Shtatë ditë me Françeskun

Java liturgjike fillon të dielën e rrëfimi ynë për veprimtarinë javore të Papës ndjek këtë rrugë, me ritmin e një axhende, ku angazhimet organizohen nga kriteri i dashurisë.

R.SH. - Vatikan

“Është predikim i bukur kur një fëmijë qan në kishë”. Flet me dashurinë e një “gjyshi” Papa Françesku, kur, në Meshën e 12 janarit, kujdeset t’i qetësojë nënat dhe baballarët, që ulen para tij të emocionuar. Si çdo vit, në festën e Pagëzimit të Zotit, afresket e Mikelanxhelos, në Kapelën Sikstine, janë korniza në të cilën Ati i Shenjtë u mbarështon Sakramentin e Pagëzimit foshnjave të punonjësve të Vatikanit, lindur gjatë vitit të kaluar. Kësaj radhe ishin 32. “Pagëzimi i një fëmije – tha Papa - është akt drejtësie” dhe shpjegoi arsyen:

“Sepse në Pagëzim i japim një thesar, në Pagëzim i japim një premtim: Shpirtin Shenjt. Fëmija del me forcën e Shpirtit brenda vetes: Shpirti që do ta mbrojë, do ta ndihmojë gjatë gjithë jetës. Prandaj është kaq e rëndësishme t’i pagëzosh të vegjël që të rriten me forcën e Shpirtit Shenjt. Ky është mesazhi që dua t’ju jap sot. Ju i merrni fëmijët tuaj sot me Shpirtin Shenjt brenda vetes; kujdesuni që të rriten me dritën dhe forcën e Shpirtit Shenjt...”.

Në përfundim të Meshës, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa rinovoi ftesën për të kujtuar “çdo vit” datën e Pagëzimit dhe për ta festuar atë, secili “në zemrën” e vet. Në Jezusin, që pagëzohet nga Gjoni, Ati i Shenjtë identifikoi sjelljen e moderuar, pa u mbajtur me të madh, cilësi, që u kërkohet edhe sot të krishterëve:

“Nuk është dishepull i mirë, ai që krekoset. Dishepulli i mirë është i përvuajtur, zemërbutë, bën mirë pa u dukur. Në veprimin misionar, bashkësia e krishterë është e thirrur të takohet me të tjerët, gjithmonë duke propozuar dhe jo duke imponuar, duke dhënë dëshmi, duke ndarë me njerëzit jetën konkrete”.

Koherencës dhe dëshmisë së barinjve të Kishës dhe të të krishterëve në përgjithësi, Papa i kushton homelinë e meshës së 14 Janarit në Shtëpinë e Shën Martës. Françesku bën dallimin ndërmjet autoritetit të Jezusit dhe hipokrizisë së skribëve, që tjetër thonë e tjetër bëjnë.

“Populli i Zotit e dallon mirë autoritetin e njeriut nga hiri i vajimit. Kjo është urtia e popullit, që toleron shumë, shumë barinj jo koherentë, barinj si skribët, por edhe të krishterët, që shkojnë në meshë çdo të diel e pastaj, jetojnë si paganë. E njerëzit thonë: ‘Ky është shkandull, inkoherencë’. Sa keq bëjnë të krishterët jo koherentë, që nuk japin dëshmi, si edhe barinjtë jo koherentë, skizofrenë, që nuk japin dëshmi!”

Të mërkurën, 15 janar, ditën e audiencës së përgjithshme, Papa përfundon ciklin e reflektimeve mbi Veprat e Apostujve, në Sallën Pali VI. Protagonisti i katekezës është Shën Pali i cili, megjithëse i burgosur në një shtëpi romake, nuk resht së dëshmuari Ungjillin për ata që shkojnë te ai për vizitë, sepse, thotë Françesku, Fjala e Zotit “nuk është e lidhur me zinxhirë”:

“Kjo shtëpi e hapur për të gjitha zemrat në kërkim është imazhi i Kishës, e cila, edhe pse e përndjekur, e keqkuptuar dhe e lidhur me zinxhirë, kurrë nuk lodhet duke mirëpritur, me zemër amnore, çdo burrë dhe çdo grua, për t’u kumtuar atyre dashurinë e Atit Qiellor, që u bë i dukshëm në Jezusin… Shpirti Shenjt ringjalltë në secilin prej nesh thirrjen për të qenë ungjillëzues të guximshëm e të gëzuar. Na bëftë, si shën Pali, të aftë për t’i mbrujtur shtëpitë tona me Ungjillin dhe për t’i kthyer ato në çenakuj vëllazërimi, ku mund të mirëpresim Krishtin e gjallë, i cili ‘vjen të na takojë në çdo njeri dhe në çdo epokë’”.

Dashuri, që është, para së gjithash, mëshirë, siç nënvizon Papa në Meshën e mëngjesit të 16 janarit, duke komentuar episodin e të gërbulurit, i cili arrin ta mallëngjejë Jezusin e të shërohet prej Tij, me një lutje krejt të thjeshtë: “Nëse do, Ti mund të më pastrosh”.

“Le ta bëjmë zakon ta themi këtë lutje, gjithmonë: ‘O Zot, nëse dëshiron, Ti mundesh. Nëse dëshiron, mundesh’, me besimin se Zoti është pranë nesh dhe dhembshuria e Tij do t’i marrë mbi vete problemet, mëkatet, sëmundjet tona shpirtërore, gjithçka”.

19 janar 2020, 09:28