Kërko

2017.12.02 Papa Francesco saluta un malato in un ospedale in Bangladesh, Viaggio Apostolico in Bangladesh 26 Nov. - 02 Dic.2017 2017.12.02 Papa Francesco saluta un malato in un ospedale in Bangladesh, Viaggio Apostolico in Bangladesh 26 Nov. - 02 Dic.2017 

Papa: të mbrohet gjithnjë jeta, edhe ajo e më të varfërve

T’i shtohet fjalës “mjekim”, kujdesi për shërimin e gjithanshëm të njeriut, edhe më të varfërit. Është një nga këshillat, që të bie në sy në mesazhin e Papës Françesku për Ditën e ardhshme botërore të të sëmurit. Jeta duhet mbrojtur që nga zënia, në përfundimin e saj të natyrshëm - kujton Papa - duke ua garantuar mjekimet edhe njerëzve më të varfër.

R. SH. - Vatikan

Frymëzohet nga fjalët e shkëputura prej Ungjillit të Mateut: “Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do t’ju jap prehje” (Mt 11,28) - mesazhi i Papës Françesku me rastin e Ditës së 28-të botërore  të të sëmurit, që kremtohet më 11 shkurt. Pikërisht thirrja “Ejani tek unë”  zbulon sjelljen mëshirëmadhe të Jezusit për njerëzimin e plagosur, shikimim e Tij,  që hyn deri në thellësitë e zemrës njerëzore,  që mirëpret e shëron me dhembshuri. Papa vë theksin mbi  gjendjen e të sëmurit, i cili kërkon jo vetëm kujdesin për trupin, por edhe, e kryesisht “kujdesin për  personin e tij e edhe për familjen, në çaste prove”. Prej këndej, thirrja drejtuar mjekëve dhe punonjësve të shëndetësisë që, përballë kufizimeve të shkencës, t’ia hapin zemrën të mbinatyrshmes e të vijojnë përpjekjen për mbrojtjen e jetës së njeriut deri në fund të fundit. Françesku i nxit qeveritë  dhe institucionet t’ua garantojnë mjekimet më të ligshtëve e më të varfërve, në emër të drejtësisë shoqërore dhe i falënderon posaçërisht vullnetarët  që, duke ndjekur shembullin e Samaritanit të Mirë, i plotësojnë  mungesat strukturore me gjeste afërsie e dhembshurie.

Jezusi ofron mëshirën e tij

Françesku kujton, në mesazh, se Jezusi i fton ata që vuajnë të shkojnë tek Ai, për të gjetur “ngushëllim e prehje”. Në zemrën e Tij janë të varfërit, mëkatarët, të  ndrydhurit nga barra e ligjit dhe e sistemit shoqëror shtypës!  E në fjalën e Tij, gjinden shpresat e humbura. Atyre, që jetojnë të pushtuar nga ankthi për shkak të varfërisë, të dhimbjes, të ligështisë, nuk u imponon ligje, por - shkruan Papa - u dhuron mëshirën, domethënë, “vetveten e Tij, prej nga buron shërimi”. Shikimi i Zotit shkon drejt e në zemër të çdo njeriu. Shkon e shëron. Pa përjashtuar askënd!

Kush provon ligështinë, mund të ngushëllojë

Pasi provon ligështinë e ngushëllohesh nga Ati, të lind, pastaj, dëshira për t’i ndihmuar të tjerët. Papa e nënvizon këtë në mesazh, duke kujtuar se përballë formave të rënda të vuajtjes, nganjëherë vërehet mungesa e humanitetit e se, prej këndej, është tejet e nevojshme të personalizohet ndihma, që i duhet dhënë të sëmurit, duke i shtuar mjekimit  edhe kujdesin për shërimin e gjithanshëm. Nuk është në lojë vetëm përmasa fizike, “por edhe ajo racionale, intelektive, afektive, shpirtërore”, sepse përveç ilaçeve, të sëmurit duhet t’i jepet edhe dashuria, kryesisht nga familja, që kujdeset për njeriun në çaste vuajtjeje,

Kisha, bujtina e Samaritanit të Mirë

Në natën e errët të sëmundjes, Jezusi, me shikimin e Tij,  bëhet dritë, bëhet forcë, bëhet ilaç për ta lehtësuar dhimbjen. Kështu “Kisha  dëshiron  të jetë gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më mirë “bujtinë e Samaritanit të Mirë, që është Krishti”, domethënë, shtëpi ku - shtoi Papa -  njeriu mund të gjejë hirin e Tij shërues”. Vend, ku takohen njerëz të shëruar nga mëshira e Zotit, në çastin më të vështirë të jetës”, të aftë që t’i ndihmojnë edhe të tjerët për ta mbartur kryqin e sëmundjes, “duke i bërë të vetat plagët e tjetrit e duke i hapur, kështu, horizontet shumë përtej sëmundjes. Horizonte, ku njeriu gjen dritë e ajër për jetën”.

Shërbim ndaj dinjiteti të njeriut

I çmuar është shërbimi i punonjësve shëndetësor, i mjekëve, infermierëve, personelit shëndetësor e administrativ, ndihmësve, vullnetarëve, që me kompetencën e tyre punojnë, duke e bërë të ndjehet fort mbi shtratin e dhimbjes, prania e Jezusit. Burra e gra, me ligështitë e tyre, por që morën ngushëllim nga Krishti. U ngushëlluan, për të ngushëlluar! Françesku i porosit ta vënë gjithnjë emrin “njeri” para mbiemrit “ i sëmurë”, sepse është pikërisht vëmendja, ajo që e mbron e që e shëron njeriun.

Jeta është e shenjtë

Duhet kujtuar gjithnjë se jeta është e shenjtë! Se i përket Zotit. E është njëkohësisht edhe e pacënueshme, e padisponueshme. Jeta duhet mirëpritur, duhet mbrojtur, duhet respektuar e  duhet shërbyer nga lindja, në vdekjen e natyrshme.  Kështu,  “kundërshtim për arsye të ndërgjegjes” do të thotë t’i gjegjesh gjithnjë me një ‘po” të padiskutueshme jetës së njeriut. Françesku kujtoi edhe se, në skena lufte a konflikti të dhunshëm, shpeshherë punonjësit e shëndetësisë u sulmuan e se deri pushteti politik pretendon  ta manipulojë ndihmën shëndetësore, në favor të vet, duke e kufizuar autonominë e profesionit shëndetësor”. Sjellje kjo, që nuk e ndihmon askënd!

Mjekim për të gjithë

Papa u bën thirrje institucioneve shëndetësore dhe qeverive të të gjithë vendeve  të botës, t’ua garantojnë mjekimet e nevojshme  të varfërve  e të gjithë atyre, që nuk e kanë këtë të drejtë, në emër të një drejtësie shoqërore, që shpesh lihet mënjanë, për shkaqe thjesht ekonomike. Françesku, në përfundim të mesazhit, i falënderon të gjithë ata që,  me gjeste dhembshurie dhe  afërsie, përpiqen për t’i plotësuar mungesat strukturore, duke ndjekur shembullin e Samaritanit të Mirë, Jezu Krishtit!

 

03 janar 2020, 13:45