Papa në një nga audiencat e përgjithshme Papa në një nga audiencat e përgjithshme 

Zëri i Papës Françesku në mbrojtje të grave

Në homelinë e meshës, me rastin e Ditës Botërore të Paqes, në Solemnitetin e Zojës – Nënë e Zotit, Papa reflektoi gjerësisht mbi dinjitetin e gruas. Koment i dekanes së vatikanistëve, gazetares meksikane Valentina Alazraki.

R.SH. - Vatikan

“Çdo dhunë kundër gruas është përdhosje e Zotit, që është lindur nga një grua”. Është ky, një nga çastet më të rëndësishme të homelisë së Papës Françesku në meshën e ditës së parë të vitit të ri 2020. Më 1 janar, në Ditën Botërore të Paqes dhe në Solemnitetin e shën Marisë, Nënë e Zotit, Ati i Shenjtë kërkoi me forcë të respektohet trupi i grave e të mbrohet amësia e tyre. “Sa herë - theksoi Papa - trupi i gruas flijohet në altaret profane të publicitetit, të fitimit, të pornografisë; sa herë shfrytëzohet si sipërfaqe për t’u përdorur. Gruaja duhet çliruar nga konsumizmi, duhet respektuar e nderuar: është korpi më i fisëm në botë, që e zuri dhe e nxori në dritë Dashurinë, që na shpëtoi”.

Gazetarja meksikane Valentina Alazraki, dekane e vatikanistëve, komenton pikërisht këto fjalë në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News, edhe në dritën e librit të saj të fundit “Greqia dhe të tjerat. Gratë e shpresës kundër dhunës”, tekst që Papa Bergoglio – në kthim nga udhëtimi i tij në Afrikë, në të cilin gazetarja nuk mundi të merrte pjesë – e quajti “brilant, për të kuptuar dhimbjen dhe shfrytëzimin e grave sot”. Por të dëgjojmë Valentina Alazrakin:

Më bënë shumë përshtypje fjalët e Papës Françesku, sidomos fakti që, në meshën me rastin e Ditës Botërore të Paqes, e lidhi kaq ngushtë gruan me paqen, dy koncepte të bashkuara pazgjidhshmërisht. Tema e dhunës kundër grave është përsëritur shpesh muajt e fundit nga Papa. Nuk mund ta harroj skenën, kur gjatë një interviste, i dhurova këmishën e Rozìos, një grua meksikane, e re, e vrarë në mënyrë të tmerrshme para djalit të saj 8-vjeçar. Këmisha mbeti aty mes nesh, pastaj, në fund të intervistës, Papa Françesku e mori në duar e filloi të pëshpëriste një lloj lutjeje, sikur po fliste me veten. Tha se ajo këmishë ishte flamur, simbol i vuajtjeve të të gjitha grave, viktima të dhunës e… ka shumë forma dhune në botë. Më bëri shumë përshtypje edhe që Papa nuk e harroi atë këmishë: ai vetë, në udhëtimin e fundit, duke u kthyer nga Tajlanda dhe Japonia, më tha: “Nuk e kam harruar këmishën, e mbaj me vete në zemër”. Muajt e fundit e kemi dëgjuar Papën të flasë për këtë temë, me vetëdijen absolute se nuk është fjala për statistika, se nuk mund të flitet vetëm duke dhënë shifrat për vendet e ndryshme. Ai e di se dhuna është kudo, jo vetëm në ndonjë vend të largët, por edhe në atë, që ai e quan “Evropa e kulturuar”. E di se pas çdo gruaje ka një emër, një histori, ka mbase një burrë të ve, një fëmijë jetim. Kjo e bën “tregimin” e Papës Françesku për gratë dhe për dhunën kundër grave diçka tepër të prekshme dhe të vërtetë.

Kur Papa flet për “përdhosjen e Zotit” bën një hap të mëtejshëm, apo jo?

         Mendoj se në homelinë e tij, Papa kaloi një cak të mëtejshëm, pasi nuk e kishim dëgjuar kurrë të shprehej në këtë mënyrë. Na kujtoi se Zoti është lindur nga një grua, se Kisha është nënë, është grua, prandaj, shpëtimi vjen nga një grua. Pra, po, kur godet një grua, është si të godasësh Zotin, në një farë mënyre. Është frazë, që nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë. Më bëri përshtypje kur tha që do të gjykohemi nga mënyra sesi e trajtojmë trupin e një gruaje. Është frazë, që e ka përdorur gjithnjë për koncepte të tjera: gjithmonë ka thënë se do të gjykohemi nga mënyra sesi trajtojmë të fundmit, të pambrojturit, ata që nuk kanë zë, migrantët... Këtu, e përdori këtë koncept edhe për gratë. Më duket diçka e bukur dhe shumë njerëzore. Pastaj, ideja tejet e fuqishme mbi amësinë, që nuk do të thotë se për Papën gruaja është vetëm nënë, por se ekziston një amësi e dhunuar, e poshtëruar – le të mendojmë për të gjitha gratë, që kalojnë shkretëtira e dete për të shpëtuar fëmijët - një amësi, që nuk njihet, që nuk ndihmohet. Fjalë prekëse, që i dilnin nga zemra. Besoj se Ati i Shenjtë është thelluar në këto tema, duke lexuar e duke dëgjuar dëshmi. Dëgjoi, për shembull, viktimat e trafikimit, që i solli në Vatikan - mbaj mend një skllave seksi, që tregoi gjëra të tmerrshme, pastaj, edhe një skllave pune - e besoj se fjalët i dalin, jo vetëm pse lexon libra ose statistika, por sepse i bën të vetat dëshmitë e shumë grave. Papa dëshiron të jetë zëri i të gjitha grave, që nuk kanë as emër. E pastaj, që gratë duhet të kenë rol vendimmarrës në shoqëri dhe në Kishë, e ka kërkuar shumë herë, por, sigurisht, në këtë aspekt, kemi ende rrugë të gjatë për të bërë. Unë mendoj se ajo përkon me një nga ndjetet e Françeskut, por akoma duhet ta shohim të realizuar konkretisht.

03 janar 2020, 15:07