Forumi Ekonomik i Davosit Forumi Ekonomik i Davosit 

Papa për Forumin e Davosit: njeriu, në qendër të çdo politike

Mesazh i Papës Françesku për edicionin e 50-të të Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër: duhet ta kapërcejmë individualizmin dhe ta ndiejmë detyrimin moral të kujdesit për njëri-tjetrin.

R.SH. - Vatikan

“Jemi të gjithë anëtarë të së njëjtës familje njerëzore” e nga kjo rrjedh “detyra morale e kujdesit për njëri-tjetrin”, si edhe parimi i vendosjes së njeriut në qendër të çdo politike, pa kërkuar, thjesht, pushtetin e fitimin. Ky është thelbi i mesazhit të Papës Françesku për Forumin e Davosit, që filloi sot në Zvicër e do të përfundojë më 24 janar. Mesazhi iu dorëzua drejtorit ekzekutiv të Forumit, profesorit Klaus Schwab, nga prefekti i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë në Forum, kardinali Peter Turkson.

Përmasa etike e zgjidhjeve

Në tekst, Papa kujton se është e nevojshme “të shkohet përtej qasjeve afatshkurtra teknologjike dhe ekonomike, si edhe të merret plotësisht parasysh përmasa etike, sa herë kërkohen zgjidhje për problemet aktuale, ose propozohen nisma për të ardhmen”.

Përtej individualizmit dhe izolacionizmit

Këtë vit, Forumi i Davosit kremton edicionin e tij të pesëdhjetë, ku marrin pjesë personalitete të shquara nga bota e ekonomisë dhe e politikës, të cilët do të diskutojnë për të gjetur zgjidhjet që bota të jetë më e bashkuar dhe më e qëndrueshme. Papa përmend kontributin, që ka dhënë në vite ky Forum për të gjitha palët, të cilat kanë pasur mundësinë, në një debat pa doreza, “të shqyrtojnë mënyra të reja, më të frytshme, për ndërtimin e një bote më të mirë”. Një aeropag, ku vullneti politik dhe bashkëpunimi i ndërsjellë mund të udhëhiqen e të përforcohen me synimin për të kapërcyer izolimin, individualizmin dhe kolonizimin ideologjik, “i cili, për fat të keq, e karakterizon tepër debatin bashkëkohor”, shkruan Ati i Shenjtë.

Zhvillim i gjithanshëm njerëzor, për të mirën e përbashkët

Vërtet, gjatë 50 viteve të kaluara, ka pasur shumë transformime gjeopolitike dhe ndryshime të rëndësishme në ekonomi, në tregun e punës, në teknologjinë dixhitale dhe në ambient. “Shumë prej këtyre zhvillimeve i kanë sjellë përfitime njerëzimit, ndërsa të tjera kanë pasur pasoja negative”, thekson Papa. Shpesh, këndvështrime thjesht utilitare, nganjëherë të fshehura e nganjëherë të kremtuara haptas, “i shohin të tjerët si mjet për të arritur qëllimin”, gjë që nënkupton “mungesën e solidaritetit dhe të bamirësisë”, duke çuar drejt “padrejtësive të vërteta”. Përkundrazi, zhvillimi i vërtetë e i gjithanshëm njerëzor “mund të arrihet vetëm kur të gjithë anëtarët e familjes njerëzore të përfshihen në kërkimin e së mirës së përbashkët dhe të kenë mundësinë për të kontribuar në të”.

Të mendojmë për brezat e ardhshëm

 Siç thuhet në enciklikën “Laudato Si’”, qëllimi është të arrihet një ekologji e gjithanshme, që merr parasysh plotësisht “kompleksitetin dhe ndërvarjen e shtëpisë sonë të përbashkët”. Papa u uron pjesëmarrësve të Forumit “ta kujtojnë përgjegjësinë e lartë morale, që ka secili prej nesh, në kërkimin e zhvillimit të gjithanshëm të gjithë vëllezërve dhe motrave tona, përfshirë atë të brezave të ardhshëm”. Ati i Shenjtë kujton se vendimet e Forumit të Davosit mund dhe duhet të çojnë drejt “shtimit të solidaritetit, veçanërisht për më nevojtarët, të cilët përjetojnë padrejtësi shoqërore dhe ekonomike e madje, shohin se u kërcënohet vetë jeta”.

21 janar 2020, 11:03