Kërko

1579621372073.jpg

Urimet e Papës për Vitin e Ri hënor

Lutje për paqe, dialog e solidaritet. Kështu, Papa Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme, gjatë së cilës kujtoi se më 25 janar, në Lindjen e Largët, kremtohet Viti i Ri hënor.

R.SH. - Vatikan

Një përshëndetje, një urim dhe një ftesë që të luten të gjithë për dhuratat e paqes, të dialogut e të solidaritetit. Kështu u shpreh Papa Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke iu drejtuar “miliona burrave e grave” të Lindjes së Largët, të cilët, më 25 janar, do të kremtojnë Vitin e Ri hënor. U foli sidomos familjeve:

         “U dërgoj atyre përshëndetjet e mia të përzemërta, duke u uruar veçanërisht familjeve të jenë vend ku edukohen virtytet e mikpritjes, të urtisë, të respektit për çdo njeri dhe të harmonisë me Gjithësinë. I ftoj të gjithë të luten edhe për paqen, për dialogun dhe për solidaritetin ndërmjet kombeve: dhurata, gjithnjë e më të domosdoshme për botën e sotme”.

22 janar 2020, 14:37