosistemit. Është urgjente t’i jepet fund shfrytëzimit të më të varfërve! Urgjente, të marrin fund mizoritë në vendet, pre e luftës dhe e konflikteve, që i detyrojnë shumë njerëz të marrin udhën e hidhur të mërgimit”.

Kthesë ekologjike, kundër indiferencës dhe egoizmit

E, në magjisterin e Papës, përmasa njerëzore dhe shoqërore lidhet pazgjidhshmërisht me kujdesin për Shtëpinë e përbashkët dhe me propozimin për një ekologji të gjithanshme. Françesku vijon të ngulë këmbë mbi “kthesën ekologjike”:

“Dëshmia e jetës suaj të krishterë, që manifestohet përmes bujarisë dhe vëmendjes ndaj të tjerëve, na fton të gjithë sot të luftojmë kundër klimës së përhapur të individualizmit, egoizmit e indiferencës, që kërcënojnë si paqen, ashtu edhe ambientin. Ju ftoj të mbeteni të patundur në bindjet tuaja  e në fenë tuaj, për të qenë flakë që ndez shpresat në zemrat e burrave e grave të sotme. Ashtu si Shën Pjetri, dilni me guxim në det të hapur e ndajeni me të gjithë, dashurinë e madhe, që na e zbuloi Jezu Krishti”.

24 shkurt 2020, 13:03