Santa Messa con Battesimi neonati Santa Messa con Battesimi neonati 

Papa: është e rëndësishme të pagëzohesh si fëmijë, sepse merr Shpirtin Shenjt

Pagëzimi i një fëmije është një akt i drejtësisë për të, kujdesuni që fëmijët të rriten me forcёn e Shpirtit Shenjt. Kështu pohoi Papa sot paradite në predikimin e Meshës gjatë së cilës pagëzoi 32 të sapolindur, 17 djem e 15 vajza.

R.SH. - Vatikan

Në kornizën e bukur  e mahnitëse të kapelës Sisktine, nё Vatikan, çaste emocioni dhe gëzimi, u përjetuan dje, gjatё ritit tё Pagëzimit tё 32 fëmijëve tё posalindur, qё morën Sakramentin e parё nga dora e Papёs, nё krahët e 58 prindërve, tё prekur thellë nga ky çast kaq i jashtëzakonshëm, sytë e tё cilëve shkëlqenin nga gёzimi i papërshkrueshëm,  por  edhe fytyra e 60 nunave e nuneshave si dhe ato tё 240 familjarëve tё pranishëm.  Siç dihet, sipas traditës, nё festën  e Pagëzimit të Krishtit Zot, Papa u jep Sakramentin e Pagëzimit disa fëmijëve.

Në pagëzim japim një thesar

Ati i Shenjtë Françesku, nё homelinё e shkurt, gjatё kremtimit tё Meshës me ritin e pagëzimit tё fëmijëve, theksoi rëndësinë e Pagëzimit:

Tё Pagëzosh një fëmijë është akt drejtësie, për të. E pse? Sepse ne në Pagëzim i japim një thesar, ne në Pagëzim i japim një premtim: Shpirtin Shenjt. Fëmija del me forcën e Shpirtit brenda: Shpirti që do ta mbrojë, do ta ndihmojë gjatë gjithë jetës së tij. Prandaj është kaq e rëndësishme t'i pagëzosh qysh fëmijë që të rriten me forcën e Shpirtit Shenjt. Ky është mesazhi që dua t'ju jap sot. Ju i merrni fëmijët tuaj sot me Shpirtin Shenjt brenda dhe kujdesuni që të rriten me dritën dhe forcën e Shpirtit Shenjt, kështu katekizmi apo mësimi i fesë, ndihma, mësimdhënia, shembujt që ju do të jepni në shtëpinë tuaj... do ju bëjnë pjesëtarë në shkëmbimin e dashurisë reciproke të Zotit, dashurisë ndërmjet Atit, Birit e Shpirtit Shenjt.

Gugatja e fëmijëve kumboi nën qemerin mikelanxholesk të Sikstinës, si kori më i bukur i kësaj feste, me të cilën u mbyllën edhe të gjitha kremtimet e kohёs sё Krishtlindjes. Mbyllje simbolike, me dëftimin e Zotit në valët e lumit Jordan, për t’u pagëzuar nga Gjoni, domethënë për t’iu nënshtruar – shpjegoi Papa Françesku – kësaj shenje të pendesës, që na kujton të gjithëve kthesën e madhe shpirtërore, drejt Zotit e larg çdo mëkati:

Pagëzimi i Jezusit, të cilin po e kujtojmë, është shprehje e logjikës së përvujtërisë e të solidaritetit: është gjesti i Atij, që dëshiron të bëhet në gjithçka, një nga ne e që prandaj, vihet në radhë me mëkatarët; Ai, që është pa kurrfarë mëkati, e lë veten të trajtohet si mëkatar, për të mbartur mbi vete fajin e mbarë njerëzimit”.

Është predikim i mirë kur një fëmijë qan në Kishë

Papa rekomandoi, pastaj, prindërit të mos tremben nëse fëmijët e pranishëm në Meshës fillojnë të qajnë, sepse ata nuk janë të mësuar – vërejti - të vijnë në Kapelën Sikstine, të rrinë në një mjedis pak të ngrohtë, të vishen për njё festё tё bukur dhe mund të ndjehen pak të parehatshëm. "Koncerti nuk ka filluar ende" – paralajmëroi Papa duke iu referuar vajit të të vegjëlve-  por do të fillojë një, pastaj një tjetër:

Mos u frikësoni, lëreni fëmijët të qajnë dhe të bërtasin. Por, nëse fëmija yt qan dhe ankohet, ndoshta e bën sepse ka shumë nxehtë, hiqni diçka; ose pse është i uritur; ushqejeni, jepni gji, këtu, po, gjithmonë në qetësi. Një gjë që e thashë edhe vitin e kaluar: fëmijët kanë një përmasë "korale": mjafton që njëri të jep "la" e menjëherë  fillojnë të gjithë tjetër, e kështu bëhet koncert. Mos u frikësoni. Është një predikim i bukur kur një fëmijë qan në Kishë, është predikim i mirë. Bëni nё mënyrë qё fëmijët të ndjehen mirë dhe të shkojmë përpara me kremtim:

Pagëzimi i Jezusit, të cilin e kujtojmë, - shtoi Papa - është shprehje e logjikës së përvujtërisë dhe e të solidaritetit, është gjesti i Atij, që dëshiron të bëhet në gjithçka, një nga ne e që prandaj, vihet në radhë me mëkatarët:

"Jezusi, që është pa kurrfarë mëkati, e lë veten të trajtohet si mëkatar, për të mbartur mbi shpinë fajin e mbarë njerëzimit. Kështu, të dashur prindër, fëmijët tuaj janë dhuratë e çmuar për Zotin, i cili e ruan për vete zemrën e tyre, për ta mbushur përplot me dashurinë e tij”.

12 janar 2020, 17:34