Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: Ungjilli nuk është përrallë, është zbulesë e planit të Zotit për ne!

Fjala e amshuar u bë njeri: kjo është e reja “tronditëse” e Krishtlindjes. Gjatë lutjes së sotme mariane, Françesku shpjegoi se Krishti vijon të vijë gjithnjë ndërmjet nesh, që secili të mund t’i përgjigjet thirrjes për të qenë shenjt.

R. SH. - Vatikan

Ta pranojmë me gëzim e mirënjohje planin hyjnor të dashurisë për njeriun e për botën, realizuar në Jezu Krishtin! Kjo nxitja e Papës gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në të dielën e dytë të Kohës së Krishtlindjes.

Risi tronditëse

Ndërsa vijojmë ta kundrojmë “shenjën mahnitëse të Shpellës së Betlehemit”, Françesku na fton të shikojmë larg e ta kuptojmë plotësisht vlerën e pallogaritshme të lindjes së Krishtit, përmes leximeve të sotme biblike, posaçërisht, Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efezianëve si dhe faqes së Ungjillit:

“Ungjilli, me prologun e Shën Gjonit, na tregon risinë tronditëse: ‘Fjala e amshuar, Biri i Zotit u mishërua’. E jo vetëm që erdhi të banojë në gjirin e popullit të vet, por u bë njëri nga njerëzit e popullit, njëri nga ne! Pas kësaj ngjarjeje kaq tronditëse, nuk kemi më vetëm një ligj a një institucion, për ta orientuar jetën tonë, Kemi një Vetje, një Vetje hyjnore, Jezusin, që na e drejton gjithë jetën, duke na bërë të  ecim në atë rrugë, në të cilën eci Ai vetë i pari”.

Të paracaktuar për të qenë bij të Zotit

Shën Pali - vijoi Papa - e bekon Zotin për planin e tij të dashurisë, realizuar në Jezu Krishtin. Në këtë plan secili nesh - vërejti - gjen thirrjen e tij themelore: jemi të paracaktuar për të qenë bij të Zotit “përmes veprës së Jezu Krishtit”. Biri i amshuar u bë njeri, “që të na prijë drejt marrëdhënies së tij bijnore me Atin”:

“Liturgjia e sotme na kujton se Ungjilli i Krishtit nuk është përrallë, nuk është mit, rrëfim i urtë, jo! Ungjilli i Krishtit është zbulesa e plotë e planit të Zotit për njeriun e për botën. Është mesazh sa i thjeshtë, aq edhe   madhështor, që na nxit të pyesim: cili është plani konkret që ka Zoti për mua, duke e aktualizuar përsëri lindjen e Tij mes nesh? E përgjigjen na e jep Shën Pali Apostull: ‘Zoti na zgjodhi për të qenë shenjtorë e të panjollë përballë Tij në dashuri’”.

Të bëhesh shenjt në dashuri

Ky - vuri në dukje Françesku - është kuptimi i Krishtlindjes: “Nëse Zoti vijon të vijë mes nesh, nëse vijon të na dhurojë Fjalën e Tij, kjo ndodh që secili prej nesh të mund t’i përgjigjet thirrjes “për t’u bërë shenjt në dashuri”.

“Shenjtëri do të thotë ta ruash dhuratën, që të bëri Zoti. Vetëm këtë! Të ruash, çka more falas. Kjo do të thotë të jesh shenjt. Pa harruar se kush e pranon shenjtërinë si dhuratë hiri, nuk mund të mos e shprehë në veprimtari konkrete të përditshme. Këtë dhuratë, këtë hir, që më dha Zoti, unë duhet ta bëj vepër konkrete në të përditshmen time, në takimin me të tjerët. Kjo bamirësi, kjo mëshirë ndaj të afërmit, pasqyrim i dashurisë së Zotit, na e pastron  zemrën e, njëkohësisht, na gatit për faljen, duke na bërë  gjithnjë më të panjollë, jo në kuptimin se heq një njollë, por në  kuptimin  se Zoti hyn në ne! Dhurata, falja e Zotit hyn në ne e ne e ruajmë për t’ia dhuruar edhe të tjerëve”.

Ta vëmë në jetë angazhimin për paqen

Pas lutjes mariane, Papa përshëndeti shtegtarët e pranishëm, të cilëve u kujtoi Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, që do të kremtohet nesër. E më pas, në të dielën e parë të vitit 2020, u uroi të gjithëve “paqe e prehje në Zotin”:

“Në çastet e gëzueshme, ashtu si edhe në ato të vështira, t’ia besojmë vetveten Atij, që është shpresa jonë! E ju kujtoj edhe angazhimin që morëm në ditën e parë të Vitit të R, Ditë e paqes: ‘Ta shikojmë paqen si rrugë shprese: si dialog, pajtim e kthesë ekologjike’. Me hirin e Zotit do të mund ta vëmë në jetë!”.

05 janar 2020, 13:50