Kërko

Françesku në Engjëllin e Tënzot: t’i besojmë fjalës së Krishtit, që shndërron botën e zemrat

“Jemi të thirrur - tha Papa në Engjëllin e Tënzot - t’i besojmë Fjalës së Krishtit, ta hapim zemrën për mëshirën e Atit e të shndërrohemi nga hiri i Shpirtit Shenjt”. Pas lutjes, Françesku u shprehu afërsinë njerëzve të sëmurë nga virusi, që vijon të përhapet në Kinë.

R. SH. - Vatikan

Pas Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit me rastin e së Dielës së parë kushtuar Fjalës së Zotit, Papa Françesku u ndalua përsëri, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, tek Ungjilli i sotëm, përqendruar mbi fillimin e misionit publik të Jezusit. Në Galile - kujtoi – tokë periferike, në krahasim me Jeruzalemin, e shikuar me dyshim për shkak të përzjerjes me paganët, Jezusi e nisi predikimin duke shqiptuar së pari këto fjalë: “Pendojuni sepse mbretëria e Zotit është fare pranë!”.

Hapja zemrën mëshirës së Zotit

Ky kumt - nënvizoi Papa -  është si fashë e fuqishme drite, që e davarit errësirën. Me ardhjen e Jezusit, dritë e botës, Hyji Atë i tregoi  njerëzimit afërsinë dhe miqësinë e Tij, duke na e dhuruar, pavarësisht nga meritat tona. E këto janë dhurata, që duhen ruajtur – kujtoi Papa:

“Shpesh na duket krejt e pamundur ta ndryshojmë rrugën e jetës, ta braktisim rrugën e egoizmit, të së keqes, ta braktisim rrugën e mëkatit, sepse i gjithë angazhimi i kthesës përqendrohet vetëm mbi vetveten e mbi forcat tona, jo mbi Krishtin e Shpirtin e Tij. Por bashkimi ynë me Zotin nuk mund të reduktohet në përpjekje personale, jo! Ta besoh këtë është mëkat mendjemadhësie. Duhet hapur plot besim zemra e mendja, për ta pranuar Lajmin e Mirë  të Jezusit. Eshtë pikërisht Fjala e Jezusit, Lajmi i mirë i Krishtit, Ungjilli, që e ndryshon botën e zemrën. Jemi të thirrur t’i besojmë Fjalës së Krishtit, t’ia hapim zemrën mëshirës së Atit e të shndërrohemi nga hiri i Shpirtit Shenjt. E të gjithë janë të thirrur të jenë lajmëtarë  të Fjalës së Zotit!”.

Përvjetori i çlirimit të kampit të Auschwitz-Birkenau

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi se nesër do të përkujtohet 75-vjetori i çlirimit të kampit nazist të shfarosjes Auschwitz-Birkenau, “simbol i Shoah”:

“Përballë kësaj tragjedie të tmerrshme - pohoi Papa -  indiferenca është e papranueshme e kujtimi, i detyrueshëm. Nesër jemi të thirrur të gjithë  të ndalemi një çast e të lutemi, duke shqiptuar, secili në zemër të vet: ‘Kurrë më!’”.

Të sëmurët nga gërbula

Ati i Shenjtë kujtoi se sot kremtohet edhe Dita  botërore e të sëmurëve nga gërbula. Jemi pranë të gjithë njerëzve të prekur nga sëmundja e Hansen si dhe atyre, që kujdesen në mënyra të ndryshme për shëndetin e të sëmurëve. Sivjet Dita, që kremtohet për herë të 67-të, përqendrohet tek tema: “Kurrë më padrejtësi, diskriminime e gërbulë në botë”.

Papa u shprehu afërsinë edhe të sëmurëve për shkak të virusit, që vijon të përhapet në Kinë:

 “Zoti - u lut - i pranoftë të vdekurit në paqen e Tij, i ngushëlloftë familjet dhe e mbështetët angazhimin e madh të bashkësisë kineze për ta luftuar epideminë”.

Përshëndetje të rinjve të Veprimit Katolik

Françesku përshëndeti, në përfundim, të rinjtë e të rejat e Veprimit Katolik, të famullive e të shkollave katolike të dioqezës së Romës, që erdhën me shumicë, në përfundim të “Karvanit të Paqes”. Dy fëmijë lexuan një mesazh e pastaj lëshuan tollumbace të bardha e të verdha:

“Jemi këtu - kujtonte mesazhi - për të kërkuar paqe në qytetin tonë e në mbarë botën. Erdhëm t’ju takojmë në këtë të Diel të parë të Fjalës së Zotit,  që të  të gjithë të mund të përqendrohemi mbi vlerën e madhe e  Fjalës në jetën tonë të përditshme. Nga ky vit tutje, për ne do të jetë një takim, të cilin do ta presim plot gëzim!”.

26 janar 2020, 14:44