Kërko

Vatican News

Papa: ta kujtojmë Holokaustin, nëse duam të ardhme

“Nuk lodhem së dënuari me forcë çdo formë të antisemitizmit”: kështu tha Papa Françesku, në audiencë me një delegacion nga “Qendra Simon Wiesenthal”, e impenjuar prej vitesh në luftën kundër racizmit dhe urrejtjes ndaj pakicave. Ati i Shenjtë ftoi të mbillet fara e paqes, të kultivohet toka e vëllazërimit, sidomos përballë “ringjalljes barbare të antisemitizmit”.

R.SH. - Vatikan

Heshtje, për të dëgjuar britmën e njerëzimit, që vuan. Kjo nevojitet sot, ashtu si 75 vite më parë, kur, me hapjen e portave të kampit të përqendrimit të Aushvic – Birkenaut, doli në dritë, me gjithë mizorinë e vet, tmerri nazist, e kur ata që mbijetuan ndienë sërish në trup, mendje dhe zemër, egërsinë e përjetuar atëherë. Këto ishin fjalët e Papës Françesku, gjatë audiencës së sotme me “Qendrën Simon Wiesenthal”, me delegacionin e së cilës, ardhur nga Los Anxheles në Vatikan, kujtoi 27 janarin, ditën e çlirimit të kampit polak. Dënimi i Papës për antisemitizmin dhe për “ringjalljen barbare” të tij kohët e fundit, ishte më se i qartë. E fuqishme, ftesa për të “çrrënjosur urrejtjen nga toka”, duke mbjellë në të paqen, duke përfshirë në shoqëri të mënjanuarit, duke mbështetur të braktisurit. E fuqishme, edhe ftesa për bashkëpunimin e të krishterëve dhe hebrenjve, që të kultivohet “toka e vëllazërimit”.

Edukimi i tolerancës dhe i lirisë fetare

         Selia e Shenjtë ka pasur gjithnjë marrëdhënie me këtë Qendër me seli në Los Anxheles të SHBA-ve, por aktive në gjithë botën, themeluar më 1917, me nismën e hebreut austriak Simon Wiesenthal, i cili ia kushtoi jetën nxjerrjes në dritë të së vërtetës mbi shfarosjen naziste, duke gjetur përgjegjësit për krimet e kryera e duke ia dorëzuar ata drejtësisë. E Papa nënvizoi:

         “Na bashkon dëshira për ta bërë botën një vend më të mirë, me respekt për dinjitetin njerëzor, që u përket të gjithëve në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga prejardhja, feja dhe statusi shoqëror. Është kaq e rëndësishme të edukojmë tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, lirinë e fesë dhe promovimin e paqes shoqërore”.

Kujtesa, për të garantuar të ardhmen

         Lutja e heshtur në kampin e shfarosjes Aushvic-Birkenau, në vitin 2016, ishte imazhi, që përdori Papa, për të kujtuar se pas pak ditësh, më 27 janar, do të kremtohet Dita e Kujtesës, 75 vite pas çlirimit të kampit. Heshtja, pohoi Ati i Shenjtë, shërben për t’u ndalur e për të parë brenda shpirtit, për të dëgjuar britmën e vuajtjes së njerëzimit, edhe në vorbullën e përditshme, që nganjëherë, nuk të lejon të meditosh mbi këto gjëra:

         “Konsumizmi i sotëm është edhe verbal: sa fjalë të padobishme, sa kohë harxhojmë duke kundërshtuar e duke akuzuar, sa fyerje thënë me zë të lartë, pa  menduar se ç’nxjerrim nga goja. Ndërsa, heshtja na ndihmon ta ruajmë kujtesën. Nëse e humbasim kujtesën, shkatërrojmë të ardhmen. Përvjetori i mizorisë së papërshkrueshme, që njerëzimi e zbuloi 75 vite më parë, qoftë thirrje për të na ndalur, për të qëndruar në heshtje e për të kujtuar. Na duhet, për të mos u bërë indiferentë”.

Në vend të indiferencës, t’ua zgjasim dorën të tjerëve

         Papa vuri theksin mbi indiferencën egoiste, që mendon vetëm për vete e, kur punët nuk shkojnë aq mirë, i nxit njerëzit të shprehin gjithë dashakeqësinë e urrejtjen, duke bërë të lindin populizmat e partikolarizmat e ndryshme. “Edhe kohët e fundit – vërejti në fund Papa – jemi dëshmitarë të ringjalljes barbare të antisemitizmit. Nuk lodhem së dënuari me forcë çdo formë antisemitizmi”. E Ati i Shenjtë përvijoi udhën për këtë:

         “Në fakt, përmes integrimit, kërkimit dhe kuptimit të tjetrit, mbrohemi më shumë nga vetvetja. Prandaj, është urgjente të përfshihen sërish në shoqëri të mënjanuarit, t’u zgjatet dora të largtëve, të mbështeten ata, që refuzohen se nuk kanë mjete dhe para, të ndihmohen viktimat e intolerancës dhe diskriminimit”.

         Vetëm kështu, duke mbjellë farën e paqes, bota do të bëhet një vend më i mirë dhe e ardhmja më e sigurt, përfundoi Ati i Shenjtë.

20 janar 2020, 15:24