Kërko

Pope Francis Pope Francis 

Papa u uroi Vitin e Ri 2020 të gjithë njerëzve vullnetmirë

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u uroi Vitin e Ri 2020 të gjithë njerëzve vullnetmirë, dashuronjës të paqes! Ndërmjet tyre, edhe shqiptarëve!

R. SH. - Vatikan

Ta ndjekim urimin e Atit të Shenjtë:

“Ju të gjithëve, të pranishëm këtu, në Sheshin e Shën Pjetrit e të lidhur përmes mediave, ju drejtoj përshëndetjet e mia  të paqes e  të mirave për Vitin e Ri.

Falënderoj Presidentin e Republikës Italiane, të Nderuarin Sergio Mattarella, për urimin që më drejtoi në mesazhin e fundvitit e ia kthej duke  kërkuar bekimin e Zotit për misionin e  tij të lartë.

Përshëndes me përzemërsi  pjesëmarrësit në manifestimin “Paqe në të gjitha tokat”, organizuar nga Shën Egjidi në Romë e në  një mori qytetesh të botës. Përshëndes shtegtarët nga SHBA-ja , Zelanda e Re e nga Spanja; të rinjtë italianë, shqiptarë  e maltezë, së bashku me Motrat e Dashurisë; miqtë e vullnetarët e “Fraterna Domus”.

E shtrij përshëndetjen dhe inkurajimin tim mbi të gjitha nismat për paqen  që po organizojnë Kishat  e veçanta e lëvizjet kishtare për paqen: takime, lutjeje e vëllazërimi, shoqëruar me solidaritetin ndaj më të varfërve. Posaçërisht kujtoj  marshimin e organizuar dje pasdite në Ravenë.

Mendimi im shkon edhe tek shumë vullnetarë, që janë me guxim të pranishëm, pa dhunë e pa armë, në viset ku kërcënohen paqja e drejtësia; ashtu si edhe tek ushtarakët, që veprojnë në misionet e paqes, në shumë nga zonat e konfliktit.

Të gjithëve, besimtarë e jo besimtarë, u uroj të mos pushojnë kurrë së shpresuari në një botë me paqe, që duhet ta ndërtojmë së bashku ditë për ditë. Ju lutem, mos harroni të luteni për mua! Drekën e mirë e mirupafshim!”.

01 janar 2020, 12:51