Kërko

Të promovojmë paqen dhe drejtësinë në botë: ndjeti i lutjes së Papës për janarin

Papa Françesku përuron sot vitin e pestë të nismës “Videoja e Papës” me një ndjet lutjeje të veçantë: i fton të krishterët, besimtarët e njerëzit vullnetmirë të promovojnë një botë me drejtësi e paqe.

R.SH. - Vatikan

Që prej katër vitesh, Papa Françesku i bën të njohur botës ndjetin mujor të lutjes përmes një videoje, publikimi i së cilës i besohet Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës (i cili përfshin Lëvizjen Eukaristike Rinore). Misioni i kësaj vepre papnore është të mobilizojë katolikët për lutje dhe veprim, përballë sfidave të njerëzimit dhe të misionit të Kishës. Sot, kjo video përuron vitin e pestë e, duke hyrë në këtë përvjetor, Papa Françesku u kërkon të gjithëve të luten për paqen.  

Feja na nxit të përhapim vlerat e paqes

         Në ndjetin e janarit, i pari i vitit 2020, Ati i Shenjtë e konsideron thelbësor “pajtimin dhe vëllazërimin ndërmjet gjithë besimtarëve, po edhe ndërmjet gjithë njerëzve vullnetmirë”. Sipas Atit të Shenjtë, në një botë të ndarë e të përçarë, “feja na nxit të përhapim vlerat e paqes, të bashkëjetesës, të së mirës së përbashkët”.

         Nuk është hera e parë që Papa bën thirrje për paqen dhe drejtësinë botërore. Që në fillim të vitit 2019, u pati drejtuar një mesazh anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar në Vatikan, duke pohuar se “paqja nuk është kurrë pasuri e pjesshme, por përqafon krejt racën njerëzore”. Në kremtimin e Ditës së 53-të Botërore të Paqes, Ati i Shenjtë shtoi: “Duhet të arrijmë vëllazërimin e vërtetë, bazuar në origjinën e përbashkët prej Zotit dhe ushtruar me dialog e besim të ndërsjellë. Dëshira për paqe është e ngulitur thellë në zemrën e njeriut dhe nuk duhet të pranojmë asgjë më pak se kjo”.

Të promovojmë së bashku paqen dhe drejtësinë në botë

         Prandaj, edhe në ndjetin e janarit, në këtë vit të ri, që sapo ka filluar, Papa Françesku na kërkon të lutemi “që të krishterët, ata që ndjekin fe të tjera dhe njerëzit vullnetmirë të promovojnë së bashku paqen dhe drejtësinë në botë”.

         Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës është i pranishëm në 98 vende dhe përbëhet nga 35 milion njerëz. Videoja e Papës është nismë globale: publikohet në 14 gjuhë. Kohët e fundit, janë shtuar gjuha vietnameze, polonishtja, suahili dhe gjuha kineze. Në vitin 2019, videot me ndjetin mujor të Françeskut u ndoqën nga më se 12 milion njerëz, në rrjetin e gjuhës së tyre.

Ja, teksti i plotë i ndjetit papnor të lutjes për muajin janar:

         “Në një botë të ndarë e të përçarë, dua t’i ftoj për pajtim e vëllazërim, të gjithë besimtarët e, edhe gjithë njerëzit vullnetmirë.

         Feja jonë na nxit të përhapim vlerat e paqes, të bashkëjetesës, të së mirës së përbashkët.

         Të lutemi që të krishterët, ata që ndjekin fe të tjera dhe njerëzit vullnetmirë të promovojnë së bashku paqen dhe drejtësinë në botë. Faleminderit”.

02 janar 2020, 16:33