Kërko

Pontificio Collegio Etiopico in Vaticano Pontificio Collegio Etiopico in Vaticano 

Papa: të kultivohet bashkimi ndërmjet Etiopisë dhe Eritresё

Të mos lejohet më lufta vëllavrasëse, të punohet e tё bëhet gjithçka për t’i shoqëruar pastoralisht e shpirtërisht personat që e lënë atdheun, e Kishës katolike e spitaleve në Etiopi dhe Eritré t’u garantohet liria për t'i shërbyer të mirës së përbashkët. Këto pikat qё Papa trajtoi në fjalimin drejtuar sot anëtarëve tё kolegjit Papnor tё Etiopisë nё Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Papa përshëndeti përzemërsisht Kishën në Etiopi dhe nё Eritré me rastin e përvjetorit tё Kolegjit Papnor  Etiopik, qё ka lindur 100 vjet më parë brenda mureve të Vatikanit, një prani, kjo e Kologjit, qё përbënë një element të çmueshme tё ritit lindor në zemër të Kishës Universale katolike. Përveç komunitetit të studentëve, Papa përshëndeti edhe dy Mitropolitët, kardinalin Berhaneyesus e imzot Tesfamariam, e edhe kardinalin Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës sё Selisë sё Shenjtë për Kishat Orientale, që mbështet jetën dhe veprimtarinë e këtij Kolegji, i cili ёshtё i lidhur me klerin katolik të ritit lindor të Eritresё e tё Etiopisë.

Vatikani gjatë shekujve ka pritur popujt e largët

"Prania etiopiane" brenda mureve të Vatikanit, fillimisht ishte përmes shtegtarëve etiopianë e në këto 100 vjetet e Kolegjit, kujtoi Papa, edhe përmes “mirëpritjes”. Qe Papa Benedikti XV ai që e transformoi spitalin e vjetër të Shёn Shtjefnit tё Madh tё Abisinёve, në Vatikan, në Kolegj më 1919. Pastaj Papa Piu XI i dha një seli të re e më të gjerë, si dhe i dha emrin e Seminarit Papnor, duke e përuruar në vitin 1930.  "Pranë varrit tё Pjetrit Apostull, vuri nё dukje Papa Françesku, "bijtë e popujve tё largët gjeografikisht nga Roma, pranё kёtij Kolegji, kanë gjetur prej kohësh shtëpi e mikpritje, popuj qё janё kaq afër fesë së Apostujve me rrëfimin e besimit nё Jezu Krishtin Shpëtimtar”.

Tё mos lejohen mё ndarjet ndërmjet vendeve

Papa kujtoi, pastaj, "luftën vëllavrasëse" që përfundoi në korrik  tё vitit 2018. Pёr mbarimin e saj Ati i Shenjtё Françesku e "falënderoj” Zotin dhe tё gjithё ata qё janё impenjuar e kanë punuar pёr t’i dhanë fund kësaj tragjedie. Së fundi, lutja e Atit tё Shenjtë Bergoglio që vitet e dhimbjes që u përjetuan nga të dy palët "të çmohen" e tё mos “harrohen”, e kërkoi qё tё “mos" bihet kurrë më në ndarje a nё përçarje ndërmjet grupeve etnike dhe ndërmjet vendeve me rrënjë të përbashkëta". Priftërinjve, Papa u kërkoi, nga ana e tyre, të jenë "arkitektë të marrëdhënieve të mira", duke edukuar e punuar pёr tё kultivuar dhuratën e bashkimit, "përmes mjekimit tё plagëve tё brendshme dhe të jashtme".

Kishës t’i garantohet liria për t'i shërbyer së mirës së përbashkët

Inkurajimi i Papës shkoi edhe në drejtimin e ruajtjes së "traditës së çmuar kishtare", pёrherё nё bashkim me zellin misionar”: Uroj qё në Vendet tuaja edhe Kishës Katolike t’i garantohen liria për të shërbyer për të mirën e përbashkët tё tё gjithёve, t’u jepet mundësia studentëve pёr t’i kryer studimet në Romë apo nё vende të tjera, tё mbrohen institucionet e arsimit, të shëndetësisë dhe të asistencës sociale, me bindjen që Barinjtë shpirtëror e besimtarët dëshirojnë, së bashku me të gjithë të tjerët, të kontribuojnë për të mirë dhe për prosperitetin e Kombeve tuaja.

Pritja baritore e atyre që lënë atdheun

Në zemër të Papës edhe e ardhmja e fëmijëve dhe e të rinjve të këtyre tokave, ku kaq shumë vuajnë nga varfëria e mjerimi. Shumë prej tyre, është e trishtueshme të kujtojmë, të shtyrë nga shpresa, e kanë lënë atdheun me mundim tё madh e shpesh duke u ndeshur me tragjeditë në tokë e në det. Ju falënderoj për mirëpritjen që besimtarët tuaj e përjetuan dhe për angazhimin qё shumё prej jush po e jetojnë duke i shoqëruar migrantët në Evropë dhe nё kontinente të tjera. Mund të bëhet më shumë e më mirë, si në vend, ashtu edhe jashtë vendit, duke shfrytёzuar përvojën e viteve tё studimit dhe tё qëndrimit në Romë, në një shërbim tё përvuajtur e bujar, duke u mbështetur gjithmonë në bashkimin me Zotin, të cilit ia kemi dhuruar tërë ekzistencën tonë.

Në lidhje me këtë, jehojnë qartë fjalët e murgut Tesfa Sion, Pjetrit Etiopian, qё janё tё skalitura në gurin e varrit në Kishën e Shën Shtjefnit të Abisinëve, e cila gjendet gjithnjë në Vatikan. Murgu, i cili e pasuroi me praninë e tij Kurien romake dhe u kujdes pёr botimin e Besëlidhjes sё Re tё Biblës në gjuhën e Etiopisë, thoshte se në asnjë vend tjetër, përveç se në Romë, nuk e gjeti qetësinë e shpirtit, "sepse aty ёshtё feja e vërtetë", dhe tё trupit, "sepse aty - "shpjegoi " - gjeta Pasardhësin e Pjetrit, qё na ndihmon pёr nevojat qё kemi".

Papa Françesku i nxiti, kёshtu, meshtarët studentë tё Kolegjit tё Etiopisë nё Vatikan, të cilat vijnë pikërisht nga Etiopia dhe Eritrea, nga dy Kishat "e bashkuar nga e njëjta traditë”, të sjellin edhe sot, në mesin tonё, pasurinë e historisë së tokave tё tyre dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve që i përkasin fesë hebraike e islame, si dhe atё tё shumë vëllezërve të Kishës Ortodokse Tewahedo, Patriarkut tё sё cilës, Shenjtërisë sё Tij Mathias të Etiopisë, Papa i dërgoi përshëndetjet vëllazërore.

11 janar 2020, 15:52