Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Shtatë ditë me Françeskun

Java liturgjike nis të diel, ajo e punës, zakonisht, të hënë. Po Papa e nis ndryshe. “Dita parë” e javës papnore është e premtja, ditë e mëshirës për të padukshmit, ditë, që del jashta mureve të Vatikanit, në drejtim të periferive. Rrëfimi ynë, prandaj, ndjek pikërisht këtë rrugë: niset nga e premtja, me ritmin e një agjende, angazhimet e së cilës organizohen sipas kriterit të dashurisë së krishterë.

R. SH. - Vatikan

Java liturgjike nis të diel, ajo e punës, zakonisht, të hënë. Po Papa e nis ndryshe. “Dita parë” e javës papnore është e premtja, ditë e mëshirës për të padukshmit, ditë, që del jashta mureve të Vatikanit, në drejtim të periferive. Rrëfimi ynë, prandaj, ndjek pikërisht këtë rrugë: niset nga e premtja, me ritmin e një agjende, angazhimet e së cilës organizohen sipas kriterit të dashurisë së krishterë.  

Lutja për bashkimin e të krishterëve, sëmundjet e shpirtit, thirrja e fuqishme për paqen në Libi, vlera e kujtesës për ndërtimin e ardhmërisë, strehimi i migrantëve dhe i njerëzve të pambrojtur: janë këto, disa nga temat më të spikatura, prekur nga Papa gjatë kësaj jave, në të cilën Kisha  u përqëndrua kryesisht mbi urgjencën e ekumenizmit, për të mirën e mbarë njerëzimit.

Kush strehon të pastrehin, bëhet më i pasur

Ishin temat e Javës së lutjes për bashkmin e të krishterëve, në sfond të fjalëve të Papës Françesku gjatë takimit, të premten, më 17 janar, me delegacionin ekumenik të Kishës luterane të Finlandës. Ndërmjet gurëve kilometrikë  të ekumenizmit, Papa kujtoi përvojën për të ndenjur së bashku  dhe mikpritjen.

Si të krishterë të pagëzuar, ne besojmë se Krishti dëshiron të na takojë pikërisht në këta njerëz, që provuan përvojën e mbytjes në det, në kuptimin real e figurativ. Kush strehon tjetrin, nuk bëhet më i varfër. Përkundrazi, pasurohet. Kush jep, merr më shumë. Humanizmi që tregojmë, na bën misteriozisht pjesëtarë të mirësisë së Zotit, që u bë njeri - theksoi Papa.

Sëmundjet e shpirtit

Para audiencës me delegacionin ekumenik, duke kremtuar Meshën në Shën Martë, Papa reflektoi për sëmundjet e shpirtit. Për të mbrojtur “shëndetin e zemrës”, vërejti, ilaçi më i mirë është kërkimi i faljes. Gjë krejt e thjeshtë, që Jezusi na e mëson, kur shkon tek themelorja: e themelor është pikërisht shëndeti: i korpit e i shpirtit. Duhet të kujdesemi shumë për atë të korpit, por edhe më shumë për shëndetin e shpirtit. E të shkojmë tek mjeku, që mund të na shërojë e që mund të na i falë edhe mëkatet tona. Për këtë erdhi Jezusi, e për këtë dha edhe jetën!

Në Engjëllin e Tënzot, thirrja për Libinë

Të shtunën, më 18 janar, Papa u takua me një delegacion peshkatarësh  nga San Benedetto del Tronto. Françesku kërkoi që peshkimi, “shpesh i rrezikshëm dhe i vështirë”, të vlerësohet duke mbrojtur të drejtat dhe dëshirat legjitime të njerëzve të detit. Ndërsa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, 19 janar, Papa u lut për përfundimin e krizës në Libi, vend i goditur nga një koflikt gjakatar i brendshëm, dhe bëri këtë thirrje:

“Të dashur vëllezër e motra, sot, në Berlin, mbahet një konferencë ku do të diskutohet për krizën në Libi. Uroj  që ky takim i rangut të lartë, kaq i rëndësishëm, të hapë rrugën drejt përfundimit të dhunës dhe rrugëzgjidhjes së dialoguar, që çon drejt paqes, aq të dëshiruar në vend”.

Takimi me delegacionin  e “Qendrës Simon Wiesenthal”

Duke kremtuar, më 20 janar, Meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, Papa nënvizoi se kur rebelohesh kundër “vullnetit të Zotit”,  Fjala e Tij shndërrohet në ideologji e i hap rrugën fodullëkut të idhujtarisë. Më pas, në Sallën e Koncistorit, priti në audiencë delegacionin e “Qendrës Simon Wiesenthal”. Kujtoi, me mysafirët, tragjeditë e lidhura me ideologjitë totalitare, që lanë gjurmë gjaku në historinë e nëntëqindës. E i nxiti të mbjellin paqen e të kultivojnë tokën e vëllazërimit, posaçërisht në frontin  e acarimit të antisemitizmit.

Konsumizmi i sotëm është edhe verbal: sa fjalë të kota fliten, sa kohë flaket kot, duke kundërshtuar e duke akuzuar, sa fyerje e çjerrje dëgjohen, pa pyetur fare për fjalët që dalin nga goja pa pikën e kontrollit! Do të ishte më e mirë heshtja, sepse ndihmon shumë për të ruajtur kujtesën. Po e humbëm kujtesën, asgjësojmë ardhmërinë. Përvjetori i mizorisë, që jetoi njerëzimi shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, tingëllon si thirrje për t’u ndalur! E për të kujtuar… Duhet të kujtojmë, për të mos u bërë indiferentë!

Mikpritja, ndërmjet temave kryesore të audiencës së përgjithshme

Të martën, më 21 janar, gjatë Meshës kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa kujtoi se të jesh i krishterë, meshtar a ipeshkëv, është dhuratë nga Zoti, që nuk mund të blihet.

E të nesërmen, në audiencën e përgjithshme të  22 janarit, përqendruar mbi Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, Françesku foli për një aspekt tjetër të fesë: t’u tregosh dashurinë e Zotit  njerëzve më të pambrojtur, si migrantët, do të thotë t’i mikpresësh:

“Mund e duhet t’u dëshmojmë se në botë nuk ka vetëm armiqësi e indiferencë, por se çdo njeri është i çmuar para syve të Zotit e i shumëdashur prej Tij. E edhe se duhet të jetojmë së bashku, për të provuar shijen e mikpritjes ekumenike  e për të qenë në botë, shenjë e dashurisë së Zotit. Puna e përbashkët për ta jetuar mikpritjen ekumenike, posaçërisht ndaj atyre, jeta e të cilëve është më e brishtë, i bën gjithë të krishterët - protestantë, ortodoksë, katolikë - qenie njerëzore më të mira, dishepuj më të mirë e popull kristian më i bashkuar”.

24 janar 2020, 17:10