Gesù Cristo benedicente Gesù Cristo benedicente 

Më 25 shkurt kalendari përkujton shën Çezarin e Naciancenit

Shën Çezari Naciancenit, rrëfyestar, vëllai i Gregorit, teologu i famshëm, vendosi të hiqte dorë nga çdo detyrë publike, për t’iu kushtuar plotësisht pastaj një jete pendestare, derisa vdiq, në vitin 396 pas Krishtit. Gjithë pasurinë ua la, me testament, të varfërve.

R.SH. - Vatikan

Me 25 shkurt kalendari i Kishës katolike përkujton shën Çezarin e Naciancenit, rrëfyestar. Shenjti, vëlla i shën Gregorit Naciancenit, lindi në vitin 330, në një familje të madhe e të pasur me virtyte të krishtera. Këtë e tregon më së miri fakti se i ati, Gregori, ashtu edhe e ëma, Monna e i vëllai, Gregori, teologu i famshëm, nderohen si shenjtorë nga Kisha katolike. Katër shenjtorë nga një familje!

Endè i vogël u largua nga vendlindja dhe u vendos në Aleksandri, ku iu kushtua studimit të gjeometrisë, astronomisë e sidomos mjekësisë. Si kreu mësimet, u kthye përsëri në vendlindje, ku nisi të ushtronte profesionin e mjekut, duke u bërë aq i njohur, sa të tërhiqte vëmendjen e perandorit Kostanci, i cili e thirri në Kostandinopojë. Edhe pasardhësi i Kostandinit, Juliani apostat, e mbajti në shërbim të tij si mjek të oborrit të Bizantit, ndonëse shenjti nuk pranoi asnjëherë të nderonte hyjnitë pagane. Perandori Joviani e emëroi kuestor të Bitinisë ku, në vitin 368 shpëtoi krejt rastësisht nga vdekja gjatë një tërmeti të fuqishëm, që shkaktoi viktima të shumta.

Kjo ngjarje e tronditi aq thellë shpirtërisht, sa vendosi të hiqte dorë nga çdo detyrë publike, për t’iu kushtuar plotësisht pastaj një jete pendestare, derisa vdiq, në vitin 396 pas Krishtit. Gjithë pasurinë ua la, me testament, të varfërve. Këto hollësi i gjejmë në lutjen që shën Gregori përgatiti për salikimet e të vëllait, ndërsa latinët shën Çezarin e përmendin për herë të parë në Mesharin romak, që e vendos përkujtimin e tij më 25 shkurt. Kulti në nderim të këtij shenjti është shumë më i lashtë tek grekët e kishat e ritit bizantin, që e përkujtojnë më 9 mars.

25 shkurt 2020, 14:24